1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shëndetësia në Serbi: Pacientët e pambrojtur

Pacientët në Serbi e kuptojnë se sa janë të pambrojtur vetëm kur shkojnë tek mjeku. Shpesh ata nuk flasin, por paguajnë atë që u kërkohet dhe heshtin.

Sistemi i shëndetësisë në Serbi është një prej problemeve më të mëdha të vendit. E megjithatë ai renditet është në fund të listës së prioriteteve, për të cilat interesohen politikanët, por edhe qytetarët - që më shumë interesohen për zhvillimet në Berlin, Moskë, Uashington apo Pekin sesa në shëndetësi.

Pacientët në Serbi e kuptojnë se sa janë të pambrojtur vetëm kur shkojnë tek mjeku. Ata përballen me një burokraci të jashtëzakonshme, që ka të bëjë me relike të sistemit të kaluar politik, kur nëpunësit vendosnin për të gjitha. Në rastet e këtilla më së shumti dëmtohen personat me invaliditet.

Korrupsioni në shëndetësi

Korrupsioni megjithatë është problemi më i madh në shëndetësinë e Serbisë, e më pas vijnë koha tepër e gjatë e pritjes për operacione apo edhe cilësia e shërbimeve. Pacientët ndonjëherë presin me muaj për një vizitë apo operacion. Ndërsa për korrupsionin nuk flitet shumë, ndonëse korrupsioni në shëndetësi është ndër problemet më të mëdha në këtë vend. Për shkak të problemeve me shëndetin, shpesh pacientët nuk janë të gatshëm të flasin, por paguajnë atë që u kërkohet dhe heshtin.

Në Serbi ekziston edhe insitucioni i Këshillimit të Pacientëve për të drejtat e tyre. Por ky institucion nuk ndihmon fare, thonë përfaqësuesit e OJQ "Parlamenti popullor". Serbët që kanë shqetësime, nuk krijojnë dot kontakte me këtë institucion, për shkak të numrit të vogël të këshilluesve. Ndërkohë që shpesh edhe kur i arrijnë, ata nuk i dinë përgjigjet në pyetjet e shtruara.