1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shërbimi i Fshehtë Gjerman kalon në selinë e re në Berlin

Edhe pse shumica e punonjësve të Shërbimit Informativ Federal të Gjermanisë (BND) ende ndodhen në Pullach, është paraparë që deri në vitin 2016 duhet të gjithë të jenë në kryeqytetin gjerman.

Edhe këtu po përsëritet e njëjta histori si me projektet e tjera të mëdha: Çdo gjë zgjat dhe kushton më shumë se që duhet për shkak të mosmarrëveshjeve me kompanitë dhe dështimeve në procesin e ndërtimit. As selia e re e Shërbimit Informativ Federal (BND) nuk bën përjashtim në këtë pikë. Në vend të 730 milionë eurove sa ishte vlerësuar fillimisht ndërtimi i ndërtesës gjigande për 4000 bashkëpunëtorët e këtij shërbimi, kostoja e ndërtimit do të shkojë të paktën në 912 milionë euro. Kështu të paktën llogarit Enti Federal për Ndërtim dhe Planifikim Hapësinor. Sidoqoftë këtë të hënë (31.03.2014) me një ceremoni festive 174 punëtorët e parë të BND-së filluan punën në zyrat e reja në ndërtesën e ngritur në lagjen qeveritare në Berlin.

Në foto: Gerhard Schindler

Në foto: Gerhard Schindler

Presidenti i BND-së Gerhard Schindler është i lumtur që ka përfunduar me sukses etapën e parë të shpërnguljes nga Pullach-u në Berlin. "Si një institucion që është në shërbim të hartimit të vendimeve politike në qeveri dhe parlament BND e ka vendin në Berlin", tha kreu i shërbimit të jashtëm informativ të Gjermanisë. Schindler foli për një "epokë të re" dhe një sinjal të qartë si brenda dhe jashtë vendit: "BND vendoset në qendër të kryeqytetit". Bundestagu dhe Zyra e Kancelares janë larg vetëm tre stacione metroje.

Afërsia me politikën do të bëhet kështu më e dukshme në të ardhmen edhe në aspektin hapësinor. Selia e BND-së ndodhet aktualisht rreth 600 kilometra larg në Pullach në afërsi të Mynihut. Apo siç dëgjohej shpesh në Berlin: në fund të botës.

Më herët këtu është luajtur futboll

Në ndërtesën në Chausseestraße e cila ndodhet në përfundim e sipër ngjitur me zyrat është ngritur edhe qendra logjistike, qendra e energjisë dhe një garazh parking. Në inaugurim morri pjesë edhe Peter Altmaier, shefi i zyrës së kancelares. Për kristiandemokratin ky ishte një termin i rëndësishëm, në fund të fundit ai është edhe koordinator i agjencive federale të inteligjencës - përveç BND-së ekziston edhe Mbrojtja e Kushtetutës (BFV) dhe Shërbimi i Kundërzbulimit Ushtarak (MAD).

Pamje nga selia e re e BND-së

Pamje nga selia e re e BND-së

Altmaier vlerësoi rolin e BND-së në arkitekturën gjermane të sigurisë. Informacionet e tij janë një bazë e "rëndësishme" për marrjen e vendimeve politike. Sidomos kur bëhet fjalë për krizat ndërkombëtare është thelbësore që informatat të jenë në dispozicion në kohë, tha shefi i Kancelarisë.

Deri në fund të vitit 2016 duhet të përfundojë zhvendosja nga Pullach-u në Berlin. Bashkëpunëtorët e BND-së do të kenë në dispozicion pastaj një zonë të madhe sa 35 fusha futbolli, thuhet në një njoftim për shtyp. Krahasimi figurativ i bërë në këtë rast është i përshtatshëm sepse në bazën e selisë së re të BND-së në kohën e RDGJ-së ndodhej "Stadiumi i Rinisë Botërore". Direkt pas tij ndodhej muri i Berlinit. Brohoritjet pas shënimit të golave mund të dëgjoheshin edhe në Perëndim.