1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shërbimet e fshehta: Besimi fitohet me zor dhe humbet shpejt

Donald Trumpi i ka përcjellë informacione sekrete Rusisë. Eksperti për SHBA, Irwin Collier deklaron në intervistë me DW se ç'pasoja mund të kishte kjo për Trumpin dhe për punën e shërbimeve të fshehta të SHBA.

DW: Në takimin e tij me ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov, Presidenti i SHBA besohet se ka përcjellë informacione, të cilat mund të rrezikojnë burime të rëndësishme në luftë kundër Shtetit Islamik (IS). Këtë e raportojnë Washington Post dhe New York Times. Shtëpia e Bardhë e pranon në parim përcjelljen e informacioneve, por kundërshton kritikat e tjera. Kujt duhet t'i besojmë?

Irwin Collier: Në këtë rast kanë të drejtë të dyja palët - të paktën e parë në pikëpamje sipërfaqësore. Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti nuk ka zbuluar metoda të shërbimeve të fshehta ose burime. Kjo me siguri është e saktë. Por Presidenti ka përcjellë informacione sekrete, në bazë të të cilave mund të nxirren përfundime për burime dhe metoda vëzhgimi të shërbimeve të fshehta.

Kjo është edhe akuza e Washington Post-it. Artikulli i tyre bazohet në burime shumë të forta. Një citat në artikull thotë se reporterët kanë pasur qasje në një procesverbal të bisedës. Pra ekziston një procesverbal i bisedës me Lavrovin.

Komisionet e Shërbimeve të Fshehta në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve tani mund ta kërkojnë këtë procesverbal për ta parë se çfarë është thënë vërtet.

Collier: Të gjuash me gurë kur ndodhesh në shtëpi prej xhami

DW: A mund të ketë kjo ndodhi pasoja në marrëdhëniet e SHBA me aleatët, për shembull Gjermaninë, përsa u përket shërbimeve të fshehta?

Padyshim. Më lejoni ta shpreh në këtë mënyrë: si sipërmarrës ndërtimi Donald Trumpi është mësuar që të punojë me paratë e njerëzve të tjerë. Ai ka marrë hua para për projekte, u ka hyrë rreziqeve, tek të cilat humbjet i përballonin në radhë të parë investuesit. Tani ai vepron po kaq pa e vrarë mendjen edhe me informacione të shërbimeve të fshehta të njerëzve të tjerë, të vendeve të tjera. Dhe kjo do të ketë pasoja. Fitimi i besimit të të tjerëve është shumë i vështirë; por për ta humbur e humb shumë lehtë.

Irwin Collier

Irwin Collier

DW: Në fushatën e zgjedhjeve presidenciale Donald Trumpi e sulmoi rëndë kundërshtaren e tij, Hillary Clinton, sepse kishte përdorur një server privat për emailet. Ai e akuzoi se si ministre e Jashtme ajo kishte vepruar pa e vrarë mendjen me informacione të kategorizuara "sekret". A do ta paguajë tani ai këtë?

Paralele ekzistojnë padyshim. Ky është një rast që ti godet të tjerët me gurë kur vetë ndodhesh në një shtëpi prej xhami.

DW: "Futeni në burg" ishte një shprehje e preferuar e mbështetësve të Trumpit për Hillary Clintonin. A duhet të ketë frikë Trumpi tani vërtet për një procedurë penale?

Presidenti është i autorizuar që të përcaktojë se cilat informacione duhen mbajtur sekret dhe cilat jo. Askush nuk e akuzon pra Presidentin sa ka bërë krim. Por ajo që thuhet është se ai e shpërdoron pushtetin.

Megjithatë: nëse dikush që punon për Trumpin do të kishte vepruar si ai, ai do ta kishte humbur të drejtën për të deklasifikuar sekrete, do të qe pushuar ose do të kishte përfunduar në burg, për shkak të përcjelljes së informacioneve tepër sekrete. 

Irwin Collier drejton John-F.-Kennedy-Institut për studimet e Amerikës së Verout në Freie Universität Berlin.