1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia para vendimeve të rënda

Serbia gjendet para vendimeve të rënda, ku bëhet fjalë për Kosovën, mendon drejtori i Drejtorisë për Zgjerimin e BE-së, Pierre Mirel. Por ai shton se ky është një shans historik për Serbinë dhe BE-në.

Takimi dyditor i delegacioneve parlamentare të Bashkimit Evropian dhe Serbisë, i cili ka nisur ditën e hënë (18.03.) në Bruksel, është një shans i mirë për shkëmbimin e mendimeve lidhur me pozitën e Serbisë dhe rrugën e saj drejt integrimit në BE. "Takimi është me rëndësi, sepse këtu ka shumë njerëz që e kuptojnë mirë situatën e Serbisë dhe duan të shohin përparime në vendin tonë", pohon Milica Deleviq, udhëheqëse e delegacionit serb, i cili në Parlamentin Evropian po bisedon për reformat në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformat në ekonomi, raportet mes vendeve të rajonit dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Deleviq shpreson se gjatë këtij viti do të fillojnë negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Kjo do të nxiste edhe procesin e reformave në këtë vend, si prioritetin kryesor të Beogradit, pohon raportuesi kryesor i PE për Serbinë, Jelko Kacin. Ai pret përparime në radhë të parë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Raundi i shtatë i bisedimeve mes dy kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq do të zhvillohet më 20 mars.

„Ne shpresojmë se do të arrihen përparime dhe se në këtë mënyrë do t'i jepet një nxitje tërë rajonit në procesin e integrimeve në BE. Mendoj se kjo që po bëjmë ne këtu, si dhe vizita e komisionerit për Zgjerimin e BE, Stefan Füle në Beograd dhe Prishtinë, si dhe vizita e parlamentarëve gjermanë në Beograd, janë angazhime të përbashkëta për nxitjen e palës serbe dhe asaj kosovare që të bëjnë përparime drejt një të ardhmeje më të mirë, shton Kacin.

Kosova - vendimi i dytë i rëndë për Serbinë

Autoritetet serbe ndër të cilët është edhe ministri për Administratën Publike, Nikola Selakoviq si dhe drejtori i Zyrës për Anëtarësim në BE, Millan Pajeviq kanë paraqitur aktivitetet e tyre në zbatimin e reformave të kërkuara nga Komisioni Evropian. Pierre Mirel pohon se "Komisioni Evropian është i impresionuar me vendosmërinë e qeverisë serbe që të përparojë në reforma". Mirel punon në sektorin e raporteve me Serbinë në gjashtë vitet e fundit dhe mendon se Komisioni është duke bërë më të mirën e mundshme për ta ndihmuar Beogradin në rrugën evropiane.

Duke folur për vështirësitë dhe të kaluarën, ai shprehet: "Asnjë vend nuk e ka pasur të lehtë që të përballet me të kaluarën e vet. Serbia ka bërë hapa të rëndësishme në bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës dhe vendosjen e themeleve për pajtim në rajon. Serbia tani po përballet me kushtin e dytë të rëndë - çështjen e Kosovës.Ne jemi të impresionuar me vendosmërinë e qeverisë në Beograd për dialog dhe presim një zgjidhje pozitive. Ky është një shans historik, jo vetëm për Serbinë por edhe për tërë BE-në, që të dëshmohet se çështjet e tilla mund të zgjidhen me negociata dhe me kompromis", pohon ai.

Autor: Marina Maksimovic/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi