1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shërbimet sekrete paralajmërojnë për një valë sulmesh në mbarë Evropën

Njoftime shqetësuese të shërbimeve sekrete. Atentatet e Parisit mund të kenë qenë vetëm fillimi i një vale terrorizmi në mbarë Evropën.

Sulmi i përgjakshëm mbi redaksinë e revistës franceze satirike "Charlie Hebdo" dhe sulmi në tregun hebre në Paris mund të kenë qenë sipas informacioneve të ekspertëve të shërbimeve sekrete amerikane vetëm fillimi i një vale terrorizmi në mbarë Evropën. Sipas gazetës gjermane "Bild am Sonntag" e cila u referohet ekspertëve të shërbimeve sekrete amerikane, specialistët e përgjimit të shërbimit sekret Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) kanë regjistruar menjëherë pas masakrave të Parisit biseda telefonike të udhëheqësve të xhihadistëve të "Shteti Islamik" (IS). Në bisedat e përgjuara të krerëve të IS-it ëhtë folur për një valë të gjerë terrori në mbarë Evropën.

Edhe Roma në shenjestër

Paris konsiderohet në bisedatat telefonike të përgjuara si fillimi i një serie sulmesh, që do të përfshijnë edhe kryeqytetet e tjera të Evropës. Ndër to përmendet edhe Roma. Megjithatë, plane konkrete nuk janë të njohura. Sipas mediave italiane në një video të re kërcënimi të ekstremistëve të IS-it, Roma përmendet si një nga objektivat e sulmeve. Kryeministri italian Matteo Renzi kërkoi si përgjigje ndaj dhunës islamike në Francë krijimin e një shërbimi sekret të BE-së. "Ne kemi një monedhë të përbashkët, dhe kemi nevojë për një agjenci të përbashkët të shërbimit sekret. Evropa duhet të jetë e bashkuar kundër terrorizmit," tha Renzi.

Shërbimet sekrete perëndimore janë të shqetësuar sidomos për faktin, se atentatorë e Parisit janë ndoshta pjesë e një rrjeti terrorist. Hetuesit amerikanë duhet të ketë dëshmi se vëllezërit Sherif dhe Said Kouachi kanë pasur kontakte në Holandë. Edhe ekspertët gjermanë të sigurisë besojnë se autorët e krimit ishin të ndikuar nga jashtë dhe kanë qenë të lidhur me islamikë të tjerë militante.

MI5 paralajmëron Gjermaninë për sulme ndaj avionëve

Shërbimi sekret britanik MI5 njoftohet se ka paralajmëruar autoritetet gjermane të sigurisë për sulme të munshme ndaj avionëve me eksploziv që nuk mund të zbulohet nga detektorët në aeroporte. Shkak mund të jetë një instruksion për ndërtimin e bombave i botuar kohët e fundit në internet nga Al-Kaida.

Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh për një shkëmbim të zgjeruar të të dhënave për pasagjerët e avionëve në të gjithë botën dhe kërkoi në të njëjtën kohë edhe një bashkëpunim më të mirë ndërkombëtar të shërbimeve sekrete. Ajo theksoi se edhe shkëmbimi i informacioneve brenda Evropës duhet të zthellohet më tej. Merkel tha edhe se duhet të përmirësohen edhe pajisjet e shërbimeve sekrete në Gjermani.

Thirrje për vigjilencë

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière (CDU) u bëri thirrje qytetarëve në Gjermani që të jenë vigjilentë. "Në Gjermani po ndodh një proces radikalizimi gjatë të cilit njerëzit po ndryshojnë si pamjen e jashtme edhe mendimet brenda vetes apo zakonet e të ushqyerit," tha de Maiziere për gazetën "Bild am Sonntag".

De Maizière zhvillon këtë të dielë në Paris bisedime me disa nga kolegët e tij nga BE-ja dhe me ministrin e Brendshëm amerikan Eric Holder për luftën kundër terrorizmit.