1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia publikon emrat e të rënëve në luftëra

Në Beograd, u prezantua një listë me emrat e qytetarëve të Serbisë dhe Malit të Zi, të cilët janë zhdukur ose janë vrarë në konfliktet e armatosura në Bosnje-Hercegovinë, Slloveni dhe Kroaci.

default

Prezantohet në Beograd lista e të rënëve

Me publikimin e listës për herë të parë praktikisht pranohet përfshirja e Serbisë në luftëra. Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare gjatë konflikteve të armatosura në Slloveni, Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë që nga viti 1991 deri në vitin 1995 janë vrarë dhe zhdukur 2028 qytetarë të Serbisë, nga të cilët 385 janë evidentuar të humbur. Shumica e viktimave ishin anëtarë të Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), gjithsej 1039 vetë, në mesin e tyre 180 ishin ushtarë duke kryer shërbimin e rregullt ushtarak. Mbi 73 për qind e të vrarëve ishin në moshën 19 deri 55 vjeç, dhe qytetari më i ri që ka humbur jetën ka qenë Darko Pavloviq nga Beogradi, i cili ishte vetëm 17 vjeç kur është vrarë si vullnetar në luftime në Vogoshq të Bosnjë-Hercegovinës.

Lista do të plotësohet rregullisht

Këto janë shifrat e para zyrtare të qytetarëve të Serbisë dhe Malit të Zi të rënë në luftërat e fundit në ish-Jugosllavi. Udhëheqësi i projektit Nenad Dimitrijeviq nga Fondi për të Drejtën Humanitare i tha DW-së se këto të dhëna do të plotësohen sa herë që të ketë nevojë për këtë: "Fondi për të Drejtën Humanitare ka filluar në janar të vitit 2009 me përpilimin e një liste me emrat e viktimave njerëzore, shtetas të Serbisë dhe Malit të Zi, të cilët u vranë gjatë konfliktit të armatosur dhe si pasojë e konflikteve të armatosura në territorin e Sllovenisë, Bosnjës dhe Kroacisë. Ky projekt është i rëndësishëm sepse në mënyrë objektive dhe në bazë të burimeve të sakta ne dokumentojmë të gjithë të vrarët dhe i lëmë brezave të ardhshëm të arrijnë vetë në përfundim për ngjarjet dhe konfliktet e armatosura në hapësirat e ish-Jugosllavisë në vitet '90-të. Ne kemi filluar me përpilimin e kësaj liste sapo janë krijuar kushtet për një gjë të tillë. Shteti ka rezultate paraprake, por shtrohet pyetja pse nuk është bërë asnjëherë zyrtarisht e ditur. Kjo duhet t'i shtrohet Komisionit për personat e zhdukur dhe Ministrisë së Mbrojtjes“, theksoi Dimitrijeviq.

Flash-Galerie Vermisste Personen aus Ex Jugoslawien

Familjarët ende kërkojnë të afërmit e tyre

Punë për brezat e ardhshëm

Lista përfshin njerëz, të cilët kanë lindur dhe jetuar në Serbi, serbë të lindur në Serbi, por që kanë jetuar në Kroaci apo Bosnjë-Hercegovinë, persona të lindur në Kroaci apo Bosnjë- Hercegovinë, por që kanë jetuar në Serbi si dhe të persona të lindur në Serbi, që nuk iu dihet vendbanimi. Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, në Bosnjë-Hercegovinë janë vrarë 832 qytetarë të Serbisë, në Kroaci 850 dhe në Slloveni 23 ndërkohë që 323 të tjerë nuk mund të thuhet saktë se ku e kanë humbur jetën. Më së shumti të vdekur ka nga Beogradi gjithsej 537 dhe nga Novi Sadi. 61.35 për qind e personave të vrarë janë nga Vojvodina ndërsa 47 për qind nga Serbia qendrore. Sipas Natasha Kandiqit nga Fondi për të Drejtën Humanitare, kjo ishte një punë për brezat e ardhshëm, me të cilën është dashur të merret shteti, por për shkak se shteti nuk e ka bërë një gjë të tillë atëherë puna është bërë nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

“Po kjo është punë e shtetit, shteti ua ka borxh këtë familjeve, shoqërisë dhe brezave të ardhshëm, por në këtë rast shteti nuk e ka bërë këtë. Ky është një dokument i rëndësishëm për shoqërinë për shkak se të zhdukurit nuk gjenden më vetëm në kujtesën e të dashurve të tyre, por emrat e tyre do të publikohen. Kjo është ndërprerje e një praktike në këto hapësira që vazhdon nga Lufta e Parë Botërore, që njerëzit të vuajnë, të vdesin në luftëra të thirrur nga shteti dhe në emër të shtetit dhe në fund të mbeten vetëm shifra. Ajo çka ne duam është që ky dokument, në fund të marrë vulën e shtetit dhe kjo do të bëhet përmes organizatës REKOM.

