1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia një hap larg nga fillimi i negociatave

Këshilli për Çështjet e Përgjithshme të BE sot (17.12.) duhet të diskutojë në lidhje me fillimin formal të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Rekomandimin për të hapur negociatat e dha edhe Catherine Ashton.

default

Shefja e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton, tha se është e "impresionuar nga progresi dhe angazhimi" i Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Ajo i bëri thirrje Këshillit të Ministrave që të "mbajë fjalën e tij" dhe të fillojë negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE, më së voni në janar të vitit 2014. Ashton ka informuar tashmë ministrat e Punëve të Jashtme të 28 vendeve anëtare se Serbia i ka përmbushur obligimet më të rëndësishme në kuadër të marrëveshjes së Brukselit dhe rekomandoi organizimin e parë të Konferencës Ndërqeveritare të Serbisë dhe BE-së.

"Po të shikoni listën e arritjeve nga marrëveshja e prillit, ajo është me të vërtetë mbresëlënëse. Madje diku ne kemi shkuar shumë më tej dhe më shpejt se sa që e kam pritur. Ne jemi tani duke punuar në detajet përfundimtare që kanë të bëjnë me gjyqësorin," tha Ashton pas takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të cilët përfaqësuesja e lartë e BE-së i ka informuar të hënën (16.12.) me rezultatet e arritura në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.#

Në foto, Catherine Ashton

Në foto, Catherine Ashton

Duke vënë në dukje se është e "impresionuar me përparimin dhe angazhimin" e të dyja palëve, Ashton shprehu shpresën e saj se Këshilli i Ministrave do të miratojë vendimin për të filluar negociatat me Serbinë: "Rekomandimi im është që ne duhet të bëjmë atë që kemi premtuar dhe për të organizuar konferencën e parë Ndërqeveritare dhe të bëjmë një hap përpara për Serbinë", tha Ashton.

Përcaktimi i datës dhe kornizës së negociatave

Raporti i shefes së diplomacisë evropiane për progresin e arritur në zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, përkrah raportit për reformat e brendshme në vend, është një element kyç për vendimin e Bashkimit Evropian për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Serbinë. Edhe para publikimit të këtij raporti, në Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian dhe Shtetet Anëtare të BE-së, ka mbizotëruar mendimi se Beogradi ka bërë përparim të mjaftueshëm për të filluar negociatat për anëtarësim.

"Serbia ka treguar një angazhim të fortë për rrugën e saj evropiane. Në javët e fundit u tregua një gatishmëri e jashtëzakonshme për kompromis dhe unë mendoj se për këtë Serbia duhet të shpërblehet," tha ministri i Jashtëm holandez Frans Timmermans, një ditë para debatit përfundimtar në Këshillin e Ministrave për caktimin e datës për fillimin e negociatave me Serbinë.

Jozyrtarisht pritet që shtetet anëtare do të bien dakord për 21 Janarin si datë për fillimin e negociatave për anëtarësim me Serbinë. Përveç datës, sot pritet të përkufizimi përfundimtar i kornizës së bisedimeve.