1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shënohet përvjetori i ribashkimit të Gjermanisë

Në Mynih u shënua përvjetori i 22 i ribashkimit të Gjermanisë. Me 3 tetor 1990 u krijua një prej vendeve më të fuqishme evropiane dhe botërore. Gjermania është sot motori ekonomik dhe politik i BE-së dhe Eurozonës.

Përvjetori i ribashkimit të Gjermanisë.

Përvjetori i ribashkimit të Gjermanisë

Ceremonia qendrore festive u zhvillua në Operën Shtetërore të Mynihut, në praninë e krerëve të Gjermanisë, presidentit Joachim Gauck, kancelares Angela Merkel si dhe përfaqësuesve të landeve të këtij vendi. Nikoqir i festimeve ishte kryeministri bavarez dhe presidenti i radhës i Këshillit Federal, Horst Seehofer. Ai në veçanti theksoi guximin dhe dëshirën për liri të njerëzve që dikur jetonin në ish-Gjermaninë Lindore.

Horst Seehofer

Horst Seehofer

"Vetëm kundërshtimi i hapur i regjimit të Partisë së Unionit Socialist në Gjermaninë Lindore ka mundur të hapë rrugën drejt ribashkimit të vendit dhe drejt lirisë. Mendoj se këtyre njerëzve duhet t'u jemi shumë falënderues. Zoti i bekoftë këta njerëz për kurajon e treguar civile", theksoi Seehofer.

Bashkëpunimi në nivelin evropian

Ndërsa kryetari i Parlamentit gjerman Norbert Lamert bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë në nivel evropian.

"Edhe momentet më të lumtura në historinë e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, siç janë rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i vendit, kanë dimenzione evropiane. Pa tejkalimin e ndasive në Evropë nuk do të ishte i mundur as ribashkimi i Gjermanisë. Nga ana tjetër, ribashkimi i vendit tonë ishte parakusht për krijimin e një unioni mes vendeve të Evropës Perëndimore, Evopës së Mesme dhe asaj Lindore. Ndaj në veçanti duhet të falënderojmë fqinjët tanë, miqët dhe partnerët e jashtëm, pa të cilët as tani nuk do të mund të festonim përvjetorin e ribashkimit të vendit", theksoi Lammert.

Norbert Lammert

Norbert Lammert

Gjermania sot, 22 vjet pas ribashkimit të saj, është shndërruar në një prej motorëve kryesorë ekonomik dhe politik të Bashkimit Evropian. Ajo është edhe shtylla kryesore e Eurozonës. Ndaj roli i saj, në veçanti në këto kohëra krize, është i jashtëzakonshëm.

"Storja e suksesshme e ribashkimit dhe funksionimit të mirë të Gjermanisë mund të jetë udhërrëfyes edhe për Evropën. Gjermania dhe Evropa kaherë nuk janë më në kundërshtim mes vete. Ne jemi evropianë nga Gjermania. Bashkëqeverisja e Evropës është poaq e rëndësishme sa edhe ribashkimi i vendit", theksoi kryetari i Parlamentit gjerman, Norbert Lammert.

Para ceremonisë kryesore festive, në Mynih u mbajt edhe një meshë ku foli kardinali i Mynihut Reinhard Marx. Edhe ai në veçanti nënvizoi rolin e Gjermanisë për ardhmërinë e Evropës. Mynihu ishte këtë vit nikoqir i festimeve me rastin e 22 vjetorit të ribashkimit të Gjermanisë, sepse landi i Bavarisë e ka dhe kryesinë e radhës së Këshillit Federal. Me 1 nëntor këtë detyrë do t'a marrë landi Baden - Vyrtemberg.