1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbja kremton Bajramin me shqiptarët

“Në këtë festë harrohen grindjet, pajtohen njerëzit, ndihmojnë njëri-tjetrin, si dhe solidarizohen me skamnorët, që ata të mos ndjehen të harruar nga fqinjët e tyre të kamur”-thotë serbja nga Decani.

default

Fëmijë duke mbledhur sheqerka për Bajram 17 nëntor 2010, në Deçan

Atmosferë festive, sofra të begata dhe fëmijë të gëzueshëm, që trokasin derë më derë të mbledhin sheqerka janë imazhet shumëngjyrëshe të festës së Kurban Bajramit në Kosovë, pas faljes së të cilit ka filluar prerja e kurbanëve në shenjë dashurie dhe nënshtrimi ndaj Zotit.

„E morëm kurbanin, e shtrimë, vumë dorën të shtatë vetat dhe me Emër të Allahut i ramë thikë. Derisa atij i doli shpirti, unë i fala dy rekate për hatër të Zotit e me shpresë se na pranon kurbanin” , rrëfen Hazir Kameraj nga Lëbusha, i cili ka shitur gjedhin e tij për shtatë kurbanë.

Jo gjithkund arrin të shtrihet dora e mëshirës

Kosovo Bayram

Burra muslimanë gjatë prerjes së kurbanit

Besimi islam mëson që mishi i kurbanit të ndahet në tri pjesë: një për familjen, një për të afërmin dhe një për skamnorin. Por jo përherë kjo dorë e mëshirës zgjatet atje, ku njerëzit kanë nevoje.

„Kam dalë për me lyp për Bajram se i kam gjashtë fëmijë. N´vend se me ju dhanë fëmijëve tesha e ushqim, mua më duhet me dalë me lyp. A është gjynah?! ", ankohet Elhame Zekaj, 36 vjec, ashkalijë nga Gjakova, e cila drejtohet kah xhamia të marrë një hise nga mishi i kurbanëve, që po shpërndahet për të varfërit.

Në një objekt matanë rrugës, që çon drejt Manastirit të Deçanit, banon serbja Vesna Spalevic. Megjithëse i përket besimit ortodoks, ajo e di mirë kuptimin e festës së Bajramit; mbi të gjitha, solidarizimin me të varfërin.

„Kjo është një festë fetare muslimane. Gjatë vitit janë Fiter Bajrami dhe Kurban Bajrami dhe këto janë festat më të rëndësishme të besimtarëve muslimanë. Këtu harrohen të gjitha grindjet dhe njerëzit pajtohen. Ndihmohen me njëri-tjetrin, si dhe solidarizohen me skamnorët, që as ata të mos ndjehen të harruar nga fqinjtë e tyre të kamur ”.

Kosovo Bayram

Serbja Vesna Ilic në festën e Kurban Bajramit

Edhe serbja përgëzon muslimanët në festën e tyre

Përderisa nëpër qarqet politike edhe me tej trumpetohet se nuk ka kushte për kthimin e serbëve dhe malazezëve në Kosovë, Vesna Ilic dëshmon për një realitet tjetër: atë të integrimit të plotë. Dhe shoqëria kosovoare pranon krahëhapur të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe me të kaluar të paster -thotë Nezir Balaj, zyrtar për Komuntiete dhe Kthim në Komunën e Decanit.

"Ndërsa Vesna është e integruar tërësisht në shoqëri. Ajo merr pjesë në festat tona, shkon në familjet shqiptare, të cilat e respektojnë. Ka dëshirë të shkojë e të shijojë traditën e festat tona. Shoqet e ftojnë, ndërsa kjo kthehet me përshtypjet më të mira duke rrëfyer në vazhdimësi për mikpritjen shqiptare.

Dhe kremtimi i përbashkët i Bajramit vazhdon që para luftës, kur si beogradase e martuar në Deçan, kam bashkëjetuar shumë mirë me shqiptarë, thotë Vesna, e cila kujton edhe vizitën e parë pas kthimit para tri vjetësh.

Për fëmijët muslimanë kam blerë bombone

Kosovo Bayram

Lypëse në rrugë në ditën e Kurban Bajramit

„Viziten e parë për Bajram pas kthimit e kam bërë tek shqitparët dhe boshnjakët e Prapaqanit. Këtu më së tepërmi më pëlqen atmosfera familjare dhe afrimi me njëri-tjetrin. Dhe kështu veproj për çdo Bajram, sepse kam rreth të gjërë shoqërie. Unë jam ortodokse dhe festat e mia janë Pashkët dhe Krishtlindjet. Por unë shkoj mysafire të shqiptarët, siç vijnë edhe ata në festat e mia “, thotë Vesna, e cila krahas tavolinës me pemë e ëmbëlsira,ka menduar edhe për fëmijët, të cilët sigurisht se do të trokasin edhe në portën e saj. „Po, ka shumë fëmijë, që vinë edhe tek unë për sheqerka. Ata shkojnë derë me derë dhe kur të trokasin në derën time, une kam bërë gati bombonet. Dhe kjo për mua është krejt normale .“

Festa e Kurban Bajramit është festa më e madhe e islamit, pas Fitër Bajramit, dy dispozitat më të rëndësishme të së cilës janë: prerja e Kurbanit, si dhe kryerja e Haxhit, njëra ndër të pesë shtyllat e islamit. Kurban Bajrami njihet ndryshe edhe si festë e sakrificës, mëshirës dhe shtrirjes së dorës së pajtimit.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 17.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QBPe
  • Data 17.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QBPe