1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Vullnetarë të dialogut

Serbia - Nacionalizmi ekstrem është kapërcyer, por ende jo klishetë nacionaliste

Gati dy dekada pas luftës duket se nacionalizmi në Serbi është mposhtur. Por aktivistët e organizatave joqeveritare vazhdojnë të luftojnë kundër rudimenteve të nacionalizmit. Rol të madh luan mbështetja ndërkombëtare.

Bulevardi "Zoran Xhinxhiç" në Beograd mban emrin e kryeministrit të parë demokrat të Serbisë. Përpjekjeve të tij për ta modernizuar vendin dhe për ta hapur ndaj Europës pas fundit të epokës së Millosheviçit iu dha fund në vitin 2003 me vrasjen e Xhinxhiçit. Nuk ishte rastësi, që nacionalistët e djathtë në maj 2007 vendosën në këtë rrugë tabelat e veta duke i dhënë emrin bulevardi "Ratko-Mladiç“. Me këtë ata demonstruan mbështetjen e tyre ndaj Mlladiçit, i cili duhet të japë llogari në Tribunalin e Hagës për shkak të genocidit në Srebrenicë. Asokohe Mlladiç konsiderohej si hero i luftës. Një ndër tifozët më të mëdhenj të tij ishte Aleksandar Vuçiq, i cili sot është zëvendëskryeministër dhe politikani më i pushtetshëm i Serbisë.

Gjatë viteve të shkuara megjithatë botëkuptimi shoqëror e politik në Serbi ka ndryshuar radikalisht. Sot Serbia është vend kandidat për në BE dhe Vuçiq ndërkohë mund ta cilësojë veten si një fanatik i Europës. Qeveria aktuale ka arritur gjithashtu edhe marrëveshjen historike me ish-provincën jugore, Kosovën, e cila para pesë vjetësh shpalli pavarësinë. „Kjo është një lloj drejtësie poetike", thotë aktivistja me përvojë e demokracisë Sonja Licht, e cila sot punon për Ministrinë e Jashtme të Serbisë. „Politikanët, që në vitet nëntëdhjetë ishin bashkëpërgjegjës për luftën dhe gjakderdhjen në rajon, duhet të marrin tani përsipër përgjegjësinë e qeverisjes dhe t'i zgjidhin problemet", thotë Licht për DW.

Sociologia dhe aktivistja serbe Sonja Licht

Sociologia dhe aktivistja serbe Sonja Licht

Idetë, të cilat gjatë luftës së përgjakshme, që coptoi Jugosllavinë mbijetuan vetëm në getot e shoqërisë civile, tashmë kanë arritur në axhendën e politikës së ditës. Të tilla tema janë p.sh. detyrimi për nxjerren para drejtësisë të kriminelëve të luftës dhe e drejta për të qenë ndryshe.

Ende shumë për t'u bërë

Nacionalizmi ekstrem sot nuk është më pjesë e së përditshmes, megjithatë vragët e së shkuarës janë ende të dukshme. Johannes Rüger, një i ri gjerman, i cili është i angazhuar në Beograd në kuadër të OJQ-ë "Forumi i shërbimit civil për paqen" i ilustron klishetë me një shembull: "Kur unë shkoj në Kosovë, në Prishtinë, shumë të rinj serbë, të cilët në vitet 90-të kanë qenë fëmijë në kopsht, apo në shkollë fillore, më pyesin, nëse kam frikë se mos më ndodh gjë, kur shkoj atje“, thotë Rüger në intervistë për DW dhe shton, "pastaj unë i pyes ata, a keni qenë ndonjëherë në Prishtinë dhe ata përgjigjen: Jo, asnjëherë, unë nuk mund të shkoj atje."

Aleksandar Popov politolog serb

Aleksandar Popov politolog serb

Këto rudimente të mendësisë nacionaliste nuk e befasojnë aktivistin e njohur Aleksandar Popov. „Ndonëse politika ka ndryshuar, ajo nuk ka arritur detyrimisht deri tek rrënjët e thella të shoqërisë", mendon drejtori i Qendrës serbe për Rajonalizimin. „Eshtë dëshpëruese, që shumë të rinj ushqejnë ndjenjat e nacionalizmit dhe të urrejtjes. Eshtë jashtëzakonisht e vështirë, që të çlirohesh prej kësaj barre të rëndë“, thekson Popov. Pikörisht për këtë arsye është e nevojshme prania e mëtejshme e OJQ-ve. "Unë do të preferoja të dilja në pension, por ka ende shumë punë për të bërë", thotë Popov.

Sonja Licht e konsideron si një problem të madh shovinizmin, jo vetëm për Serbinë. "Ky problem ende nuk është zgjidhur as në Ballkan dhe as në Europë. Ne shohim shembuj të ngjashëm në Greqi, Hungari e madje edhe në Veri të Europës, si p.sh. në Finlandë, ku populistët e djathtë ia dolën të futen në parlament", thotë ajo. Sipas aktivistes Licht edhe kultura selektive e kujtesës, që vetëm të vrarët dhe të dëbuarit e njërës palë konsiderohen si viktima të vërteta, nuk është ekskluzivisht një problem serb. „Edhe në Gjermani denazifikimi ka zgjatur shumë", vë në dukje ajo.

Damka "agjent i huaj" jashtë mode

Aktivistët në Serbi e kanë pasur gjithmonë të vështirë dhe ato as sot nuk gjejnë mbështetje në masë. Për vite me radhë elitat politike të karakterizuara prej nacionalizmit ngrinin dyshime pörgjithësuese ndaj OQJ-ve duke i cilësuar ato si „agjentë të huaj“, kjo për faktin se OJQ-të financohen kryesisht nga jashtë. „Ne asnjëherë nuk kemi qenë të preferuar nga regjimi. Kjo ka të bëjë kryesisht me kohën e Slobodan Miloševiçit, por vlen edhe për opozitën demokratike, që ka qeverisur pas rrëzimit të Millosheviçit“, konstaton Popov. „Shoqëria civile është parë gjithmonë me syrin e dyshimit, duke qenë si të thuash një halë në sy për të pushtetshmit“, thotë Popov.

Demonstratat nacionaliste janë gjithnjë e më të rralla

Demonstratat nacionaliste janë gjithnjë e më të rralla

Sonja Licht prej dekadash përjeton fyerje nga kampi i djathtë. Së fundi ajo u cilësua në gazetën e përjavshme nacionaliste „Pečat“ si lobiisite e NATO-s. Qysh pas bombardimeve gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999 "NATO" konsiderohet në Serbi pothuajse si një fjalë fyese. „Unë sot jam në një farë mënyre krenare, që ekstremistët e djathtë më sulmojnë në këtë mënyrë", thotë Licht dhe shton, "kanë kaluar kohët, kur dikujt i viheshin të tilla etiketa rëndom në raportimin e përditshëm në media."

OJQ-të më të rëndësishme ende vazhdojnë të jenë në varësi të financimeve prej donatorëve ndërkombëtarë. Në faqen e internetit të Qendrës për Rajonalizimin sheh, se financimi ndër të tjera vjen prej fondacionit amerikan Rockefeller, si dhe prej fondacioneve gjermane "Friedrich Ebert" dhe "Konrad Adenauer". „Paratë nga Perëndimi nuk janë më tabu", thotë drejtori i kësaj qendre Alexander Popov. „Madje edhe ish-nacionalistët, që janë në pushtet, përpiqen tani të zbulojnë burime financimi në Perëndim për shtetin serb. Kjo tregon se damkosja e OJQ-ve si organizta tradhëtare, tashmë është e tejkaluar“, vëren Popov.