1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shërbimi ushtarak si kamp trajnimi për terroristët?

Shërbimi sekret ushtarak gjerman, MAD, dëshiron të hetojë, nëse për vende pune në ushtrinë gjermane, Bundeswehr, aplikojnë edhe islamistë.

Shërbimi sekret ushtarak gjerman, MAD, kontrollon deri tani vetëm pasi një person është anëtar i forcave të armatosura gjermane, pra ushtar aktiv, dhe jo paraprakisht. Por meqë në Bundeswehr ka si ushtarakë të punësuar me kontrata të pakufizuara, edhe të tillë që punojnë për një periudhë të caktuar kohore, MAD mendon se ekziston mundësia që islamistët të bëjnë kërkesë për t'u punësuar në forcat e armatosura me synimin, që pasi të shkollohen dhe të stërviten atje, të shkojnë në zonat e krizës. Deri tani nuk ka ushtarë aktivë që kanë shkuar në mënyrë të paligjshme në Irak apo Siri dhe në rastin e tyre kontrolli i sigurisë personale funksionon mjaft mirë.

Por problemi është se kontrolli i sigurisë nga organet e kundërzbulimit zgjat disa muaj, dhe në këtë kohë rekrutët e kanë kryer fazën përgatitore bazë. Po ashtu si rregull kontrolli nuk bëhet për çdo ushtar. Zakonisht ky kontroll bëhet paraprakisht p.sh. në rastin e atyre, të cilët pas fazës përgatitore bazë duan të spencializohen si snajperistë, xhenierë apo piroteknikë. Por sipas ekspertëve edhe bazat e përgjithshme të njohurive ushtarake mund të jenë të mjaftueshme për të bërë karrierë në radhët e organizatave terroriste, si IS-it, me aftësi dhe njohuri që të tjerët nuk kanë.

Kontrolli preventiv masë e pranueshme

Stefan Hansen

Stefan Hansen

Për këtë shkak eksperti i sigurisë, Stefan Hansen, beson se mbrojtja e shoqërisë prej rreziqeve ka përparësi ndaj të drejtave personale të ushtarëve dhe se për këtë kontrolli preventiv i kandidatëve brenda kuadrit të ngushtë ligjor është i mundshëm. Stefan Hansen është Drejtor i Institutit për Studime të Sigurisë në Universitetin e Kielit. Në fokus të punës së tij janë politika e jashtme, politika e brendshme dhe e mbrojtjes së Gjermanisë dhe terrorizmi.

Sipas tij terroristët nuk janë të shkolluar dhe stërvitur mirë nga pikëpamja ushtarake, ndërkohë që njohuri të tilla speciale në fushën e vendosjes së minave etj. mund të jenë të vlefshme për IS-in. Deri tani nuk duket se në radhët e IS-it ka ndonjë ushtar që ka shkollim të mirë ushtarak sipas standardeve perëndimore. Prandaj është mirë të merren masa parandaluese që terroristëve të mos u jepet mundësia të shkollohen dhe stërviten ushtarakish.

Fre keqpërdorimeve

Në Gjermani, ku të drejtat personale të njeriut mbrohen me forcë, ligjet anti-terror janë të shoqëruara me shumë kufizime. Por meqë bëhet fjalë për mbrojtjen efektive të popullsisë, duhet që të rishqyrtohen kompetencat në strukturat gjermane të sigurisë. Ushtria gjermane refekton sipas Stefan Hansen shoqërinë gjermane. "Në Gjermani ka sot edhe pjesëtarë besimesh dhe kulturash të tjera, dhe edhe në radhët e ushtrisë numri i myslimanëve është rritur. Në Gjermani ka edhe terroristë islamikë dhe për këtë shkak të tilë mund të ketë edhe në Bundeswehr" - thotë eksperti i sigurisë.

Sipas tij Bundeswehri i shkollon ushtarët që t'i shërbejnë rendit demokratik dhe liberal. Pra në rastin e ushtarëve që mësojnë përdorimin e armëve, siguria duhet të jetë e nivelit të lartë. "Për këtë shkak të drejtat individuale të atyre që duan të shërbjenë në ushtri mund të cënohen prej kontrolleve të sigurisë nga ana e MAD-së, në mënyrë që aftësitë që fitojnë ushtarët në Bundeswehr të mos keqpërdoren më pas për qëllime të tjera." - mendon eksperti i sigurisë, Stefan Hansen.