1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini urdhëroi ndikimin e zgjedhjeve në SHBA

8 Janar 2017

CIA, NSA dhe FBI-ja janë të bindura se Putini ka dhënë urdhër për ndikimin e procesit elektoral në SHBA.

https://p.dw.com/p/2VS3R
Karikatur Trump als Marionette von Putin
Fotografi: picture-alliance/Zumapress/B. Slabbers

"Qëllimet e Rusisë ishin që të minonin besimin publiku në procesin demokratik në SHBA, që të denigronin Hillary Klintonin dhe të dëmtonin shanset e saj elektorale për tu bërë presidente e mundshme e SHBA-së", shkruhet përmbledhtazi në raportin e bazuar tek informacionet e shërbimeve sekrete CIA dhe NSA si dhe të FBI-së. Sipas tyre veprimet e Moskës janë dizajnuar në mënyrë të tillë që mund të mohohen në çdo kohë. Shërbimet sekrete hamendësojnë se presidenti rus Vladimir Putin donte ta diskreditonte Hillary Klintonin, sepse e akuzon ish-ministren e Jashtme amerikane se ka iniciuar demonstratat e mëdha kundër sundimit të tij në fund të vitit 2011 dhe në fillim të 2012.

Sipas raportit Putini supozon se me Trumpin mund të krijojë më lehtë një aleancë kundër organizatës terroriste "Shteti Islamik" (IS). Po ashtu ai ka bërë "shumë përvoja pozitive" me drejtuesit perëndimorë, "interesat komerciale të të cilëve i bëjnë ata më të prirur për të bërë tregti me Rusinë". Shërbimet sekrete përmendin në këtë pikë  si shembuj ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder (SPD) dhe ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi.

Russische Puppen Putin und Trump
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Pochuyev

Besueshmëria e veprimeve

Të tre shërbimet e konsiderojnë shumë të besueshme se aksionet i ka urdhëruar vetë Putini. Kurse sa i përket faktit nëse ai donte që përmes tyre ta bënte Trumpin president, ato mendojnë ndryshe. Ndërsa FBI-ja dhe CIA e konsiderojnë si "të lartë" mundësinë për këtë gjë, organi përgjegjës për mbikqyrjen elektronike NSA-ja e klasifikon këtë mundësi në nivelin "besueshmërisht e moderuar".

Wikileaksi publikoi gjatë email fushatës elektorale presidenciale në SHBA e-maile të brendshme të Partisë Demokratike si dhe pjesë nga korrespondenca mes Hillary Klintonit dhe menaxherit të fushatës së saj elektorale, John Podesta. Partia Demokratike dhe  shërbimet sekrete e bëjnë Moskën përgjegjës për këto sulme të hakerëve.

Russland Karikatur zum Thema Russische Hacker in den USA

Raporti i shërbimeve sekrete kritikon edhe "propagandën" ruse e cila ka ndikuar përmes një të ashtuquajture fabrikë trollësh qëllimisht në atmosferën në rrjetet sociale në internet. Shtatë faqe të raportit i kushtohen kanalit shtetëror rus "Russia Today", që ka raportuar "vazhdimisht në mënyrë negative" për Hillary Klintonin.

Spiunimi vazhdon edhe pas zgjedhjeve

Autorët e raportit supozojnë se veprimet ruse do të vazhdojnë. Direkt pas zgjedhjeve janë sulmuar përmes internetit punonjës të qeverisë dhe ekspertë për çështje të tilla si siguria kombëtare, mbrojtja dhe punët e jashtme. "Përmes kësaj fushate sulmesh digjitale mund të jenë siguruar materiale për veprimet e ardhshme të shërbimeve sekrete dhe informacionet e tyre mbi objektivat dhe planet e qeverisë së ardhshme", thuhet në përfundim të raportit.

Donald Trumpi e hedh poshtë ndikimin e mundshëm të fushatës ruse në fitoren e tij. Megjithatë njoftohet se Trumpi do të ngarkojë një grup pune për të përgatitur një plan për të parandaluar sulmet kibernetike brenda 90 ditësh pas fillimit të detyrës. "Pavarësisht nëse sulmet drejtohen kundër qeverisë, organizatave, shoqatave apo sipërmarrjeve tona, ne do t'i luftojmë sulmet kibernetike në mënyrë agresive," deklaroi ai, pa dhënë detaje publikisht, "sepse nga kjo mund të përfitojnë ata që duan të na dëmtojnë."