1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbja e vetme në mesin e shqiptarëve

Javorka Nedeljkoviq është serbja e vetme në fshatin dikur të përzier Smaç, rreth 10 km larg Prizrenit. Disa fqinj shqiptarë e ndihmojnë atë sa munden dhe mendojnë se edhe serbët e tjerë duhet të kthehen në fshat.

default

Javorka Nedeljkovic, serbja e vetme në mes të shqiptarëve të një fshati në Kosovë

Smaçi është një fshat në rrafshin e Prizrenit, ku para luftës kanë jetuar së bashku shqiptarë dhe serbë. Tani 14 vjet më vonë, në këtë fshat jeton vetëm një serbe, në mesin e dhjetëra familjeve shqiptare me fe katolike. Javorka Nedeljkoviq ankohet për jetën e saj. "Çdo ditë e njëjtë: ulem në shtrat, shikoj televizor dhe hesht tërë ditën".

Spasa Andrejeviq është nëpunës në zyrën e komunës për kthim në Prizren. Ai thotë se rasti i Javorke Nedeljkoviqit "është më i rëndi kur bëhet fjalë për pjestarët e bashkësisë etnike serbe". "Zyra jonë për kthim po përpiqet ta ndihmojë sa është e mundur. Për disa vite me radhë ne i sigurojmë asaj miell dhe ngrohje. Ajo është në regjistrin e banorëve të fshatit Novak, ndaj gjithmonë i kemi dërguar ndihma", shpjegon ai.

Ndihma e shqiptarëve

Das albanische Dorf Smac im Kosovo

Fshati Smac afër Prizrenit në Kosovë

Shumica e fqinjëve shqiptarë e ndihmon rregullisht Javorkën. Ndër ta është edhe kryetari i zyrës së vendit Fran Dani. "Ajo është e mirëseardhur në çdo familje për të pirë kafe, për dreka... varësisht prej mundësive tona, gjithmonë e ndihmojmë dhe e presim mirë. Presim ditë më të mira dhe kthimin e fqinjëve të tjerë serbë, që kanë jetuar në këtë fshat para luftës. Për nevojat e tyre janë ndërtuar tetë shtëpi, por ato kanë mbetur të zbrazura për vite të tëra. Ndaj tyre nuk ka kurfarë presioni, ata nuk i kanë shitur pronat apo tokat. Me ta kemi pasur gjithmonë raporte të mira... pse nuk po kthehen - duhet t'i pysni ata", shpjegon Fran Dani.

Andrejeviq ka mendim pak më të ndryshëm dhe thotë se edhe Javorka ka disa probleme. "Pasuria e saj është uzurpuar në një farë mënyre prej fqinjëve dhe do të ishte mirë sikur t'i jepnin të paktën ushqime dhe mall... por ka dhe raste pozitive, sepse disa fqinj të tjerë i japin asaj ushqime të gatshme dhe e thërrasin për dreka apo darka në shtëpitë e tyre..."

Serbët nuk i kanë shitur pronat, por nuk duan të kthehen

Serbët që kanë jetuar këtu shumë rrallë vijnë për vizitë. Por për dallim prej shumë serbëve të tjerë nga Kosova, ata nuk i kanë shitur pronat. Banorët e fshatit, duke përfshirë edhe Javorkën, me nostalgji kujtojnë kohërat e jetës para luftës. Atëherë kanë qenë "të gjitha ndryshe". "Para luftës ka qenë një mijë herë më mirë se tani. Tani nuk është mirë asgjë", thotë Javorka.
Me fjalë të ngjashme flet edhe Dani. "Ne kemi jetuar mirë me serbët në këtë fshat para luftës dhe gjatë luftës. Pas luftës i kemi pasur problemet e njëjta: rrugët, uji, shkolla... nxënës tani ka gjithnjë e më pak. Ne do të dëshironim që të kthehen të gjitha familjet serbe që kanë jetuar këtu dhe të jetojmë si më parë", pohon Dani.

Javorka mendon se me kthimin e serbëve do të përmirësohej kualiteti i jetës së saj. "Le të kthehen...", sugjeron ajo.