1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intervistë me historianin Holm Sundhausen

Intervistën e zhvilloi Filip Slavkoviç24 Nëntor 2007

Për pavarësinë e Kosovës nuk flasin vetëm rrethanat aktuale të politikës reale, por edhe fakte historike. Kjo del në pah nga një intervistë ekskluzive e Deutsche Welle-s me historianin gjerman Holm Sundhausen.

https://p.dw.com/p/CSnT
Harta e sotme e SerbisëFotografi: picture-alliance/ dpa
Deutsche Welle: Tani po flitet për ndarjen e Kosovës nga Serbia. Parë në aspektin historik, mendoni se ishte një gabim nga ana bashkësisë ndërkombëtare, që ia kaloi Kosovën Serbisë? Holm Sundhausen: Kjo nuk ka qenë saktësisht kështu. Kosova u pushtua gjatë Luftrave Ballkanike të viteve 1912/13 dhe fuqitë e mëdha nuk ishin të përfaqësuara në konferencën e paqes në Bukuresht. Ndryshe nga Kongresi i Berlinit, ku përfaqësoheshin vetëm fuqitë e mëdha, në Bukuresht nuk ishte asnjëra prej fuqive të mëdha. Në thelb, njohja e Kosovës si pjesë e Serbisë është bërë vetëm në mënyrë të tërthortë, sepse u bë fillimisht njohja e Serbisë si shtet sovran, e më pas njohja e Jugosllavisë si shtet sovran. Pra, Kosova nuk është njohur asnjëherë në mënyrë eksplicite si pjesë e Serbisë. Deutsche Welle: Ju thoni "u pushtua" ndërsa në Serbi thuhet "u çlirua". A mendoni se kanë rëndësi fjalët, dhe si e shikoni ju interpretimin e historisë në Serbi? Holm Sundhausen: Unë mendoj se termat që përdoren janë shumë të rëndësishme. Fjalë të tilla si 'çlirim', 'shtypje' e 'tradhëti' janë fjalë shumë të ngarkuara. Duhet parë se çfarë qëndron mbas tyre në se ua heqim elementin emocional. Nuk janë vetëm serbët që flasin për çlirim, kjo fjalë përdoret nga shumë historianë kombëtarë. Për shembull, thuhet që Gjermania u çlirua në vitin 1945. Në shumë raste përdorimi i fjalës 'çlirim' është në rregull. Por në se e trajtojmë më saktë, një vend ose një territor nuk mund të jetë i lirë ose jo i lirë. Të lirë ose jo të lirë janë njerëzit që jetojnë aty. Dhe shtrohet pyetja se kush jeton aty dhe çfarë nënkuptojnë njerëzit me liri, liri për veten e tyre. Detyra e historianëve është që ta shqyrtojë më me hollësi dhe në ndonjë rast edhe ta çndërtojë historinë e së kaluarës. Në Serbi ka një sërë historianësh të rinj që po merren me këtë çështje, por ka edhe një shtresë të tërë historianësh që mendojnë në shinat tradicionale dhe që kanë vështirësi të çlirohen nga këto terma. Çfarë duhet të ndodhë me Kosovën tani, sipas jush? Unë mendoj, se Luftërat Ballkanike kanë sjellë një kthesë në historinë e re të Serbisë. Deri në luftërat ballkanike kishim Mbretërinë e Serbisë që ishte një shtet relativisht homogjen në aspektin kombëtar dhe kjo ndryshoi tërësisht mbas Luftërave Ballkanike. Dhe asokohe politikanët serbë ngritën një hipotekë, prej të cilës nuk janë shkëputur deri në ditët e sotme. Kështu, që tani nuk duhet folur vetëm se a u çlirua Kosova në vitet 1912/13, por çka është më rëndësishme për të ardhmen, është pyetja se kur do të çlirohet Serbia nga Kosova. Sigurisht që është një proces i vështirë, sepse me Kosovën janë të lidhura shumë mite. Edhe në shoqëri të tjera ka raste të ngajshme, si për shembull në historinë e Gjermanisë. Të kujtojmë se çfarë vlere ka pasur dikur Alzasi, që sot është pjesë e Francës, ose të ashtuquajturat "zona lindore gjermane" - janë dashur dekada të tëra që pjesë të shoqërisë gjermane të çliroheshin nga përfytyrimet që kishin për to në të kaluarën. Por ky është parakusht për të fituar hapësira të reja veprimi dhe për të patur një qasje tjetër ndaj të tashmes dhe të ardhmes. Unë shpresoj, që Serbia dikur do të çlirohet me të vërtetë nga Kosova.

Eksperti i Ballkanit në Institutin e Evropës Lindore pranë Universitetit të Lirë të Berlinit ka nxjerrë së fundi një libër me titullin "Historia e Serbisë në shekullin e 19. dhe 20."