1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Seri vetëvrasjesh në Kinë - Foxconn kërkon falje tek punëtorët dhe familjet e viktimave

Kushtet e punës në Kinë janë të rënda dhe kjo është e njohur prej vitesh. Por prej disa muajsh opinioni në Kinë po tronditet nga një seri vetëvrasjesh në radhët e punonjësve të prodhuesit të elektronikës Foxconn.

Zona e rekrutimit në kompaninë Foxconn në Shenzhen, në jug të Kinës.

Prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve elektronike Foxconn, duket si kështjellë me mure të lartë dhe forca sigurie, që e izolojnë atë plotësisht nga mjedisi përreth. Vetëm në Shenzhen në jug të Kinës, më shumë se 400.000 vetë punojnë në dy qytete-fabrika. Seria e vetëvrajseve në radhët e punonjësve të rinj, e detyroi shefin e koncernit Terry Gou të bëjë një inspektim të pazakontë. Reporterët e habitur panë në Shenzhen se si shefi u bërtiti menaxherëve të tij. Në një konferencë për shtyp Terry Gou u shpreh tejet i prekur:

"Në emrin tim dhe të firmës sime kërkoj ndjesë: tek opinioni publik, tek të gjithë bashkëpunëtorët e mi dhe familjet e viktimave. Ne kemi dështuar, nuk ishim në gjendje t'u vinim në ndihmë atyre që patën probleme psiqike pasi u ndjenë të trajtuar keq tek ne."

Terry Gou premtoi të bëjë gjithçka, për të ndaluar serinë e vetëvrasjeve. Një punonjës i ri tregoi në një intervistë në televizion se çfarë e shqetësonte më shumë tek Foxconn:

"Kryepunëtorët janë shumë armiqësorë. Ata na shajnë dhe na bërtasin vazhdimisht, nëse nuk bindemi mund të largohemi, na thonë. Njëri prej tyre më tha: të punosh shumë se Foxconn ka plot para dhe punëtorë. Një më shumë ose më pak nuk ndryshon gjë."

Më shumë se 400.000 vetë në katër kilometra katrorë dhe asnjë rrjet social për punëtorët e Foxconn në Shenzhen.

Më shumë se 400.000 vetë në katër kilometra katrorë dhe asnjë rrjet social për punëtorët e Foxconn në Shenzhen.

Këtë stil ndoqi menaxhimi edhe në ditën kur skandali përfshiu qarqe më të mëdha: ata u dërguan punëtorëve një letër, në të cilën iu kërkonin të premtonin se nuk do të kryenin vetëvrasje. Kur e mësoi këtë shefi i koncernit Gou, e tërhoqi plot inat letrën nga qarkullimi.

Foxconn është një nga 500 sipërmarrjet më të mëdha në botë dhe prodhon për gjigantë të tillë si Dell, Nokia, Hewlett-Packard apo Apple.

Apple bëri të ditur se do të kontrollojë nëse Foxconn kujdeset sa duhet për punonjësit e tij. Foxconn është edhe partner i kompanisë Media Markt, e cila së shpejti planifikon të hyjë në tregun kinez. Kjo u bë ditur javën e kaluar nga Media Markt.

Eksperti për të drejtën e punës Liu Kaiming thotë: "Klientët e Foxconn janë direkt përgjegjës për këtë problem me të cilin ndeshemi. Pasuria e tyre buron edhe nga këta punëtorë. Pra ata mbajnë përgjegjësi. Ata duhet ta mbështesin Foxconn-in në përpjekjet për ndryshimin e kulturës së menaxhimit dhe për përmirësimin e kushteve të punës."

Liu Kaming është një nga ekspertët me famë ndërkombëtare për të drejtat e punëtorëve në Kinë. Për të Foxconn është një shembull tipik i asaj që ndodh, kur të rinjtë kthehen në makineri, për të cilët ka vetëm bukë dhe punë:

Punëtorë të Foxconn në një linjë prodhimi.

Punë me orar të zgjatur dhe pagesë minimale - realiteti në Foxconn shkatërroi ëndrrat e shumë të rinjve.

"Është vështirë të përfytyrohet që në një fabrikë të tillë jetojnë 400.000 njerëz në katër kilometra katrorë, pa rrjetin social të një qyteti. 90 për qind e këtyre punëtorëve jetojnë të ndarë nga familjet. Ata kanë ardhur me ëndërra në Shenzhen, por megjithë punën e mundishme çdo ditë, panë se vetëm me punën jashtë orarit fitonin pak më shumë se paga minimale prej rreth 100 eurosh. Edhe nëse punojnë çdo ditë më shumë se dhjetë orë dhe pushojnë vetëm tri ditë në muaj, nuk fitojnë më shumë se 240 euro. Në një qytet të shtrenjtë si Shenzheni kjo nuk mjafton as për nevojat bazë. Ky realitet mizor i shkatërroi menjëherë ëndrat e të rinjve."

Të gjitha viktimat e serisë së vetëvrasjeve janë mes 18 dhe 25 vjeç. Megjithëse në territorin e Foxconn-it u dërguan qindra policë, një tjetër punëtor kreu vetëvrasje. Liu Kaiming thotë:

"Më e rëndësishmja është që punëtorëve t'u jepet e drejta të themelojnë sindikata të pavarura dhe të negociojnë vetë. Këtu nuk bëhet më fjalë për ligj por për reforma politike. Përsa kohë punëtorët nuk kanë asnjë mundësi të organizohen, do të jenë gjithnjë të humburit."


Autor: Astrid Freyeisen / Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 29.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NclG
  • Data 29.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NclG