1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shërbimet sekrete perëndimore kanë bashkëpunuar me Gaddafin

CIA dhe shërbime të tjera sekrete perëndimore kanë bashkëpunuar ngushtë me vite të tëra me regjimin e Gaddafit. Kjo rezulton nga dokumentet e gjetura në godinën e shërbimit sekret libian.

Moussa Koussa.

"I dashur Mussa..." - tone miqësore për ish shefin e shërbimit sekret libian.

Shërbimet sekrete gjermane kanë marrë informacione të rëndësishme prej Libisë për luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar që në vitet 90-të. Këtë bëri të ditur koordinatori i shërbimeve sekrete gjermane Bernd Schmidbauer për gazetën „Bild am Sonntag“. Me ndihmën e informacioneve nga Libia kanë mundur të evitohen edhe disa sulme terroriste në Gjermani. Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch raporton për një bashkëpunim shumë të ngushtë mes shërbimeve sekrete perëndimore dhe shërbimeve sekrete të ish pushtetmbajtësit në Libi, Muammar al-Gaddafi. Kjo organizatë u referohet dokumentave të gjetura në selinë e shërbimeve sekrete libiane në Tripoli. Peter Bouckaert nga organizata Human Rights Watch pohon se: „Në këtë arkivë gjenden përgjigjet në pyetjet e shumë libianëve. Këtu gjendet informacione edhe për sulmin terrorist në Lockerbie, si dhe informacionet për 1200 kufomat e të burgosurve të vrarë gjatë masakrës në burgun Abu-Salim, në vitin 1996. Për organizatën tonë është shumë me rëndësi që këto dokumente të sigurohen dhe të mos bien në duart e përsonave të paautorizuar apo në duart e gazetarëve."

CIA ka pasur dijeni për keqtrajtimet

Selia e CIA-s.

CIA ishte në dijeni të metodave që përdorte shërbimi i fshehtë libian.

Këto dokumente duket se dëshmojnë se të dyshuarit për pjesëmarrje në aksionet terroriste, të kapur prej shërbimin sekret amerikan CIA, janë dërguar për t'u marrë në pyetje në Libi.

„Kemi frikë se këta njerëz janë keqtrajtuar prej organeve libiane të sigurisë. CIA e ka ditur se çfarë do të ndodhë kur i ka dorëzuar të dyshuarit si Abdulhakim Belhaj, shefi i sotëm i sigurisë në Tripoli, në duart e ish shërbimeve libiane të sigurisë. Në atë kohë ata ishin islamistë të arrestuar prej CIA-s. Sikur CIA të donte t'i merrte ata vetë në pyetje, ka mundur edhe ta bëjë. Por ata i kanë dorëzuar në duart e shërbimeve të sigurisë për të cilat edhe Ministria e Jashtme amerikane e ka ditur se ndaj të dyshuarve përdorin metoda të keqtrajtimit dhe keqpërdorimit", thotë ai.

Befasia më e madhe

Avionët e NATO-s në Libi.

Avionët e NATO-s në Libi.

Mirëpo një gjë e ka befasuar në veçanti edhe Peter Bouckaertin, kur i ka parë këto dokumente: toni shumë miqësor i komunikimit mes këtyre shërbimeve, i cili tejkalon masat e një korespondence normale. Lidhur me këtë Peter Bouckaert shpjegon: „Ajo që befason është komunikimi shumë direkt dhe i afërt që shihet në dokumenta. Shërbimeve sekrete të Libisë u janë dërguar pyetje konkrete, të cilat duhej t'u shtroheshin personave që merreshin në pyetje, madje me një ton shumë miqësor. Ndërkohë që shërbimet sekrete falënderojnë edhe shefin e sigurimit të Gaddafit, Mussa Kussa, për portokallët dhe hurmët, që i ka dhënë përfaqësuesve të shërbimeve sekrete amerikane. "I dashur Mussa", thuhej në shkrimet e dërguara ish shefit të sigurimit nga koha e Gaddafit - një personi i cili megjithatë ishte i njohur për pjesëmarrjen e tij në shtypjen e të tjerëve.“

Disa dokumente dëshmojnë madje që nëpunësit e CIA-s kanë marrë pjesë edhe vetë në këto biseda informative. Me organet libiane të sigurisë ka pasur kontakte të ngjushta edhe shërbimi sekret britanik MI6. Dokumentat e gjetura në qendrën e shërbimit sekret të Libisë duket se kanë përmbajtje vërtet shpërthyese.

Autor: Michael Hans Ehl/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani

DW.COM