1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia përgjegjëse për krimet në Dubravë

Intervistë me Natasha Kandiq

Natasa Kandic,drejtoreshë e Fondit për Të Drejtën Humanitare

Natasa Kandiq,drejtoreshë e Fondit për Të Drejtën Humanitare

Në Spanjë këto ditë është arrestuar një grup kriminelësh nga Serbia, mes të cilët gjendet edhe personi me emrin Sinisha Petriq, i njohur me nofkën Zenica. Në mediat serbe thuhet se Zenica - i cili në Serbi ka qenë dënuar në vitet 1990 me vdekje për shkak të vrasjes së një familje (ndër ta edhe një fëmije 10 - vjeçar), në prill të vitit 1999 është transferuar në burgun e Dubravës, ku ka vrarë dhe ekzekutuar me njësinë e tij 95 të burgosur shqiptarë.

Deutsche Welle: Zonja Kandiq, Ju keni bërë hulumtime të shumta për krimet në Kosovë dhe në veçanti në burgun e Dubravës. Çfarë ka ndodhur me të vërtetë në Dubravë dhe a është ky përgjegjësi kryesor për krimet e bëra në këtë burg?

Natasha Kandiq: Unë për herë të parë këto ditë kam dëgjuar për emrin Sinisha Petriq - Zenica. Ai është një prej të dënuarve, të cilët janë dërguar nga burgjet e Serbisë në burgun e Dubravës në Kosovë në fillim të prillit të vitit 1999. Por në Dubravë ai nuk ka pasur statusin e të burgosurit. Ai ka qenë atje i armatosur dhe me uniformë të forcave serbe. Domethënë një person të cilit i është falur liria, me kusht që të kryejë detyra të cilat i janë dhënë nga drejtoria e burgut në Dubravë. Pohimet se ai ka vrarë 95 persona janë plotësisht jologjike, sepse nuk është e mundur që një person të ketë vrarë kaq shumë të burgosur pa e ditur askush nga autoritetet. E dyta, ne me vite të tëra kemi mbledhur informacione për ngjarjet në Dubravë. Në maj të vitit 2010, pas hulumtimeve shumë të detajuara, ne kemi përpiluar dhe kemi dorëzuar në Gjykatën për krime lufte në Serbi një padi penale për krime lufte.
Në asnjë burg nuk mund të ndodhë asgjë - pra as futja në burg e ndonjë grupi të të burgosurve nga një burg tjetër apo trasferimi i të burgosurve nga Serbia në Dubravë - pa lejen dhe vendimin e Ministrisë së Drejtësisë. Ndaj në vend të parë në padinë tonë për krime lufte, gjendet ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Dragoljub Jankoviq. Në bazë të përgjegjësisë, ai është përsoni që ka marrë vendimin që të gjithë të burgosurit shqiptar në fillim të prillit të transferohen nga burgjet e Serbisë në Dubravë. Ne kemi ngritur padinë edhe kundër zëvendësministrit të Drejtësisë Zoran Stevanoviq, i cili ka qenë përgjegjës për burgjet në Serbi. Pa dijen e tij nuk ka mundur të bëhet transferimi i të burgosurve dhe futja në burgun e Dubravës me 23 maj 1999, e Njësisë për Operacione Speciale (JSO). Kjo nuk ka mundur të ndodhë pa lejen e Ministrisë së Drejtësisë. Më në fund ne kemi paditur për krime lufte edhe Bora Vllahoviqin, shefin e policisë në Pejë.
Sipas të dhënave të të mbijetuarve, pas masakrës në Dubravë me 22 maj, në burg është futur Njësia për Operacione Speciale dhe ka hedhur bomba në kanalizim dhe në kuzhinë. Qëllimi ishte që të vriten të gjithë ata që e kanë mbijetuar masakrën. Pas kësaj masakre, në burgun e Dubravës janë futur përfaqësuesit e shërbimit të sigurimit të shtetit dhe policët e stacionuar në Pejë, dhe kanë organizuar transferimin në burgun e Lipjanit e të burgosurve që kanë mbijetuar.

DW: Domethënë, këto krime sipas mendimit tuaj, janë kryer me njohurinë dhe urdhërin e organeve të shtetit?

Kandiq: Së pari, nuk janë të vërteta pohimet se të burgosurit shqiptarë në Dubravë kanë qenë viktimë e bombardimeve të NATO-s. E vërtetë është që NATO ka bombarduar Dubravën me 19 maj dhe se me këtë rast kanë vdekur tre të burgosur. Është e vërtetë po ashtu që NATO ka bombarduar edhe me 21 maj dhe se me këtë rast janë vrarë 23 të burgosur. Por më shumë se 80 të burgosur shqiptarë janë vrarë nga dora e rojeve dhe pjesëtarëve të JSO. Në hulumtimet tona kemi konstatuar se lejen për futjen e JSO në Dubravë e ka dhënë Ministria e Drejtësisë e Republikës së Serbisë. Pra, nuk ëshë fjala për një incident i kryer nga një individ apo kriminel, siç duan ta paraqesin disa vetë. Fjala është për një plan të menduar dhe të organizuar shumë mirë. Të burgosurit shqiptarë - ndër të cilët ka qenë edhe Ukshin Hoti - janë transferuar me autobusë në fillim të prillit nga burgjet e Serbisë në Dubravë. Atje më vonë është sjellë edhe grupi i njohur i Gjakovës, prej 140 të burgosurve. E gjitha kjo bëhet me vendimin e drejtorive të burgjeve dhe me vendimet e institucioneve, siç është ministria e Drejtësisë.

