1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia nuk mund të jetë ende kandidate - pasqyra e shtypit për rajonin.

Shtypi gjerman e austriak i kushton vëmendje zhvillimeve në rajon. Varrimi i Leka Zogut, zgjedhjet në Kroaci dhe Slloveni, por edhe aspiratat e Serbisë për statusin kandidat në BE janë temat kryesore.

default

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" i kushton vëmëndje reagimeve kundërthënëse lidhur me kompromisin për arritjen e një marrëveshjeje për kufirin.

"Udhëheqja serbe në Beograd shpreson që pas ujdisë në letër me Kosovën për kontrolle të përbashkëta kufitare, Serbia të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Në Prishtinë u tha se Serbia njeh kështu pavarësinë e Kosovës. Në Beograd një përfaqësues i qeverisë u shpreh se përfaqësuesit e shtetit serb më në fund kthehen në Kosovë. Por vendimi është i paqartë për arsye të tjera. Drejtuesit serbë të veriut refuzojnë kompromiset e qeverisë serbe dhe pa bashkëpunimin e tyre ujdia nuk funksionon. Tadiçi kërkoi nga serbët e veriut të miratojnë këtë marrëveshje, sepse kjo është në interes të Serbisë. Por disa kryetarë bashkish në veri janë shprehur kundër, ndër ta edhe drejtuesi i komunës së Zubin Potokut, që konsiderohet si më radikalja.

"Shqipëria thotë lamtumirë"

Po gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" i kushton vëmendje edhe largimit nga jeta të djalit të mbretit Zog, Leka Zogu. Në artikullin me titull "Shqipëria thotë lamtumirë" ajo shkruan se është organizuar një varrim shtetëror për atë, që donte me dëshirë të ishte mbret, Leka Zogun. "Me dëshirën e kryeministrit, Sali Berisha, 'ai u varros me të gjitha nderimet mbretërore'. Kufoma e tij u vendos në parlament, ndërsa flamujtë në gjysmështizë. Ndërsa të shtunën Shqipëria e shpalli zi kombëtare.

Varrimi u transmentua drejtpërdrejt në televizion, shkruan FAZ. Kjo, kur nuk kanë kaluar as 14 vjet, kur Leka Zogu doli i veshur në uniformë, me pistoletë dhe granata dore në krye të shpurës së tij dhe u fut në godinën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sepse nuk donte të njihte rezultatin e KQZ-së, që rrëzonte referendumin për rivendosjen e monarkisë. Kjo ngjarje u konsiderua përpjekje për puç. Në mungesë ai u dënua me tre vjet heqje lirie, shkruan gazeta gjermane.

Vitet e kaluara Leka Zogu tërhoqi vëmendjen me idenë e Shqipërisë së madhe. Dashuria e vonë për trashëgimtarin e fronit ka më shumë lidhje me një kalkulim politik të kryeministrit Sali Berisha për të fituar përkrahjen e monarkistëve, se sa me idealizimin nostalgjik të periudhës së Zogut, shkruan "Frankfurter Allgemeine Zeitung."

Në fundjavë në gazetën e njohur gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" dy politikanët gjermanë, Andreas Schockenhoff, (CDU) nënkryetar i fraksionit konservator në parlament dhe Peter Beyer, raportues për Serbinë dhe Malin e Zi në Bundestag i kanë kushtuar vëmendje edhe aspiratës së Serbisë për statusin e vendit kandidat në BE. Në artikullin me titull "Serbia nuk mund të jetë ende kandidate", ata shkruajnë se ka arsye pse Serbia nuk mund jetë ende kandidate. Ajo që është e nevojshme janë zgjidhje të vërtetuara për një bashkëjetesë paqësore me Kosovën në nivel të barabartë, shkruajnë politikanët gjermanë. Nuk duhet të na mjaftojë vetëm rifillimi i dialogut dhe bisedimet për përparime teknike, si njohja e letërnjoftimeve, targave, apo vulat doganore. Në veri të Kosovës deri në kohët më të fundit ka pasur gjithmonë trazira në pikat kufitare dhe janë qëlluar ushtarët gjermanë të KFOR-it. Beogradi nuk e përdor sa duhet ndikimin e madh, që ka, për t'i dhënë fund kërcënimit të sigurisë dhe paqes.

"Qeveritë e reja kanë mallkimin e kursimit"

Gazeta gjermane "Handelsblatt" i kushton vëmendje zgjedhjeve parlamentare, që u zhvilluan në dy shtete të rajonit, Kroaci dhe Slloveni.

"Qeveritë e reja nuk kanë për të gëzuar edhe për shumë kohë popullaritet. Sepse vitin e ardhshëm të dyja vendet kanë përpara një kurs të ashpër kursimesh. "Sllovenia nuk i shpëton dot reformave të dhimbshme". Kjo është profecia e Hermine Vidovic, eksperte për Ballkanin në Institutin vjenez për Ekonominë e Krahasuar". Ky vend i vogël, me dy milionë banorë, ka qënë për një kohë të gjatë shembull për harmonizimin ekonomik Lindje dhe Perëndim. Sllovenia ishte vendi i parë lindor, që futi euron në vitin 2007. Gjendja ekonomike është e vështirë edhe në Kroaci. Deficiti buxhetor dhe borxhet shtetërore po rriten pambarim. Problemi i madh është papunësia, rreth 18%, gati dyfish më e lartë se në vendet e tjera të BE-së.

Gazeta austriake "Die Presse" i kushton vëmendje edhe nacionalizmave në Kroaci. Në artikullin me titull "Fantazmat kroate të së shkuarës" shkruan se kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, në muajt e fundit para zgjedhjeve luajti klaviaturën nacionaliste. Ajo nxori në skenë ide, që nëse realizoheshin, do të shkonin drejt shpërbërjes së Bosnje-Hercegovinës...Por tanimë ajo vetë është kthyer thjesht në një fusnotë në historinë ballkanike të nacionalizmit.

Autor/FAZ, Die Presse/Arapi

Redaktoi: A Verbica