1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia shtrëngon rripin kundër falimentimit

Qeveria serbe ka propozuar një pako masash shtrënguese të cilat tashmë janë vlerësuar si restriktive. Gjashtë pikat kyçe të paketës së re të masave të qeverisë janë kryesisht kursime në sektorin publik.

default

Beograd

Pakoja e masave të qeverisë së Serbisë parasheh një ulje prej 20 për qind të pagave në sektorin publik që janë më të larta se 60.000 dinarë, rritjen e TVSH-së për produktet jo të domosdoshme nga tetë në dhjetë për qind, ristrukturimin e ndërmarrjeve publike dhe uljen e subvencioneve, kursime në fushën e mallrave dhe shërbimeve, marrjen e kredive më të lira dhe përmirësimin e klimës për biznes. Kryeministri Ivica Daçiq, pas prezantimit të masave të reja, tha se ky hap ishte i nevojshëm në mënyrë që Serbia të mos pësoj fatin e Argjentinës dhe Greqisë. Ndërsa ministri i Financave, Lazar Krstiq tha se këto masa janë të domosdoshme në mënyrë që Serbia të mos falimentojë në dy vitet e ardhshme. Qeveria vlerëson se këto kursime mund të kapin shumën e rreth 500 milionë eurove, por ekspertët paralajmërojnë se ka ende një hendek në mes të dëshirave të projektuara dhe rezultateve praktike.

Biznesmenët shprehen të kënaqur në reagimet e tyre të para me masat e qeverisë ndërkohë që opozita i kritikon ato. Lideri i Partisë Demokratike (DS), Dragan Gjilas, thekson se "masat e qeverisë tregojnë se ajo nuk ka as njerëz as plan për të kapërcyer krizën". Ndërsa kreu i Partisë Liberale Demokratike (LDP), Çedomir Jovanoviq beson se "masat e qeverisë janë shprehje e pafuqisë dhe papërgjegjshmërisë". Ministrja e Energjisë dhe anëtarja e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) Zorana Mihajloviq tha se "Partia Demokratike (DS) e ka shkatërruar ekonominë serbe dhe Dragan Gjilasi është turp për Serbinë, kur thotë diçka të tillë".

Pa përgjigje në çështjet kyçe

Ekonomisti Sasha Stefanoviq vlerëson për DW-në se, në përgjithësi bëhet fjalë për masa të detyrueshme. Kryesisht këto janë masa të cilat janë populiste dhe jo-selektive dhe pjesërisht kanë qenë të pashmangshme për t'i shpëtuar kolapsit ekonomik të vendit. Tani është e domosdoshme që pas këtyre masave të vazhdohet me reformat strukturore, sepse çështja kryesore mbetet se si të krijohen vende pune në Serbi.

"Kjo çështje nuk zgjidhet me këto masa dhe ata nuk kanë ofruar përgjigje për këtë çështje. Tani bëhet fjalë vetëm për rishpërndarjen e vlerave aktuale dhe ruajtjen e stabilitetit financiar dhe jo për krijimin e vendeve të reja të punës. Me siguri që autoritetet duan të merren edhe me këtë çështje sepse është në interes të çdo strukture politike që njerëzit të jetojnë më mirë. Megjithatë, kjo është pika e gjashtë e kësaj pakoje masash, dhe ajo është dhënë në formë shumë të përgjithësuar si përmirësim i mjedisit të biznesit. Sepse, nëse nuk do të ketë rritje të aktivitetit ekonomik atëherë edhe këto masa të propozuara do të bien në ujë", tha Stefanoviq.

Ivica Petroviq / Esat Ahmeti