DW: A dihet saktësisht se ku janë varrosur trupat e personave të vrarë dhe çfarë ka ndodhur me pas?

Kandiq: Sipas informacioneve tona, të vrarët janë transportuar në fshatin Rakosh. Pas luftës janë gjetur dhe janë nxjerrë trupat e tyre. Shpjegimi i autoriteteve serbe ishte se ata janë persona të vrarë gjatë bombardimeve të NATO-s.

DW: Zonja Kandiq, Fondi për Të Drejtën Humanistare ka publikuar kohët e fundit edhe një raport, ku thuhet se në krimet e bëra në Kosovë ka qenë i përzier edhe shefi i tanishëm i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Serbe, Ljubisha Dikoviq. Për cilat krime bëhet fjalë dhe në cilin vend janë bërë krimet ku ka qenë i përzier edhe gjenerali Dikoviq?

Kandiq: Nga përvoja e dimë që shumë padi penale përfundojnë në sirtaret e Gjykatës për krime lufte në Serbi dhe nuk dihet se a do të ngrihet dhe kur do të ngrihet ndonjë aktakuzë. Për të sensibilizuar opinionin dhe me qëllim që krimet të mos harrohen, ne kemi vendosur të dalim edhe me raporte dhe dosje. Tani kemi botuar një dosje për shefin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë Serbe. Në bazë të dokumenteve që posedojmë, shihet se gjatë prillit dhe në maj në Kosovë, në operacioniet "Drenicë", "Kamenica" etj., janë bërë krime masive dhe shumë të rënda. Të dhënat nga dokumentet ushtarake në Hagë dhe dëshmitarët që kanë mbijetuar dëshmojnë se atje kanë qenë njësitë ushtarake, respektivisht brigada 37, të cilën ka kryesuar Dikoviq. Ne kemi bërë publike këto të dhëna dhe i kemi bërë thirrje presidentit Tadiq që të tërheqë vendimin për emërimin e Dikoviqit në krye të Ushtrisë Serbe. Ju lutem, të dhënat tona nuk janë kurrfarë konstruktesh apo shpifje. Fjala është për dokumente ushtarake të cilat shteti i Serbisë ia ka dorëzuar Tribunalit të Hagës. Ky Tribunal është i mendimit se të gjitha dokumentet që janë përdorë në gjykime duhet të bëhen publike, sepse i ndihmojnë vendet që të përballen me të kaluarën. Këto dokumente me siguri që nuk do t'i kishim marrë kurrë prej shtetit tonë. Por i kemi siguruar pasi që janë liruar nga Tribunali i Hagës. Ne kërkojmë nga organet e shtetit që të mos bëjnë asnjë gjest që pamundëson përballjen me të kaluarën apo që ndihmon personat me një të kaluar të papastër.

DW: Por presidenti Tadiq dhe ministri i Mbrojtjes Dragan Shutanovac, jo vetëm që nuk kanë tërhequr emërimin e Dikoviqit, por Ju kanë akuzuar edhe si "gënjeshtare"...

Kandiq: Unë me të vërtetë nuk kam pritur këtë situatë! Nuk kam pritur që pushteti i ri të shfrytëzojë kuadrot e kohës së Millosheviqit dhe të përdorë një gjuhë pa dinjitet dhe plot diskreditime. Fondi për Të Drejtën Humanitare dhe Natasha Kandiq nuk mund të diskreditohen në këtë mënyrë, duke pohuar se po flasin të pavërteta. Në 20 vitet e kaluara kurrë askush nuk ka kontestuar të dhënat tona, sepse gjithmonë kanë qenë të bazuara mbi prova. Ne edhe këtë raport e bazojmë mbi prova dhe dokumente të shkruara nga gjeneralë dhe kolonelë të Ushtrisë. Por tani po mbrohet Dikoviqi, një oficer i kohës së Millosheviqit. Në shpjegim për zgjedhjen e tij thuhet se ka përvojë nga lufta... do të ishte ndryshe sikur ai të kishte ndonjë përvojë nga misioni në Afganistan apo Irak, ku synohet ndërprerja e dhunës. Por oficeri që ka luftuar kundër civilëve në Kosovë nuk mund të drejtojë një ushtri dhe të përfaqësojë një ushtri të reformuar. Unë jam e bindur që pas botimit të këtij raporti do të shtohet edhe presioni ndaj presidentit Tadiq dhe ministrit Shutanovac dhe se Dikoviq nuk do të mund të mbetet në këtë post.

Intervistën e zhvilloi Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama