1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Shërbime sekrete jashtë çdo kontrolli!"

Në Gjermani përgjimeve nga ana e autoriteteve dhe shërbimeve informative u vihen kufij të rreptë. Por kjo nuk e shqetëson aspak shërbimin sekret të SHBA-së. Indinjata është e madhe në BE dhe Gjermani.

Skandali i përgjimit rreth shërbimit sekret të SHBA-së, NSA, po zgjerohet. Sipas informacioneve të gazetës britanike "Guardian" janë përgjuar edhe përfaqësitë diplomatike të Francës, Italisë dhe Greqisë në Uashington dhe pranë Kombeve të Bashkuara. Gazeta informon se NSA ndër të tjera ka instaluar atje aparate përgjimi dhe ka ndërhyrë në linjat kabllore të komunikacionit. Ashtu si në të gjitha rastet e tjera të bëra të njohura më parë në këtë skandal mbarëbotëror përgjimi, edhe këtë herë dokumentet informuese vijnë nga ish punonjësi i shërbimit sekret amerikan Edward Snowden.

Në fundjavë u ngritën akuza se NSA përgjon me qëllim BE-në. Sipas këtyre akuzave, në institucione të BE-së janë vendosur aparate përgjimi dhe vetëm në Gjermani çdo muaj janë përgjuar rreth gjysmë miliardë telefonata, e-maile apo SMS. Në revistën informative "Spiegel" thuhet më tej se SHBA e shohin Gjermaninë vërtet si partner por edhe si objekt sulmi. Indinjata është e madhe. Komisionerja e BE-së për drejtësinë Viviane Reding kërcënoi se mund të pezullojë negociatat për një marrëveshje tregtie të lirë mes BE-së dhe SHBA-së, nëse këto informacione do të rezultojnë të vërteta: "Partnerët nuk e spiunojnë njëri-tjetrin", tha Reding në Luksemburg.

Përpjekje për rutinë diplomatike

Për të ngarkuarin gjerman me mbrojtjen e të dhënave Peter Schaar, veçanërisht shqetësues është fakti që "pala amerikane nuk i ka përgënjeshtruar këto informacione". Bëhet fjalë për "një cënim të rëndë të të drejtave tona themelore", tha Schaar për "Ruhr Nachrichten".

Uashtingtoni hesht vërtet ende lidhur me akuzat. Vetëm nëpërmjet kanaleve diplomatike do të jepen përgjigje "të përshtatshme", deklaroi zyra e shefit të shërbimeve sekrete amerikane, James Clapper. Sqarime do të ketë edhe në dialogun dypalësh të ekspertëve për shërbimet sekrete, të cilin SHBA e ka njoftuar disa javë më parë.

Ky reagim nuk ka shumë gjasa të zbusë indinjatën në radhët e politikanëve gjermanë, edhe pse kancelarja Angela Merkel deri tani nuk është pozicionuar për akuzat e fundjavës. Ministrja gjermane e drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger, është e para anëtare e kabinetit qeveritar që u shpreh në lidhje me akuzat: është jashtë çdo përfytyrimi që "miqtë tanë" në Uashington na shohin ne evropianët si armiq, tha politikania liberale (FDP). Për "shërbimet sekrete të dala jashtë çdo kontrolli" diskutohet me zjarr në të tre partitë e koalicionit qeverisës.

Azil në Gjermani për Snowden?

Për opozitën tani është në radhë të parë detyrë e kancelares të veprojë: ajo duhet të sqarojë sa më shpejt nëse ka pasur një "bashkëpunim të fshehtë" mes shërbimeve informative gjermane me NSA-në, tha kryetari i grupit parlamentar të të gjelbërve në Bundestag, Jürgen Trittin në kanalin e parë televiziv gjerman ARD. Njëkohësisht ai u shpreh me forcë për mbrojtjen e "informatorit" Edward Snowden nga pasojat juridike në SHBA: kush bën publike praktika të paligjshme, duhet të mbrohet, tha Trittin. Për Snowden duhet garantuar një "qendrim i sigurt" në Evropë, tha politikani i gjelbër.