Natasa Kandic Menschenrechtsaktivistin Serbien

Natasa Kandiq, aktiviste serbe e të drejtave të njeriut

Ne duam që çdo shtet të dijë humbjet e tij, por ne kërkojmë që institucionet, përfshirë këtu edhe Ministrinë e Mbrojtjes, të jenë të përgjegjshme, të ndihmojnë në këtë drejtim dhe të tregojnë se sa e rëndësishme është kjo për shtetin dhe sa duan të ndihmojnë që kjo të mbetet në kujtesën e nxënësve dhe të bëhet pjesë e programit mësimor", tha Natasha Kandiq.

Ministria ka premtuar ndihmë - verifikimi i së vërtetës i vështirë

Projekti u prezantua të mërkurën në Beograd, në një sallë të mbushur plot me familjarë të të zhdukurve dhe të vrarëve në luftë. Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes Igor Joviçiq tha se ministria do të vazhdojë të japë ndihmën dhe mbështetjen e saj për sigurimin e të dhënave mbi personat e vrarë në luftërat në ish-Jugosllavi. "Ministria e Mbrojtjes në çdo rast e ka mbështetur projektin e Fondit për të Drejtën Humanitare. Ne jemi takuar me Fondin për të Drejtën Humanitare ashtu siç kemi bërë edhe me OJQ të tjera me të cilat ne bashkëpunojmë ", tha Joviçiq.

Megjithatë, është shumë e vështirë të arrihet deri tek e vërteta. Serbia sot ka këtë listë me emrat e të vrarëve dhe të zhdukurve falë punës së organizatave joqeveritare dhe jo institucioeneve shtetërore dhe atë 20 vjet pas filimit të luftës. Nëse merret parasysh se numri më i madh i tyre ka humbur jetën gjatë vjeshtës së vitit 1991 dhe pranverës së vitit 1992 pra në kohën e rënies së Vukovarit dhe fillimit të luftës në Bosnjë, i bie që janë dashur pikërisht 20 vjet që familjet e të zhdukurve dhe të vrarëve, dhe qytetarët e Serbisë, të presin të kenë në dorë këtë regjistër.

NO FLASH Serbien Kriegsverbrechen Vukovar Prozess

Në pamje një grup ushtarësh të ushtrisë jugosllave kapin rob një civil kroat më18 nëntor 1991. Procesi i Vukovarit, mbi krimet e gjashtë serbëve kundër 192 kroatëve u bë në 2004 në Beograd.

Vazhdon kërkimi i fëmijëve

Millan Noviqi nga Kragujevci është ende duke kërkuar djalin, i cili siç i ka thënë atij APJ e atëhershme është vrarë në vitin 1992 në Bosnjë-Hercegovinë: "Djali im u vra në vitin 1992 në fshatin Rujan në Komunën Livno të Bosnjë-Hercegovinës. Pas vdekjes së tij as ushtria e rregullut e APJ-së nuk ka qenë në gjendje të shkojë në vendin e ngjarjes dhe të sigurojë fakte. Shumë pak di se çfarë ka ndodhur, ka 20 vjet që vij rregullisht në Ministrinë e Mbrojtjes dhe asgjë. Shteti, si shteti ynë, atij nuk i intereson absolutisht asgjë…Pothuajse të gjithë ishin fëmijë, shumë pak prej tyre kishin mbushur 20. Djali ime ende nuk i kishte mbushur 20 vjeç, unë e kërkoj ende për aq kohë sa do të jem në gjendje ta kërkoj.“

Në mesin e të dhënave të paraqitura nga Fondi për të Drejtën Humanitare, nga numri i përgjithshëm i të vrarëve civilë ishin 58 vetë, ndërsa grupi më i madh i civilëve është vrarë me 22 tetor 1992. Atëherë pjesëtarë të armatosur të forcave serbe të Bosnjës, të cilët e quanin veten "Hakmarrësit“, nën komandën e të dënuarit për krime lufte Milan Lukiç, në vendin e quajtur Mioce vranë 14 civilë, udhëtar në autobusin e linjës Sjeverin - Priboj. Në fillim ata ishin keqtrajtuar në motelin famëkeq „Vilina Vlas“ "në Vishegrad, për tu pushkatur më vonë në brigjet e lumit Drina. Trupat e tyre nuk janë gjetur ende.

Autor: Žarka Radoja/Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi