1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Sfida më e madhe për Evropën"

Vala e refugjatëve temë e rëndësishme gjatë takimit të kancelares gjermane Angela Merkel dhe kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy. Të dy janë në favor të një politike unike azili në BE.

Kur kancelarja Angela Merkel doli së bashku me homologun e saj spanjoll Mariano Rajoy para shtypit (01.09), dyndja e refugjatëve kishte arritur një dimension të ri: mijëra refugjatë duhet të kenë mbërritur në Austri dhe Gjermaninë jugore që nga e hëna në mbrëmje - me trena nga Hungaria. Në ekrane lexon lajme sipas së cilave kancelari austriak Werner Faymann kritikoi qeverinë hungareze që vetëm i le të vazhdojnë refugjatët pa i regjistruar ata. Kjo bie në kundërshtim me të ashtuquajturën Rregullore të Dublinit - pra që përgjegjës për procesin e azilit është ai shtet i BE-së ku personi shkel për herë të parë tokën e BE-së.

Ligji dhe realiteti

A ngul Gjermania këmbë mjaftueshëm për respektimin e kësaj rregulloreje të BE-së, pyet një gazetar. Refugjatët e luftës civile nga Siria kanë të drejtë me një probabilitet të lartë të rrinë në Gjermani, përgjigjet Merkel. Në fakt, ngjashëm duhet të jetë në çdo vend evropian. "Ne konstatojmë çdo ditë nga përvoja praktike se ligji nuk praktikohet." - thotë Merkel.

Nga ajo nuk dëgjon kritikë për partnerin e BE-së Hungarinë. Nuk ka vlerë "të akuzojmë njeri-tjetrin reciprokisht", thotë kancelarja. Përkundrazi ne duhet të punojmë për një politikë të përbashkët evropiane për azilin. Qëllimi është të ngrihen shpejt "qendra regjistrimi për azilkërkuesit" p.sh. në Greqi dhe Itali dhe pastaj ata të shpërndahen në mënyrë të drejtë në BE. Përveç kësaj duhet të përcaktohen vendet e sigurta të origjinës dhe refugjatët ekonomikë të kthehen në ato vende. Rajoy bëri thirrje për marrëveshje ripranimit me ato vende nga të cilat vijnë emigrantë për arsye ekonomike në BE.

Kritere për kuotën

Shumë vende të BE nuk janë dakord me një "shpërndarje të drejtë" të refugjatëve përmes kuotave. Mirëpo Spanja e mbështet propozimin e Gjermanisë në BE, tha Rajoy. Spanja tha ai është e gatshme të marrë 2,739 refugjatë. Në përcaktimin e kuotës tha Rajoy duhen marrë parasysh edhe faktorë të tillë si norma e papunësisë, e cila është e lartë në Spanjë, apo investimet në mbrojtjen e kufirit të jashtëm të BE-së. "Ajo që ne po shohim është sfida më e madhe për Evropën në vitet e ardhshme", tha kryeministri spanjoll. Pa një politikë të përbashkët evropiane për refugjatët dhe azilin ky problem nuk do të zgjidhet.