1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia nuk duhet të heshtë për gjenocidin

18 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë, Beogradi nuk duhet të heshtë për krimin më të madh pas Luftës së Dytë Botërore ne Evropë.

default

Srebrenica -Pas 18 vjetësh

"Qytetarët e Serbisë nuk kanë të drejtë të heshtin për krimet që janë bërë gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Ky është mesazhi i disa udhëtarëve me biçikleta të cilët me rastin e 18 vjetorit të gjenocidit kanë shkuar nga Beogradi në Srebrenicë.

Nina Gjurgjeviq - Filipoviq nga Beogradi thotë se ajo, Eva Diniq dhe Vlladimir Jevtiq kanë marrë pjesë edhe në marshimin e organizuar vitin e kaluar, kur ka lindur edhe ideja që këtë vit të vijnë nga Beogradi me biçikleta. "Kemi vendosur qe me biçikleta të kalojmë nëpër Serbi dhe të vijmë në komemoracionin që organizohet në Potoçare", thotë Nina.

Ndërsa mësuesi i historisë Vlladimir Jevtiq nga Bajina Bashta thotë: "Ne duam që të thuhet qartë se krimet që i kanë bërë njësitë ushtarake dhe paramilitare serbe në hapsirat e ish-Jugosllavisë, në veçanti në Bosnjë e Hercegovinë, nuk janë bërë në emrin tonë". Jevtiq pohon se edhe pse në kohën e krimeve ka qenë vetëm 13 vjeç, shumë mirë i kujtohet koha e luftës. "Kam qenë dëshmItarë i prezencës së njësive të ndryshme ushtarake dhe paramilitare të cilat kanë kryer një agresion ndaj Republikës së Bosnjë e Hercegovinës", shton ai.

Ofendimet në rrugën për në Srebrenicë

Massaker von Srebrenica Völkermord Fahrradmarathon

Maratona e qytetarëve serbë në kujtim të masakrës së Srebrenicës

Serbia është shpallur në vitin 2007 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë fajtore për gjenocid në Srebrenicë. Çiklistët kanë dashur që me këtë rrugë të rikujtojnë rolin e Serbisë në luftën e Bosnjë -Hercegovinë. Nada Duhaçek thotë se gjatë tri ditëve të kaluara, sa janë dashur që ata të kalojnë 220 kilometra nga Beogradi deri këtu, ka menduar shpesh për vuajtjet dhe krimet që janë bërë në Srebrenicë. Ajo është e prekur me pritjen e ngrohtë në vendin e gjenocidit.

„Përshtypja ime më më madhe është në fakt zemërgjërësia e këtyre njerëzve", thotë Nada duke shtuar se gjatë rrugës prej Beogradit për në Shabac dhe Lloznicë kanë takuar njerëz të cilët i kanë ofenduar për shkak të rrugës që kanë marrë dhe për shkak të këtij gjesti simbolik. Por fyerjet më të rënda i kanë përjetuar në Bratunac të Bosnjë e Hercegovinës. Ndërkohë që në shumë vende të tjera i kanë uruar për këtë aksion. Në pyetjen sa janë të informuar njerëzit në Serbi për ngjarjet në Srebrenicë, Nina Gjurgjeviq - Filipoviq përgjigjet: "Kam përshtypjen se nuk duan të mendojnë, nuk duan të flasin dhe nuk duan të përballen me atë që kanë ndodhur në Srebrenicë".

Përballja me të kaluarën, bazë për ardhmëri më të mirë

Për një qëndrim të këtillë flet edhe fakti që askush në Serbi nuk ka raportuar për aksionin tonë. Për ne kanë raportuar mediat e rajonit, në radhë të parë në Bosnjë e Hercegovinë, por jo edhe në Serbi", thekson Nada.

„Qytetarët e Serbisë nuk kanë të drejtë të heshtin për atë që ka ndodhur në BeH", shton Vlladimir Jevtiq. "Njerëzit duhet të denojnë atë që është bërë në emrin e tyre“. Jevtiq është i bindur se pajtimi mes popujve në hapsirat e ish - Jugosllavisë nuk mund të ndodhë në qoftë se gjërat fshihen nën tapet dhe thuhet se nuk kanë ndodhur, nga frika se e keqja mund të përsëritet. Nëse duam raporte të shëndosha, atëherë duhet të përballemi me të kaluarën dhe krimet që kanë ndodhur gjatë viteve 90-të", pohon Jevqit.