1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia në prag të falimentimit

Paratë e arkës së shtetit për rroga e pensione mjaftojnë vetëm për gushtin. Qeveria e re trashëgon nga paraardhësja ekonominë e shkatërruar. Cilin nga premtimet e mëdha të fushatës do të mund ta mbajë qeveria e re?

Kandidati për ministër i Financave dhe Ekonomisë së Serbisë, Mladan Dinkic, njoftoi se në buxhetin serb ka para për të paguar vetëm pagat dhe pensionet deri në muajin gusht. Qeverisë për këtë arsye do t'i duhet të marrë hua të tjera. Dinkic tha se paratë për këtë qëllim ndoshta do të merren nga kreditë për investimet. Planifikohet që një pjesë e kredisë ruse për hekurudhat, që arrin gjithsej vlerën 800 milionë, të kalohet në buxhet. Ai tha se do të kërkojë që një pjesë e fondeve të marra nga FMN-ja të kalojë gjithashtu për nevojat e buxhetit.

Në prag të falimentimit

"Qeveria e vjetër i ka lënë trashëgim qeverisë së re në sferën ekonomike financa publike të shkatërruara, një duzinë institucionesh të panevojshme dhe shumë zgjidhje të këqija ligjore," thekson për DW Aleksandar Stefanovic, i qendrës për Tregun e Lirë. Të dhënat që në buxhetin për paga dhe pensione ka para vetëm deri në gusht, tregon se në pjesën e parë të vitit është harxhuar shumë më tepër nga ç'ka qenë e mundur realisht, thotë Stevanovic.

Pra sikur qeveria e re të donte të ishte e arsyeshme, do të duhej të thoshte se Serbia është në prag të bankrotit, se kemi shpenzuar më shumë nga ç'e kemi patur të mundur dhe për ne do të bëhet edhe më keq, nëse vazhdojmë në këtë rrugë. Kjo do të thotë se i vetmi opsion për Serbinë është të kursejmë. E thënë më saktë, jo të gjithë, sepse njerëzit, që punojnë në sektorin privat kursejnë prej kohësh, por që njerëzit, që punojnë në sektorin shtetëror dhe kanë të ardhura nga shteti, edhe ata duhet të ndajnë fatin me pjesën tjetër të shoqërisë.

Përsëri në borxh

Situata, për të cilën flet Mladan Dinkic, në të cilën paratë për investime, apo paratë e FMN-së do të kalojnë në buxhet, gjithsesi nuk është situatë e mirë, paralajmëron Stevanovic. "Kjo nuk është zgjidhje e mirë e ne nuk mund ta fshehim, se vitet e ardhshme nuk do të ndodhë asgjë më e mirë. Vetëm kursimet e shpëtojnë Serbinë dhe reformat, që për një afat prej 3 deri 4 vjeçar do të na nxjerrin nga kjo gjendje. Duke patur parasysh deklaratën, se duhet të marrim më shumë hua, nuk kam parë ndonjë vendosmëri të madhe për të shkuar në këtë drejtim dhe prandaj kam frikë se nuk do të bëhet sa duhet, për të ulur shpenzimet."

Derisa të vazhdojë mashtrimi i opinionit për gjendjen e vërtetë të ekonomisë serbe, kam frikë se do të përfundojmë në tragjedinë greke, thotë për DW Sasa Djogovic, nga instituti për Hulumtimet e Tregut, dhe shton se Serbia praktikisht është bankrot. "Ne mund të themi se Serbia, pa ndihmën e FMN-së, ndodhet tashmë në këtë fazë paraprake të këtij falimentimi. Sepse përderisa nuk je në gjendje të përmbushësh detyrimet ndaj të gjithë përdoruesve të buxhetit, pa hyrë më shumë në borxh, por do të kesh gjithnjë e më pak kredidhënës, që do të ndihmojnë, do të thotë se gradualisht hyn në fazën e bankrotit. Dhe për të shmangur që edhe formalisht të hysh në fazën e bankrotit, është e nevojshme mbështetja e FMN-së, e cila hyn garant për zbatimin e një politike të re ekonomike."

Politika e re ekonomike

Kjo politikë e re nënkupton ngrirjen e pagave dhe pensioneve për një periudhë të caktuar, reformën e sektorit publik, krehjen e të ardhurave parafiskale, reduktimin e subvencioneve joselektive, si dhe rritjen e pashmangshme të TVSh-së, thekson Djogović.

Nuk është mirë, që paratë e destinuara për investimet të kalojnë në buxhet, thekson Djogović, por qeveria e re është e detyruar të ndërmarrë disa veprime. „E kjo është ajo që sigurisht nuk është e mirë. Por nga zori kjo është zgjidhje më e mirë, se sa të marrim hua me çmim më të lartë në tregun financiar. Vlerësimi i bonitetit tonë vetëm mund të zbresë, kurrsesi nuk mund të arrijë kuota më të mira.“

Aleksandar Stevanović mendon se problemi i qeverisë së re nuk janë kapacitetet profesionale, sepse ajo gjithmonë mund të ketë në dispozicion mjaft ekspertë, që nuk duhet të jenë patjetër të angazhuar në parti. Shumë më e rëndësishme për reformat ekonomike është vullneti politik. Dhe një qeveri e konceptuar në këtë mënyrë, në të cilën bëjnë pjesë SPS, PUPS dhe URS, vështirë se do të jetë shumë e gatshme për reforma, thotë Stevanović.