1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia (nuk) do të ndalet në rrugën e afrimit me BE

Brukseli edhe më tej nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit deri më 16 prill. Ndërsa në Bundestagun gjerman thonë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë ultimatumi ndaj Serbisë.

Dialogu Beograd-Prishtinë

Dialogu Beograd-Prishtinë

Përgjigjet e Beogradit dhe Prishtinës duhet të shqyrtohen mirë, në mënyrë që Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në dialog të mund të marrë vendimin se si duhet të zhvillohen gjërat në të ardhmen. Ndonëse nga zyra e përfaqësueses së BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton thuhet se "raunde të reja bisedimesh nuk do të ketë", atje nuk përjashtohet mundësia e takimeve në forma të tjera. Nuk përjashtohet mundësia as e arritjes së një "zgjidhje pozitive", deri me 16 prill, kur duhet të paraqitet raporti i progresit për Serbinë. Nga ky raport varet nëse Serbia do të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE apo jo.

Burimet e informuara mirë në Komisionin Evropian shtojnë se edhe në rast se marrëveshja nuk arrihet, ky "nuk është fundi i botës" dhe nuk do të thotë se "përgjithmonë do të shuhet drita dhe do t'i jepet fund rrugës së Serbisë drejt integrimeve evropiane“. Në një rast të tillë vetëm sa mund të shtyhet marrja e datës për fillimin e negociatave. "Vendet anëtare të Bashkimit Evropian presin rezultate konkrete, në veçanti kur bëhet fjalë për raportet mes Beogradit dhe Prishtinës. Këto rezultate duhet të arrihen tani apo më vonë, nëse Serbia mendon që të fillojë negociatat për anëtarësim në BE“, thonë burimet diplomatike në Bruksel.

Gjermania nuk ka vënë ultimatume

Peter Beyer

Peter Beyer

„Beogradi e ka kuptuar seriozitetin e situatës dhe seriozitetin e kërkesave. Afrim me Bashkimin Evropian nuk do të ketë pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës, respektivisht pa zgjidhjen deri sa ekzistojnë çështje të hapura rajonale", thotë për Deutsche Wellen raportuesi i Bundestagut gjerman për Serbinë dhe Malin e Zi, nga radhët e Partisë Kristiandemokrate në pushtet(CDU) Peter Beyer. Ai shton se fakti që Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq dhe Tomisllav Nikoliq janë takuar me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe dhe më vonë kanë caktuar seancën e qeverisë, do të thotë se po hulumtohen mundësitë për një formulim sa më të mirë. Beyer mendon se ende ka mundësi për arritjen e një marrëveshje dhe përgjigjeje pozitive "në sekondat e fundit, pra nesër".

Beyer, i cili para disa javësh ka qenë në delegacinin e Bundestagut që vizitoi Beogradin dhe Prishtinën e përjashton mundësinë e ekzistencës së ndonjë ultimatumi gjerman për Serbinë. "Përmendja e ultimatumit do të thotë se dikush nuk e ka kuptuar fare politikën e Gjermanisë. Ultimatumet nuk ekzistojnë, fjala është për një proces teknik", thotë Beyer. Sipas tij, gjatë vizitave në Beograd dhe Prishtinë është thënë shumë qartë se Bundetagu aktual do të punojë deri në qershor. Më pas fillon pauza verore dhe politikanët gjermanë do t'i përkushtohen zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen në shtator. Pra nuk bëhet fjalë për ultimatume, por për mungesë kohe, thekson Beyer.