1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sfidat e Shqipërisë për integrimin europian

Analistë dhe diplomatë e shikojnë arritjen e objektivit për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë tek fryma konsesuale dhe bashkëpunimi konkret mes mazhorancës dhe opozitës.

Albanische und EU-Flagge

Performanca dhe sfidat e Shqipërisë në procesin e integrimit europian ishin në qendër të një referimi të ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë, Helmut Hoffmann lidhur me qëndrimin e vendit të tij ndaj zgjerimit të BE-së. Kreu i diplomacisë gjermane në Shqipëri referoi në Forumin e Politikës së Jashtme që u organizua të enjten (13.02.2014) në Tiranë nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, AIIS. Perspektiva gjermane e Ballkanit, sipas Hoffmann, është një rajon që bëhet pjesë integrale e BE-së, një bashkësi vlerash të përbashkëta, një hapësirë e përbashkët e demokracisë, e lirisë, e progresit ekonomik dhe e drejtësisë sociale.

Kryediplomati gjerman ritheksoi se vendi i tij e mbështet plotësisht Shqipërinë në rrugën e saj në BE, e këtë e argumentoi me angazhimin e fuqishëm gjerman në zbatim të projekteve zhvilluese jetike në sektorë të ndryshëm, si ujësjellës e kanalizime, energjetikë, në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, formimin profesional, mbrojtjen e mjedisit etj.

Të gjitha palët të punojnë së bashku

Për ambasadorin Hoffmann “jo”-ja e dhjetorit të kaluar nga Këshilli i Ministrave për statusin e Shqipërisë – tutje agumentimeve justifikimeve dhe spekullimeve që janë dëgjuar – duhet shikuar si një kohë e nevojshme që vendimarrësit të shikonin funksionimin e tranzicionit të pushtetit, kur mazhoranca dhe opozita ndërruan role. “Për të parë konkretisht angazhimin e tyre. Jo vetëm shumica, por dhe opozita duhet të luajnë si duhet rolin e tyre. A do të ndalë qeveria e re praktikën fatkeqe të së kaluarës në trajtimin e shërbimit publik si pronë e partisë, që do të thotë pastrim dhe më pas të vendosen të besuarit partiakë, ndonjëherë pa kualifikimin e duhur në punë dhe në pozicionin që ngarkohen? Në lidhje me këtë: A do të jetë i mundur reformimi në gjyqësor për ta nxjerrë atë nga reja e korrupsionit pa e shdërruar këtë proces në polemika të brendshme kundërthënëse?”

Në pikëpamjen e ambasadorit Hoffmann këto janë çështje kyçe për të ardhmen e Shqipërisë, tashmë një shans për të kaluar në një kapitull të ri. Sipas tij, gjërat vështirësohen kur në vend të gatishmërisë nga të gjitha palët për të punuar së bashku në mënyrë të arsyeshme ka përpjekje për të skandalizuar çdo gjë. “Objektivi për marrjen e statusit është vetëm një hap përpara në rrugën drejt BE-së, ndërkohë që ka dhe shumë sfida të tjera”, shprehet ambasadori i Gjermanisë Hoffmann.

Goditja e institucioneve të pavarura

Për drejtorin e Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, Ilir Aliaj, realizimi i objektivit për statusin e vendit kandidat është i dëshiruar nga opinioni publik që të kryhet në qershor. Sipas tij, në pamje të parë gjërat duket se po shkojnë mirë. Por, nuk duhet të harrojmë se integrimi europian është një proces cilësor që ka në pikënisje të tij plotësimin e kritereve, në rastin konkret ato të Kopenhagenit, thotë për DW Aliaj.

“Kriteri i parë ka të bëjë pikërisht me atë që në mendimin tim ne nuk e plotesojmë. E kam fjalën për dialogun politik. Palët politike nuk kanë gjetur akoma konsensus për reformat bazë që i duhen vendit. Për më tepër mazhoranca po tregon se kërkon të shtier në dorë të gjitha institucionet e pavarura, gjykatat, Shërbimin Informativ Kombëtar, Inspektoriatine Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë etj, që e bën, sipas mendimit tim edhe më të zymtë perspektivën. Pasi Shqipëria është në një monitorim të shumifishtë, si nga Delegacioni i Komisionit Europian, por edhe nga ambasadat e vendeve anëtare, mendoj se do ta kemi të vështirë arritjen e objektivit për në qershor, për marrjen e statusit të vendit kandidat.”

Imazhi negativ prej politikës

Analisti i pavarur i medias, Aleksandër Çipa, sheh mundësi për arritjen e objektivit për marrjen e statusit te vendit kandidat për në BE, por në të njëjtën kohë sipas tij, rreziku mbetet "pas derës". Kjo ka lidhje me klasën politike dhe udhëheqësinë e kësaj klase, komenton ai për DW. Parlamenti është ‘shtëpia e konfliktit' politik në Shqipëri. Vihet re kollaj se si oratorë të vjetër të këtij tranzicioni të ndenjur, po ripërdorin patetikën, patologjinë dhe agresivitetin politik si në momentet më kulmore të këtij tranzicioni 24 vjeçar. Por rreziku më i madh vjen prej imazhit që krijojmë dhe atij që japim për perceptim brenda opinionit publik vendas dhe atij ndërkombëtar. Kjo meritë negativiste është vetëm e udheheqësisë politike dhe protagonistëve që nuk i lënë vend realizimeve të thella në qeverisjet e vendit”.

Aleksandër Çipa që drejton edhe Unionin e Gazetarëve të Shqipërisë shikon disa rrugëdalje, ku përparësi ka ulja e tensionit social që vjen për shkak të sipermarrjeve që qeveria e kryeministrit Edi Rama i quan reforma ndryshuese.

“Ato janë sipërmarrje të cilat opozita me gjithë vokacionin e zhurmës dhe ankimtarisë së vet, ia del t'u japë një perceptim jo favorizues për shumicën qeverisëse.Tjetër, problemi më serioz, i cili duhet vlerësuar dhe marrë me seriozitet institucional dhe ligjor është çështja e administratës publike dhe shpërgenjtë që qeverisja e ish-kryeministrit Sali Berisha la në kohën e tejzgjatur të dorëzimit të pushtetit. Një aspekt tjetër themelor është ai i ngritjes së vullnetit të institucioneve ligjzbatuese dhe sistemit të drejtësisë në nivelin funksional, për arritjen e objektivit të tejkalimit të gjendjes së trashëguar të pandëshkueshmërisë dhe mposhtjen e krimit dhe derivateve të rrezikshme të tij”.

Ilir Aliaj nga Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, thotë se për të arritur këtë synim, forcat politike duhet të orientohen nga dialogu për reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian. Reformat të kenë rezultate konkrete dhe të prekshme për qytetarët, që nxisin një klimë besimi për investimet dhe zhvillimin, që në fund të fundit do ta pëshpejtojnë integrimin në familjen europiane”.