1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shans i humbur? - Në garën ndërkombëtare për specialistë Gjermania del me humbje

6 Korrik 2011

Ekonomia i kërkon prej kohësh specialistët nga jashtë shtetit. Ndërsa politika reagon me ngadalë ndaj kësaj thirrjeje për ndihmë. Për ata që kërkojnë një vend pune Gjermania prej kohësh nuk është vendi më i preferuar.

https://p.dw.com/p/11qCK
Uzina e Gërlicit- Siemens AG ka mangësi në specialistë
Uzina e Gërlicit- Siemens AG ka mangësi në specialistëFotografi: picture-alliance/dpa

Anonsat nëpër gazeta mund të ishin të tilla: «Kërkojmë 73.000 inxhinierë, 30.000 mjekë dhe 50.000 infermierë të kualifikuar për shërbimet e përkujdesjes. Dhe mund të ishin edhe pak më shumë, sepse ekonomia po përjeton bum ndërsa shoqëria po plaket më shpejtë se ç'kujtojnim. Punëdhënësi quhet Gjermani». Por, kësaj anonse nuk u përgjigjen shumë njerëz. Punëtorët e kualifikuar janë të kërkuar në Gjermani.

Shanset për fuqi punëtore të huaj, pra, mendohet të jenë të mira. Për polakët, çekët dhe shtetasit e tjerë të vendeve të raundit të parë të zgjerimit lindor të BE-së portat e tregut gjerman të punës janë të hapura që nga 1 maji i këtij viti. Bullgaria dhe Rumania vërtet që duhet të bëjnë edhe pak durim, por «sipas ligjit gjerman për imigrim, absolventët e shkollave të larta nga këto vende mund të punojnë dhe të jetojnë këtu pa kufizime të mëtejshme», thotë Herbert Brücker nga Instituti për Hulumtimin e Karrierës dhe Tregut të Punës.» Sidomos në të ashtuquajtura fusha MINT - Matematikë, Informatikë, Shkenca Natyrore dhe Teknikë – kërkohen me urgjencë ekspertë.

Inxhinjeri Leif Rackwitz punon në Dahlewitz për Rolls-Royce dhe sheh me shqetësim mungesën e specialistëve
Inxhinjeri Leif Rackwitz punon në Dahlewitz për Rolls-Royce dhe sheh me shqetësim mungesën e specialistëveFotografi: picture-alliance/dpa

Deri më 2025 madje do të mungojnë gjer në 6,5 milionë fuqi puntore e kualifikuar, ka përllogaritur Ministria Federale për Punë dhe Çështje Sociale. «Gjermanët për një kohë shumë të gjatë pretendonin se ata nuk kishin nevojë për të huajt, ose se në se po, atëherë vetëm për një farë kohe», thotë Franz Wagner nga Shoqata e profesioneve të përkujdesjes mjekësore: «Tek ne është bërë një politikë e gabuar për vite me radhë dhe të tjerët u treguan më të shpejtë se ne». Kjo «politikë e gabuar» tani është zgjuar dhe do të ndryshojë diçka: «Nuk po pret e gjithë bota që të punojë tek ne. Ne duhet t'u bëjmë ftesë», tha javën e kaluar kancelarja federale Angela Merkel.

Punëtorët dhe specialistët e rinj nga Evropa Juglindore i kanë paketuar valixhet. Ata duan të punojnë jashtë shtetit, të fitojnë para, të specializohen më tej. Por ata nuk e kanë prerë biletën për Berlin, Këln, apo Mynih, por për më në veri, Londër, Stokholm, Kopenhagë.

Për një kohë të gjatë në Gjermani sundonte frika se krahu i lirë i punës nga Evropa Juglindore do t'u marrë gjermanëve vendet e punës.. Por kjo është e pabazuar, thotë Holger Kolb nga Këshilli i Ekspertëve të Fondacioneve gjermane për Integrim dhe Migrim. Hulumtime empirike kanë dëshmuar se nga pikëpamja statistikore për çdo imigrant hapen 2,5 vende të reja pune. Një specialist i huaj mund të realizojë projekte të reja dhe të krijojë produkte të reja. Kjo hap vende të reja pune.

Punonjës i firmës Solar- Sistem energjetik GmbH
Punonjës i firmës Solar- Sistem energjetik GmbHFotografi: picture-alliance/dpa

Kështu që imigrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar ka efekte pozitive në tregun gjerman të punës, thotë Brücker.«Gjermania shfrytëzoi klauzolën e afatit kalimtar dhe e shtyu lirinë e lëvizjes së punëmarrësve nga vendet e reja të BE-së me shtatë vjet. Tani po e paguan», thotë Kolb. Gjermania është e vonuar dhe gjendet përballë problemesh më të mëdha se vendet e tjera, thotë Kolb. Franz Wagner-i është i mendimit se tashmë është tepër vonë: «Shqetësimi ynë është që po të fillojmë e të kërkojmë specialistë në mënyrë aktive, do të vijnë ata që nuk janë më të mirët, pra ata që nuk kanë gjetur punë në Britaninë e Madhe. Dhe meqë ne kërkojmë njerëz me shumë urgjencë, do t'i marrim ashtu siç janë», thotë Wagner. Holger Kolb është më optimist: «Ne duhet të pranojmë, se kjo qeveri dhe dy paraardhëset e saj kanë bërë disa hapa të guximshëm përpara. Ato ende janë të pamjaftueshme, por të shpresojmë që në të ardhmen do të zgjerohen edhe më tej», thotë Kolb.

Kthesë në kohën e duhur

Guximin në politikën e migracionit qeveria federale e tregoi edhe javën e kaluar. Me një koncept për sigurimin e fuqisë punëtore profesionale ajo synon të sjellë në Gjermani kokat më të mençura. Për këtë Gjermania dëshiron të zhvillojë një kulturë mirëseardhjeje, kështu thuhet në koncept. Pengesat burokratike do të hiqen: Edhe rregulli i trajtimit me përparësi të shtetasve të BE-së për disa profesione nga inxhinieria dhe mjekësia është hequr. Qeveria gjermane po i jep vëmendje të madhe edhe potencialit të studentëve të huaj në Gjermani.

Mikhail Yerunov, inxhinjer nga Uzbekistani
Mikhail Yerunov, inxhinjer nga UzbekistaniFotografi: Mikhail Yerunov

Por një problem: Përpjekjet janë tepër shkurtpamës, madje duke marrë parasysh diskutimin aktual ato janë zhgënjyese, thotë Brucker. «Për shumë profesione, për të cilat ne kemi shumë më tepër vende pune se të papunë, kufizimet janë ende të vlefshme». As Brucker nuk beson se ky koncpet do ta zgjidhë problemin e mungesës punëtorëve të kualifikuar në Gjermani: «Ne të jemi të lumtur në se na vijnë të paktën 1000 imigrantë në vit. E kjo s'është asgjë po të kesh parasysh se na nevojiten 200 000 deri më 300 000 persona të kualifikuar për çdo vit.»,

Autorin: Rayna Breuer / A. Mikat

Redaktoi: Aida Cama