1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia sheh politikë te telefonia

27 Prill 2010

Autoritetet e Beogradit kanë kundërshtuar dhe e kanë denuar vendimin e Prishtinës zyrtare për nxjerrjen jashtë funksionit të 26 stacioneve të telefonisë mobile serbe në Kosovë. Fjala është për një çështje teknike.

https://p.dw.com/p/N7tE

Analisti Dushan Janjiç është i mendimit se qeveria e Kosovës po përpiqet që të shfrytëzojë periudhën e presioneve ndërkombëtare ndaj Serbisë, me qëllim që Beogradi të bashkëpunojë në zgjidhjen e çështjeve kontestuese. Por në Beograd po spekulohet edhe me mundësinë që nxjerrja jashtë funksionit e stacioneve të telefonisë mobile të Serbisë paraqet presion për shpërnguljen e serbëve nga Kosova. Kjo ka rihapur në Beograd debatet për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Në këtë kontekst citohet edhe deklarata e kohëve të fundit e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç i cili tha se "Serbia është e gatshme për kompromis, por nuk është e mundur që shqiptarët t'i fitojnë të gjitha, ndërsa serbët t'i humbin të gjitha".

Politika e Tadiçit për Kosovën - e paqartë

Dushan Janjiçi pohon se pala serbe kaherë po lobon për ndarjen e Kosovës, por politika e presidentit Tadiç ndaj Kosovës kohët e fundit është e paqartë.

"Në njërën anë kemi pohimet për ndarjen, në anën tjetër kemi dëgjuar edhe mendimet se cëshja e Ksovoës duhet të zgjidhet sipas modelit të Qipros dhe së fundi ai pohon se mbetet konseguent në qëndrimet e tij, që në fakt askush nuk e di se cfarë do të thotë. Unë me të vërtetë e di që diplomacia serbe po angazhohet për mundësinë e ndarjes, por gjithnjë e më shumë sinjale dëshmojnë se Tadiçi po bën lëshime ndaj kërkesave ndërkombëtare që të ndahen çështja e Bashkimit Evropian dhe Kosovës dhe që Kosovës t'i mundësohet futja në OKB si shtet i panjohur. Mendoj se ai ngadalë po i afrohet këtyre pozicioneve, por nuk do të donte që këto qëndrime t'i bëjë publike para mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Prandaj kemi këto deklarata të ndryshme, të ftohta dhe të nxehta", pohon Janjiç.

Në anën tjetër, koordinatori i Grupit për Kosovën, Nenad Vasiç është i mendimit se Kosova dhe Serbia edhe më tej mbeten në qëndrimet e tyre maksimaliste, për shkak se po presin sugjerimet e GJND-së. Sa i përket ideve për ndarjen e Kosovës, Vasiçi paralajmëron se kundër tyre janë edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Ndarja e Kosovës nuk mbështetet

"Rreziqet ekzistojnë edhe nga njëra dhe pala tjetër. Pala shqiptare kurrë nuk do ta pranonte ndarjen teritoriale dhe dorëzimin vullnetar të veriut të Kosovës, në qoftë se nuk do të kishin ndonjë lloj kompensimi me marrjen e jugut të Serbisë. Fjala është për marrjen e tri komunave të jugut: Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me fshatrat e tyre, që do të ishte si një lloj shkëmbimi territoresh."

Vasiç pohon se kjo çështje po mbetet e hapur për shkak të pritjeve nga mendimi këshilldhënës i GJND-së. Sipas tij, në veri të Kosovës edhe tani kemi një lloj ndarje, që edhe më shumë forcon idetë e atyre që angazhohen për ndarjen definitive territoriale. Pritet që kjo ide të forcohet edhe më shumë, në qoftë se vlerësohet se mendimi këshilldhënësi i GJND-së është më shumë në favor të Beogradit, pohon Vasiç.

Autor: Ivica Petrovic/Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi