1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia (nuk) është e gatshme të përballet me terrorizmin

Sulmi i fundit ndaj ambasadës amerikane në Sarajevë, ka hapur shumë dilema edhe në Serbi. Analistët thotë se Serbia dhe institucionet e saj nuk janë të rrezikuara nga sulmet terroriste. E ndërkombëtaret?

Mevlid Jashareviq.

Mevlid Jashareviq, autor i sulmit në Sarajevë

"Në Serbi mund të ketë ndonjë skenar të njëjtë sikur edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Pra është e mundur që të sulmohen objektet që simbolizojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe ndonjë vend tjetër perëndimor. Por gati që është e pamundur të sulmohet ndonjë godinë apo institucion i Serbisë", mendon analisti për çështje ushtarake Zoran Dragishiq.

Kapacitete të vogla informative

Ekspertët në Beograd megjithatë janë të mendimit se Serbia nuk është e gatshme të përballet me sulme serioze terroriste dhe në përgjithësi me sfidat e ngjashme. Dragishiq pohon se Serbia është një shtet shumë i dobët, pa një sistem të mirëfilltë të sigurisë nacionale dhe me kapacitete të dobëta të shërbimeve informative.

Sulmi në Sarajevë.

Sulmi në Sarajevë.

"Dukuritë e tilla me siguri që paraqesin një problem të madh për Serbinë. Ne kemi njësitë tona speciale policore dhe ushtarake, të cilat mund të veprojnë në mënyrë adekuate në një fazë të caktuar të sulmeve terroriste. Por mundësitë tona për zbulimin me kohë dhe evitimin e sulmeve terroriste janë shumë modeste", pohon Dragishiq.

Si të evitohen veprimet e panevojshme?

Pas informacioneve se në sulmet e fundit në Sarajevë janë të përzier elementë ekstremistë nga Sanxhaku i Serbisë, në Beograd është shtruar edhe çështja e trajtimit të popullatës së atjeshme myslimane. Dragishiq është i mendimit se rruga më e mirë për evitimin e akteve terroriste do të ishte trjatimi i kësaj pjese të popullatës, si pjesë e barabartë e shoqërisë serbe.

„Në përgjithësi mund të thuhet se ne në Serbi nuk kemi problem me popullatën boshnjake në Sanxhak. Një problem serioz janë konfliktet që ekzistojnë brenda vet bashkësisë islame në Sanxhak. Mendoj se këtu ka pasur edhe disa aksione të pamatura të shtetit serb. Në Beograd është menduar gabimisht që Serbia dhe shteti serb do të përfitojnë nga përçarjet e myslimanëve në Sanxhak. Një pjesë e përgjegjësisë për gjendjen atje i takon shtetit serb, por përgjegjësinë më të madhe duhet të kenë vet përfaqësuesit e bashkësisë islame në Sanxhak", mendon ai.

Barazia është ilaçi më i mirë

Muamer Zukorliq, myslimanët e përçarë në Sanxhak.

Muamer Zukorliq, myslimanët e përçarë në Sanxhak.

Bozho Prelleviq avokat dhe ish - ministër i policisë pohon se Serbia mund të përballet me çdo lloj terrorizmi, me përjashtim atij që organizohet prej faktorëve shumë të fuqishëm. Serbia duhet të ketë ekipe të mira për luftë kundër terrorizmit, mendon ai.

„Serbia duhet të zhvillohet në të gjitha pjesët e vendit, për t'i mos i dhënë hapsirë askujt që të thotë se rajonet më të prapambetura në Serbi janë ato ku nuk jetojnë serbët. Duhet të angazhohemi edhe më shumë që Sanxhaku të ketë lidhje më të forta me Beogradin se sa me Sarajevën. Por shumë e rëndësishme është edhe politika e jashtme, sepse duhet pasur kujdes me faktorët e fesë islame që përfaqësojnë këtë bashkësi në vendet tjera. Serbia e di mirë se çfarë do të thotë futja në konflikte. Mendoj se Serbia e ka mësuar mirë këtë leksion. Prandaj këtu nuk duhet bërë gabime shumë të rënda", pohon Prelleviq.

Autor: Ivica Petroviq / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti