1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sesioni i ri i parlamentit në Shqipëri - PS-ja: "Marrëdhënie e kushtëzuar me parlamentin"

Pasdite (07.09) pritet të hapet në Tiranë sesioni i ri i Kuvendit, i pari pas zgjedhjeve të përgjithshme. Në ceremoninë e hapjes është paralajmëruar mungesa e grupit opozitar të PS-së me 65 deputetë.

default

Socialistët: Shkaku thelbësor deformimi i rezultatit zgjedhor dhe mosarritja e standardeve

E gjithë administrata e Kuvendit të Shqipërisë është përfshirë prej ditësh në organizimin e seancës së parë plenare. Për sesionin e ri parlamentar ka disa risi në dekorimin e ambientit ku do të qëndrojnë deputetët që e fituan mandatin nga zgjedhjet e 28 qershorit. Nuk do të mungojnë flamujt brenda dhe jashtë sallës, do të ketë risi tek dritat, ngjyrat dhe efektet. Por askush nuk merr përsipër gjysmën e poltroneve të deputetëve, për të cilat është paralajmëruar se do të qëndrojnë bosh. Vendimi gjatë fundjavës i grupit parlamentar të PS-së në opozitë për bojkot të seancës së parë pritet ta zbehë ceremonialin e pasdites.

Mungesa e 65 deputetëve socialistë, nga 140 që janë gjithsej në parlament, është pa afat, e kushtëzuar nga plotësimi i një liste kushtesh. Ajo që artikulohet si "marrëdhënie e kushtëzuar me parlamentin" mbetet një nga temat më të lakuara në qarqet politike, në opinion, por dhe ka marrë goxha hapësira në media.

Analistët e pavarur: Qëndrimi i socialistëve edhe reflektim i zhvillimeve të brendshme në parti pas humbjes më 28 qershor

Analisti i pavarur Henri Cili, e përshkruan sjelljen e socialistëve si një lëvizje taktike: "Nuk është një qëndrim politik thelbësor, por është një taktikë politike në funksion të lojës së brendshme në PS, ose rilegjitimimit të Edi Ramës në krye të partisë pas humbjes në zgjedhje. Sigurisht që ka gjëra për të përmirësuar për zgjedhjet. Ka gjëra për të përmirësuar tek sjellja e institucioneve, tek institucionet e pavaruara e kështu me rradhë. Por marrëdhënia e kushtëzuar e PS-së me parlamentin është një veprim politik i pandershëm", thotë ai për DW-në.

Komentatori politik Lutfi Dervishi shprehet se vetë termi që kanë gjetur socialistët "marrëdhënie e kushtëzuar me parlamentin" është në thelb interesant, por që përmban një qëndrim të paqartë të tyre në vijimësi. Më tepër pozicioni i PS-së shikohet në funksion të zhvillimeve të brendshme të kësaj partie.", thotë Dervishi për DW-në. "Qëndrimi i PS-së më tepër reflekton dhe një lloj acarimi për shkak të faktit që LSI-ja nëse teorikisht dhe ideologjikisht ishte rreshtuar në krah të socialistëve tashmë është përballë saj. Mazhoranca kalkulon që ky qëndrim i saj është emocional, apo qëndrim i përkohshëm. Nuk shohim një qëndrim të qartë se opozita do të bëhet jashtë institucioneve".

Në media ka dhe ndonjë analizë që nxjerr si shkak të humbjes së Edi Ramës në zgjedhje politikën e tij të moderuar në 4 vitet që kaluan. Dhe se po të kishte një opozicion më radikal, rezultati do të ishte më i suksshëm. Por analisti Henri Cili është kundër këtij arsyetimi: "Shkaqet e humbjes së opozitës në zgjedhje ishin krejt të tjera dhe nuk kishin të bënin me profilin e të bërit opozitë si i moderuar apo si radikal. Shkaqet gjenden gjetkë. Edi Rama po i futet një profili radikal në funksion të rilegjitimitetit të vet të brendshëm."

Komentatori politik Dervishi: Kushtet që ka prezantuar PS-ja në përgjithësi të kapërcyeshme

Kështu ai konsideron ngritjen e komisionit hetimor për problemet zgjedhore, shqyrtimin e ankesave për largime politike nga puna, apo roli i medias publike. Në këto çështje, thotë ai për DW-në mazhoranca duhet të jetë më tolerante, ndërkohë që roli i parlamentit përjashtohet nga hetimi i ish-deputetit të vrarë të PS-së, Fatmir Xhindi. "Vetë PS-ja është e interesuar jo tani por që në një fazë të mëvonshme të jetë në parlament, të jetë brenda institucioneve. Praktikisht pas rreth 1 viti e gjysmë do të jemi përsëri në fushatë elektorale, që do të jetë më shumë interesante sa ajo që kaluam, tashmë që ka dhe një rreshtim tjetër të forcave".

"Marrëveshja e kushtëzuar me parlamentin", për analistin Henri Cili nuk do të shoqërohet me efekte negative për koalicionin PD-LSI. Sipas tij do të jetë e kundërta: "Kjo mënyrë sjellje e PS-së dhe qëndrimi i Edi Ramës në krye të saj janë arësye shumë të forta që aleanca PD-LSI të funksionojë shumë mirë. Ju e patë veprimin e zotit Berisha, i cili i ofroi apriori një forcë që ka 4 deputetë dhe 5 përqind të zgjedhësve 20 përqind të pushtetit. Kjo do të thotë se zhvillimet aktuale në PS dhe vazhdimi i lidershpit të Ramës do ta forcojnë në vend që ta dobësojnë koalicionin qeverisës".

Sipas Cilit, PS-ja pas një harku kohor të shkurtër do të kuptojë se më shumë se përfitim politik nga kjo marrëdhënie do të ndiejë humbje nga kreditet e saj në skenën politike dhe jo vetëm.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 07.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JTwx
  • Data 07.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JTwx