1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shërbimi i Jashtëm Evropian - Çfarë mund të bëjë dhe çfarë duhet të bëjë ai?

Në çështjet e politikës së jashtme në Evropë nuk ka pasur një partner për bisedime. Por me krijimin e Shërbimit të Jashtëm Evropian gjërat do të ndryshojnë. Evropa flet tanimë me një zë.

default

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Catherine Ashton

Henry Kissinger si ministër i Jashtëm i SHBA-së është ankuar njëherë se nuk e di se çfarë numri telefoni ka Evropa. Thënë qartë - në Evropë nuk kishte një partner për bisedime. Por me marrëveshjen e re të Lisbonës, prej një viti në fuqi, pritet që kjo gjendje të ndryshojë. Nga njëra anë Evropa me Catherine Ashton ka një "Ministre të Jashtme" megjithëse ajo mban titullin "E ngarkuara e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe të sigurisë". Nga ana tjetër shtetet e BE-së kanë rënë dakord për krijimin e një Shërbimi të Jashtëm Evropian. Ky shërbim do t'i japë një formë të plotë politikës së jashtme evropiane.

EU-Außenminister Treffen Brüssel NO FLASH

Me Shërbimin e Jashtëm Evropian rritet vlera e diplomacisë evropiane. Në foto ministrat e Jashtëm të BE në një takim

Si do të funksionojë shërbimi i jashtëm?

Deri në fund të krijimit të tij, Shërbimi i Jashtëm Evropian ka qenë një mollë sherri: Sa influencë do të marrin shtetet anëtare, çfarë strukture do të ketë ky lloj autoriteti, kush do t'i marrë postet më të rëndësishme? Megjithë grindjen për poste, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Catherine Ashton gjithmonë ka theksuar avantazhet e institucionit të ri: "Krijimi i një shërbimi të tillë na e mundëson që ne si 27 shtete anëtare të punojmë së bashku. Ne duam të gjejmë përgjigje të përbashkëta për sfidat më të rëndësishme në botë. Nuk bëhet fjalë t'iu marrim diçka shteteve anëtare, por për të shtuar shumëfish vlerën, nëse 27 shtete punojnë së bashku."

Shërbimi i Jashtëm Evropian që në plan afatgjatë do të punësojë rreth 7000 vetë do të mbështesë përfaqësuesen e lartë në punën e saj. Nga njëra anë ai do të marrë përsipër punën standart të një Ministrie të Jashtme me seli në Bruksel, nga ana tjetër diplomatët e tij do të përfaqësojnë interesat evropiane në më shumë se 100 ambasada.

Guido Westerwelle im Libanon

Guido Westerwelle, ministri gjerman i Punëve të Jashtme.

Fillimi nga puna i tij është një lajm jashtëzakonisht i mirë i diplomacisë evropiane, ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle: "Evropa duhet të reagojë lidhur me krizat në botë, sigurisht në radhë të parë, nga ana diplomatike. Për këtë arsye edhe për ne është shumë i rëndësishëm Shërbimi i Jashtëm Evropian.

Ora për një politikë të përbashkët të punëve të jashtme

Eurodeputeti belg dhe negociator për Shërbimin e Jashtëm, Guy Verhofstadt mendon madje se ka ardhur momenti për një politikë të jashtme të përbashkët në Evropë. "Pra na lejoni ta themi hapur. Deri më tani nuk ka pasur një politikë të përbashkët të jashtme të BE-së. Më vjen ndërmend lufta në Irak, me të cilën në nivel evropian ne jemi marrë vetëm 50 sekonda. Evropa asokohe thjesht nuk ishte në gjendje të gjente një pozicion të përbashkët. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë sërish."

Belgien Ministerpräsident Guy Verhofstadt

Guy Verhofstadt, eurodeputet belg

Përpjekja e tejzgjatur për formën konkrete që duhet të ketë Shërbimi i Jashtëm Evropian ka nxjerrë në dritë një kryqëzim. Pjesërisht shërbimi i merr urdhrat nga Bashkësia, por në një masë të caktuar thonë fjalën e tyre edhe shtetet anëtare. Punonjësit do të zgjidhen vetëm mbi bazën e kualifikimit.

Dëshira që të ketë një kuotë gjeografike për vendet evropianolindore tani nuk shtrohet më për diskutim. Kjo është gjë e mirë, mendon eurodeputeti Alexander Graf Lambsdorff: "Nganjëherë krijohet përshtypja sikur kjo është tema më e rëndësishme, por nuk është e vërtetë. Pikërisht Gjermania do të përfitonte nga futja e një kuote, e unë prapë jam kundër kësaj."

Gjermania ka në Shërbimin e ri së paku dy poste strategjike. Helga Schmid, ish-këshilltare e ministrave të Jashtëm Kinkel dhe Fischer do të jetë Sekretare e Përgjithshme e Shërbimit. Ndërsa Markus Ederer do të marrë përsiper përfaqësinë e BE-së në Pekin.

Autor: Monika Dittrich/Lindita Arapi

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 30.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QLJX
  • Data 30.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QLJX