1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia nuk merr datë për BE-në, pa normalizimin e raporteve me Kosovën

Komisioni Evropian nuk e ka rekomanduar dhënien e datës për fillimin e negociatave për antarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ndër vëretjejt kryesore janë raportet me Kosovën.

Stefan Füle

Stefan Füle

"Serbia ka shënuar përparim në rrugën drejt BE-së. Por ajo duhet të ketë një angazhim më konstruktiv për normalizimin e raporteve me Kosovën", thuhet në raportin e Komisionit Evropian për këtë vend, të prezantuar sot në Bruksel nga komisioneri për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Stefan Füle.

Në Parlamentin Evropian ai bëri të ditur se Serbia duhet të plotësojë të gjitha kushtet para fillimit të negociatave për anëtarësim. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet në një shkallë kur Serbia dhe Kosova nuk mund të pengojnë njëra - tjetrën në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane. Füle tha se ndër kushtet kryesore që Serbia duhet të plotësojë është përmirësimi i dukshëm i raporteve me Kosovën.

Ivica Daçiq

Ivica Daçiq i dëshpëruar

Sipas tij, tri janë elementet e rëndësishme të një "qasje të përgjtihshme ndaj Beogradit". Përfaqësuesja e lartë e BE për politikë të Jashtme, Chaterine Ashton është e vendosur të ngrejë dialogun në nivel të lartë politik. Dialogu dhe negociatat janë pjesë e pandashme e procesit të zgjerimit të BE-së. Dhe BE-ja për herë të parë ka bërë përpjekje të mëdha që t'i shpjegojë Serbisë se çfarë do të thotë normalizimi i raporteve me Kosovën.

Daçiqi i pakënaqur

Përfaqësuesi i BE-së në Beograd, Vensan Dezher ia ka dorëzuar sot kryeministrit serb Ivica Daçiq dokumentin me titull "Strategjia për zgjerimin e BE-së". Përfaqësuesi i BE-së tha në një konferencë të përbashkët shtypi në Beograd se Brukseli shpreh mbështetje të plotë për procesin e zgjerimit. Por kryeministri serb Daçiq ishte shumë i shqetësuar me pjesën e dokumentit ku thuhet se "Serbia duhet të respektojë integritetin territorial të Kosovës".

"Jam shumë i shqetësuar, sepse një deklaratë e tillë në vend se të ndihmojë, mund të mbyllë para fillimit dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Për ne do të ishte më e ndershme sikur të na thuhej se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës sesa të kërkohet që të respektojmë integritetin territorial të Kosovës", theksoi Daçiq. Sipas tij, ky formulim pengon edhe vazhdimin e dialogut.

Ivica Daçiq dhe Stefan Füle.

Daçiq: do ta pyes Fülen?!

"Nuk e di se për çfarë mund të bisedojmë. Këtë pyetje do t'ia shtrojë edhe Fueles, sepse ky kusht nuk është përmendur më parë, në kohën kur president isht Boris Tadiq. Ne nuk pranojmë kushte të reja", tha ai.

Kryeministri i Serbisë bëri të ditur se Beogradi ka qenë i gatshëm për vazhdimin e dialogut në tetor. Por pas kërkesës për njohjen e integritetit territorial të Kosovës, nuk e di se çfarë duhet të bisedohet. Megjithatë ai theksoi se Serbia nuk do të ndërmarrë aksione të dhunshme për cënimin e "kufirit administrativ" mes Kosovës dhe Serbisë.

"Ne do të vazhdojmë dialogun dhe asgjë s'do të na largojë nga Evropa. Por ekziston diçka (njohja e pavarësisë së Kosovës) që nuk do ta bëjë asnjë qytetar i Serbisë", theksoi kryeministri Daçiq. Sa i përket pjesës tjetër të raportit ai tha se "është pasqyruar gjendja reale në Serbi".