1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sfidat e mjedisit në Kosovë

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor në Kosovë është ministria me nivelin më të ulët të shpenzimeve. Por sektori po mbështetet nga Komisioni Evropian, që bashkë me qeverinë po implementon projekte milionëshe

Lumë në Pejë

Lumë në Pejë

Në Kosovë shumica e qytetarëve mjedisin, ku jetojnë, ende nuk e konsiderojnë si pjesë të veten dhe përtej shtëpisë dhe oborreve, çdo gjë është e huaj. Me qëllim të vetëdijësimit të gjeneratave të reja se mjedisi i pastër është baza e shëndetit, në kuadër të Programit Arsimor është futur Pakoja e Gjelbër. Përpjekja për zgjidhjen e problemit edhe në nivelin lokal shihet në iniciativat e komunave, përderisa debatet e organizuara nga shoqëria civile shumë herë përqëndrohen në problemin e mjedisit. „Familjet kosovare shume mirë e dinë se çka është mjedisi i pastër dhe rrethin, ku jetojnë e veprojnë, e kanë shumë të pastër. Por në momentin, kur kalon pragun e shpisë s´vet, ai i hedh mbeturinat pa menduar dy herë“, thotë Haki Mehmetaj, i cili po debaton në njërin nga debatet për mjedisin të mundësuar nga Fondacioni Gjerman “Fridrich Ebert”.

Kosova ka bukuri të rralla natyrore

Depozitë plehrash në Gjakovë

Depozitë plehrash në Gjakovë

Ajri i ndotur, deponitë e egra, degradimi i lumenjve dhe i fushave të gjelbëruara, janë faktorët, që jetën në Kosovë e bëjnë të pashëndetshme. Prof.Dr. Zeqir Veselaj, është drejtor i Qendrës Rajonale të Mjedisit në Kosovë: „Ajo që nuk mund të vihet në diskutim dhe me të cilin mburremi, është natyra tejet e bukur e Kosovës. Por parametrat mjedisore janë larg standardeve, të cilat do ta mundësonin një jetë të shëndetshme në Kosovë, edhe pse në këtë aspekt nuk qëndrojmë shume larg shteteve të rajonit“, thotë drejtori Veselaj, sipas të cilit mungesa e qasjes në ujin e pijes dhe në kanalizimin e ujërave të zeza është përditshmëria, me të cilën jetojnë një pjesë e qytetarëvë të Kosovës. Madje edhe me keq! “Një fakt i rëndë për t´u theksuar është se edhe ky kanalizim na kthehet në ujërat tona sipërfaqësore dhe nëntokësore i patrajtuar, sepse Kosova ende nuk ka një impiant për trajtimin e ujërave të zeza“.


Uji është shëndeti

Prof.dr.Zeqir Veselaj, drejtor i Qendrës Rajonale të Mjedisit në Kosovë

Prof.dr.Zeqir Veselaj, drejtor i Qendrës Rajonale të Mjedisit në Kosovë

Qytetarët Adem Lushaj dhe Beqir Kadrijaj, bëjnë thirrje për ndryshim të një realiteti, me të cilin jetojnë përditë. “Ne me ujë të pijes furnizohemi prej puseve. E dihen standardet tona, me të cilat në mund të ndërtojmë një pus. Prandaj e them me plot përgjegjësi se fshati jonë dhe rajoni, në të cilin gravitoj unë, përdorim ujin e ndotur. Sepse rrallëkush bën klorizimin e tyre“, thotë z.Lushaj. Përderisa, z.Kadrijaj është i vetëdijshem se uji nuk shërben veç sa për të shuar etjen: „Uji i pijshëm është shëndeti dhe assesi vetëm të shuajë etje. Ministria ankohet për buxhet. Komuna ankohet për mungesë mbështetjeje. Mirëpo, qeveria duhet gjetur zgjidhjen se prioritet kryesor është ushqimi dhe uji. Një rrugë mundet mos me u shtru se rruga s´hahet. Çdo gjë mund të bëhet pas tyre.”

Sa është e shëndetshme të jetohet sot në Kosovë?

