1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shans i ri për afrim? Takimi i nivelit të lartë midis BE dhe Rusisë

Të thjeshta nuk kanë qenë kurrë, marrëdhëniet mes BE-së dhe Rusisë. Edhe në takimin e nivelit të lartë (e enjte, 21.5.) në rend të ditës janë çështje të hapura. Të dyja palët janë të interesuara të bashkëpunojnë.

Montazh i flamurit te BE dhe flamurit te Rusise

Lufta e Rusisë me Gjeorgjinë bëri të bllokohet marrrëveshja e dytë e partneritetit mes BE dhe Rusisë

Lufta mes Gjeorgjisë dhe Rusisë në gusht të vitit të kaluar, i përkeqësoi tepër marrëdhëniet mes BE-së dhe Rusisë. Asokohe presidenti i komisionit të BE-së, José Manuel Barroso u shpreh:

"Është e qartë se ne nën dritën e zhvillimeve më të fundit nuk mund të vazhdojmë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.“

Për pasojë BE-ja i ngriu bisedimet për një marrëveshje të dytë partneriteti të zgjeruar me Rusinë, e cila do të zëvendësonte atë ekzistuese. Deri në vjeshtën e vonë për BE-në gjendja në Kaukaz vazhdonte të ishte e pakënaqshme, megjithatë ministrat e jashtëm vendosën që të bëhej një kthesë, sikurse deklaroi në nëntor ministri i jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Mosmarrëveshjet mes Rusisë dhe Ukrainës për çështjen e gazit i sprapësuan përpjekjet për afrim

"Më lejoni t'ju njoftoj qe ne arritën në përfundimin që rifillimi i bisedimeve mes BE-së dhe Rusisë nuk do të lidhet me kushte të reja.“

Ferrero- Waldner: Rusia dhe Ukraina, e varrosën në një farë mënyre besimin tek to

Situata u shtensionua. Por mosmarrëveshjet mes Rusisë dhe Ukrainës për çështjen e gazit i bënë sërish të prapësoheshin përpjekjet për afrim. Miliona qytetarë të BE-së mbetën në mes të dimrit të hidhur, pa ngrohje për javë të tëra. Komisarja e BE-së për marrëdhëneit me jashtë, Benita Ferrero-Waldner përdori në janar fjalë të qarta në drejtim të të dyja vendeve:

"Që të dyja, Rusia dhe Ukraina, e varrosën në një farë mënyre besimin tek to dhe emrin e mirë si furnizues të besuar me energji apo si vend i besuar traziti. Kjo duhet thënë në këtë mënyrë.“

Ne foto Jose Manuel Barroso dhe Vladimir Putin. Takimi Barroso Putin: Moskë 6 shkurt 2009

Takimi Barroso Putin: Moskë 6 shkurt 2009

Barroso: Rusia mbetet furnizuesi ynë më i rëndësishëm me energji

Që prej kësaj kohe BE-ja po përpiqet më intensivisht për ta pakësuar varësinë e saj prej furnizimeve me energji nga Rusia dhe po teston në këtë drejtim gjendjen në drejtim të Azisë qendrore dhe të Kaukazit. Megjithatë, Barroso e konsideroi të rëndësishme që në fillim të këtij muaji të theksonte në Pragë se sa e rëndësishme mbetet Rusia për BE-në.

"Rusia është dhe mbetet furnizuesi ynë më i rëndësishëm me energji, në radhë të parë me gaz. Dhe ne duam të bashkëpunojmë në mënyrë konstruktive me Rusinë. Por ne kemi, themi ne në Evropë nevojën e kuptueshme për të gjetur burime shtesë.“

Njëkohësisht përmes një konference për energjinë, BE-ja themeloi në Pragë të ashtuquajturin Partneritet Lindor me gjashtë ish-republika sovjetike. Këto shtete duan të afrohen më tepër me BE-në. Por Rusia i ndjek me mosbesim këto afrime në vendet e zonës së saj tradicionale të ndikimit. Ambasadori rus pranë BE-së Vladimir Çihov tha të enjten e kaluar se vendi i tij nuk është në parim kundër këtij projekti.

"Për ne kriteri më i rëndësishëm është që në kuadër të kësaj nisme të mos krijohen linja të tjera ndarëse, të cilat do t'i vinin vendet e prekura përpara një dileme krejtësisht artificiale: pra ose ecni përpara në një të ardhme të shkëlqyer me BE ose të rrëshqisni në drejtim kundërt, si në kohë dhe në hapësirë në drejtim të Rusisë. Kjo është krejtësisht e gabuar.“

Ai iu referua para së gjithash deklaratave të ish- ministrit të jashtëm çek Karel Schwarzenberg, i cili kishte thënë se Bjellorusia mund "ta harrojë" partneritetin, në qoftë se i njeh territoret gjeorgjiane të pushtuara nga Rusia në Abkazi dhe në Osetinë Jugore.

Manovra e NATO-s në Gjeorgji dhe akuzat për spiunazh i kanë rënduar sërish marrëdhëniet BE - Rusi

Ndërkohë është zhvilluar takimi i parë zyrtar i Këshillit NATO-Rusi, i pari pas periudhës së ngricës në marrëdhëniet dypalëshe. Por manovra e NATO-s në Gjeorigji dhe akuzat për spiunazh i kanë rënduar sërish këto marrëdhënie. NATO dëboi në fund të muajit prill edhe një nga djemtë e ambasadorit Çihov, i cili punonte tek misioni i Rusisë pranë NATO-s.

"Djali im nuk ka shkaktuar tensione, por ishte viktimë e një provokimi të rëndë. Për këtë do të desha të shprehesha më me qejf si baba, sesa si ambasador dhe këtë lajm e prita me një përzierje mes zemërimit dhe përbuzjes.“

Çihovi shtoi se dikush me sa duket dëshiron që t'i prishë sërish marrëdhëniet rishtas të mira, por të paktën përsa u përket BE dhe Rusisë, të dyja palët duket se janë të vendosura t'i japin fund një periudhe të vështirë prej rreth treçerek viti dhe të fillojnë rishtaz.

Autor: Christoph Hasselbach/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 19.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HtMq
  • Data 19.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HtMq