1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sfiduesi: Ed Miliband drejt Downing Street?

Ende është e paqartë se kush do t'i fitojë me siguri zgjedhjet në Britaninë e Madhe: shefi i laburistëve Ed Miliband ka fituar shumë terren.

Debati i fundit televiziv para zgjedhjeve për pak do të kishte shkaktuar rrëzimin e Ed Milibandit - jo në mënyrë figurative. Pas një programi televiziv në Yorkshire, me pyetje nga publiku, ku diskutimet qenë të ashpra, ai për pak e humbi ekuilibrin duke dalë nga skena. Ai mund të qe kthyer në një nga ato momente, që përcaktojnë karrierat. Por në momentin e fundit, Milibandi arriti ta mbajë ekuilibrin. Një simbol ndoshta për ndryshimin e habitshëm të imazhit javët e fundit të fushatës elektorale.

Politikan pa sharmë

Çdo klasë shkolle ka një Ed Miliband: serioz, të aftë, nga ana sociale pak të ngathët - "peshkopin" e klasës. Një njeri i tillë mund të bëhet profesor ose specialist i IT, por jo kryeministër në epokën e pranisë permanente të medieve.

Kjo në një kohë kur shefi i laburistëve ka një karrierë të panjollosur politike dhe akademike: si djali më i vogël i profesorit marksist të politikës, Ralph Miliband ai me të vëllanë Davidin u rrit në Londrën Veriore, në një familje intelektuale tradicionalisht të majtë. Prindërit e tij patën migruar si hebrenj polakë nga nazistët në Angli. Të dy vëllezërit studiuan në Oxford, të dy bënë karrierë në epokën e Toni Blair-it në partinë laburiste. Davidi u bë më vonë nën Gordon Brown-in Ministër i Jashtëm, Edi ishte përgjegjës për Energjinë dhe ndryshimin klimatik. Dy karriera të suksesshme, deri në "vëllavrasjen" politike në kongresin e partisë në vitin 2010.

Ed und David Miliband Labour Party

Ed dhe David Miliband

Politika partiake si dramë familjare

Pas humbjes së zgjedhjeve, Brown dha dorëheqjen nga kreu i partisë, David Miliband dukej pasardhësi i natyrshëm. Simpatik, kozmopolit dhe një njeri i Blair-it nga krahu i djathtë, i suksesshëm i partisë. Por kandidatura e tij u kthye në luftë me vëllanë më të ri, i cili më në fund fitoi: me ndihmën e votave të sindikatave Ed arriti që si kandidat i të majtëve të fitojë me një shumicë shumë të vogël përballë Davidit. Raporti i dy vëllezërve që atëherë është i vështirë.

Edhe sot, kjo histori u shërben kundërshtarëve të tij, për ta paraqitur Ed Milibandin si tinzar dhe që nuk mund t'i besosh. Ai do ta dëmtojë vendin më shumë se i vëllai, sulmon për shembull kryetari konservator i bashkisë së Londrës, Boris Johnson. Kjo në një kohë kur ai është i interesuar për vijën partiake, jo për rivalitet vëllazëror, theksonte herë pas here Ed Milibandi.

Ai mbron largimin nga "Blair-izmi", një politikë e qëndrimit miqësor neoliberal ndaj ekonomisë. Ed Milibandi do të luftojë pabarazinë sociale në vend, të ulë taksat e larta të studimit, të shpëtojë sistemin shëndetësor publik, të lehtësojë punëdhënësit. Ai është për Evropën dhe për barazi shansesh - në Gjermani ai do të bënte pjesë te socialdemokratët.

Nga humbës në i preferuar i adoleshentëve

Dikur në mars të këtij viti ndodhi kthesa: ndoshta mrekullinë e arriti këshilltari i Obamas David Axelrod, si ndihmës në fushatën elektorale për Partinë Laburiste. Në debate televizive dhe në fushatën elektorale Ed Miliband më në fund doli ashtu si është në të vërtetë. Papritur kandidati ia arriti që të perceptohet si burrë elegant dhe i veshur mirë në mes të të dyzetave. Një njeri me humor dhe me qendrim të natyrshëm. Dhe një politikan që i mbron bindjet e tij, që është në gjendje të dëgjojë mendimin e të tjerëve dhe që të lë përshtypjen e njeriut të ngrohtë.

Imazhi i ri ishte aq efektiv, sa papritur adoleshentët nisën të bëjnë selfie me Ed Milibandin dhe në internet u krijua grupi Mili-Fans.

Britania e Madhe para shndërrimit të peizazhit partiak

Sondazhet e fundit nuk parashikojnë për asnjërin nga kandidatët pikë përqindjeje të mjaftueshme, sa për të formuar qeverinë të vetëm. Fituesi i zgjedhjeve do të ketë nevojë për një partner koalicioni. A do të jenë liberalët, si humbës të mundshëm të zgjedhjeve të gatshëm që pas koalicionit me Toriet të ndërrojnë kampin? Dhe sa të suksesshëm do të jenë populistët e djathtë të UKIP-it?

Para së gjithash fati i një qeverie laburiste varet nga nacionalistët skocezë. Partisë SNP i parashikojnë sukses të madh. Por Ed Milibandi ka premtuar se nuk do të krijojë koalicion me këtë parti, sepse ajo do ndarjen e Britanisë së Madhe. E përfytyrueshme do të ishte megjithatë një qeveri minoriteti, sepse për shumë çështje të tjera, laburistët dhe SNP janë në të njëjtën anë.