Prof. Dr. Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje të Mjedisit

Prof. Dr. Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje të Mjedisit

Edhe pse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është ministria me nivelin më të ulët të shpenzimeve, përmirësimit të situatës po i kontribuon Komisioni Evropian dhe shtetet, të cilat investojne individualisht. Prof.dr. Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje të Mjedisit, flet për përmirësime ne këtë fushë: “Perqindja e popullatës, e cila nuk ka qasje në ujë të pijes, është ngrit prej 48 per qind në vitin 2000, në 75 per qind. Qasja në kanalizimin e ujërave të zeza është ngrit prej 28 per qind në 45. Është investuar shumë në organizimin e deponive, në diga dhe lumenj, por edhe në monitorimin e ujërave të zeza. Donacione këto sigurisht”, thote z. Morina, sipas të cilit projektet e përfunduara tashmë si “Rehabilitimi i deponive të vjetra komunale” në vlere prej 24 milionë eurosh dhe “Krijimi i rrjetit per monitorimin e cilësisë së ajrit”, në vlere prej 2 milione e 35 mijë eurosh, janë vetëm disa nga donacionet e Komisionit Evropian. Përderisa mbështetje në fushën e mjedisit kanë dhënë edhe donacionet individuale të qeverisë së Zvicrës, Holandës dhe Gjermanisë, e cila ka investuar në fushen e ujit të pijes mbi 100 milionë euro.

Por krahas përpjekjeve, pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovës jetojnë në një mjedis të ngulfatur nga ajri i ndotur dhe mbeturinat. Dr. Ilir Morina, ish-student i Universitetit të Humboltit, i cili më së shumti ka mësuar nga përvoja gjermane, thotë se qeverisë së Kosovës vazhdimisht i adresohen projekte: „Ne gjithmonë jemi ambiciozë. Nga qeveria e Kosovës kemi kërkuar mbi 56 milionë euro për këtë vit, por kemi marre mbi 5 milionë euro. Pra një milionë më pak se vitin e kaluar, gjë e cila na ka dëshpëruar shumë si ekologë. Mirëpo falë donacioneve dhe koordinimit të mirë të punëve me Komisionin Evropian dhe me qeveritë e ndryshme, të cilat na mbështesin individualisht, ka përparime. Dhe unë besoj se jemi në një nivel me rajonin”, thotë z.Morina.

Eksporti më i madh nga Kosova, metalet-mbeturinë

Kazanë të stërmbushur plehrash

Kazanë të stërmbushur plehrash

Menagjimi i mbeturinave është ndër sfidat më të mëdha mjedidore në Kosovë. Ndërsa duplifikimi i institucioneve, që merren me menagjimin e mbeturinave, mundëson krijimin e zbrazëtirave dhe keqmenagjimin, mendon drejtori Veselaj. "Dhe të gjitha këto institucione të duplifikuara përbëjnë një konglomerat, i cili pa një ndryshim të Ligjit për Mbeturina nuk do të arrijë të bëhet një sistem funksional. Mjafton të shikosh rrugët tona dhe brigjet e lumejve…Dhe përveçse është një problem mjedisor kjo ngarkesë e ambientit me mbeturina na ka kriju një imazh jo të mirë si shoqëri. Se, me përjashtim të hapave të mir,ë që janë ba në riciklimin e aluminit dhe deri diku të metaleve tjera, në letër, qelq e plastikë janë ba hapa shumë të vegjël në vendosjen e sistemit të riciklimit. Ju e dini se Kosova sot eksportin më të madh nga vendi e ka nga metalet mbeturinë”, thotë prof.dr. Zeqir Veselaj.

Në Kosovë menagjohen vetëm 50 per qind e mbeturinave

Nga ana tjetër gjëndja e rëndë ekonomike dhe pamundësia e pagesës së shërbimeve nga ana e qytetarëvë vështirëson funksionimin e kompanive. “Aktualisht, në territorin e Kosovës grumbullohen vetëm 50 per qind e mbeturinave, vetëm 15 prej të cilave nëpër fshatra. Kompanitë publike nuk kanë fuqi të zgjerojnë sipërfaqet me kontejner për grumbullimin e tyre, për arsye se, shërbimin prej 4.8 eurosh e paguajnë vetëm 40 deri në 60 per qind të familjeve kosovare. Me një llogari të thjeshtë del se në një komunë nuk grumbullohen as 150 mijë euro, përderisa mbeturinat e grumbulluara dorëzohen në deponi përkundër një kostoje rreth 6.8 euro për ton. Si rrjedhojë të gjitha kompanitë kanë borxhe mbi 1 milione euro tek deponitë. D.m.th, edhe atë donacion të falur nga Komisoni Evropian, jemi duke e keqmenagjuar“, thotë z. Morina.

Edhe pse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është ministria me nivelin më të ulët të shpenzimeve, Komisioni Evropian dhe shtetet donatore po vazhdojnë mbështetjen e tyre, duke kërkuar nga qeveria e Kosovës zhvillimin e politikave afatgjate për të përballuar sfidat e mëdha mjedisore në Kosovë.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica