1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia pret datën, Gjermania zbatimin e marrëveshjes

Vizita e ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Beograd është inkurajim për Serbinë që të vazhdojë rrugën e integrimit evropian, tha pas takimit me ministrin gjerman, kryeministrit serb Ivica Daçiq.

"Unë këtë vizitë e kuptoj dhe e vlerësoj si inkurajim dhe si një lloj mbështetje për atë që qeveria serbe ka bërë në muajt e fundit duke marrë disa vendime që nuk ishin të lehta, por që ishin me interes të lartë shtetëror dhe kombëtar për tërë shtetin dhe mbarë popullin serb", tha Daçiq pas takimit me shefin e diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle në Beograd.

BE-ja është me rëndësie jetike

Në foto, kryeministri serb Ivica Daçiq

Në foto, kryeministri serb Ivica Daçiq

Kryeministri Daçiq theksoi se për Serbinë është me rëndësi jetike marrja e datës për fillimin e negociatave për pranim me BE-në, pasi që Serbia është në disavantazh historik dhe shtyrja e vendimit mund të ketë pasoja katastrofike për Serbinë. Në këtë kontekst, Daçiq tha se për marrjen e këtij vendimi është shumë i rëndësishëm zbatimi i marrëveshjes së arritur me Prishtinën:

"Prandaj, unë pres që për këtë të jetë e vetëdijshme edhe Prishtina. Unë pres që edhe BE, përkatësisht Catherine Ashton të angazhohet maksimalisht që plani i zbatimit të pranohet nga të dyja palët, pa imponimin e ndonjë çështjeje të re që nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes", tha kryeministri serb Ivica Daçiq.

Ai shtoi se edhe Serbia dhe Gjermania kanë marrëdhënie paradoksale. Nga njëra anë, Gjermania është partneri ynë më i madh i jashtëm tregtar dhe donatori më i madh ndërsa nga ana tjetër në vitet e fundit në marrëdhëniet politike ne kemi pasur pengesa të ndryshme në lidhjet tona, tha Daçiq. Por ne nga Gjermania sigurisht që presim datën për fillimin e negociatave, nënvizoi kryeministri serb.

Marrëveshje historike

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle theksoi gjithashtu se vizita e tij është një gjest inkurajimi i Serbisë. Serbia mund të sjellë shumë të mira për Evropën, ashtu si Evropa mund të jetë e mirë për Serbinë, tha Westerwelle:

"Marrëveshja e 19 Prillit me plotë të drejtë mund të quhet një marrëveshje historike dhe tani fjala është për miratimin e planit për zbatimin e saj dhe të jenë të dukshme hapat e para konkrete të zbatimit të këtij plani dhe marrëveshjes."

Priten rezultatet e zbatimit të marrëveshjes

I pyetur se çfarë i është ofruar në thelb qeverisë serbe në mënyrë që të lehtësohet miratimi i një vendimi të tillë, ministri Westerwelle tha se perspektiva evropiane është e rëndësishme për gjeneratën e re në Serbi sepse kjo nënkupton investime të reja dhe krijimin e vendeve të punës. Westerwelle shtoi se rastet historike nuk ofrohen çdo ditë dhe për këtë arsye ato duhet të shfrytëzohen:

Në foto, ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle

Në foto, ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle

"Sigurisht që ne nuk mund të paragjykojmë vendimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve evropiane, apo vendimin e Bundestagut. Por nëse këtu mirren vendime të drejta dhe nëse rezultatet e zbatimit të planit do të jenë të prekshme dhe të dukshme atëherë ato do të jenë sinjale pozitive për parlamentin tonë."

Kryeministri Daçiq tha se marrëveshja për planin e zbatimit është e lidhur me disa afate të caktuara kohore, por disa gjëra nuk mund të përfundojnë shpejtë para marrjes së një vendimi në lidhje me datën:

"Është e nevojshme të biem dakord dhe të miratojmë një plan zbatimi, dhe ajo çfarë parashihet në planin e zbatimit të bëhet në javët e para deri në marrjen e një vendimi në Këshillin e BE-së dhe kjo të realizohet në të vërtetë dhe të jetë e dukshme në terren. Kjo është esenca", tha kryeministri Daçiq.