1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia: Mirënjohje afrikanëve për mosnjohjen e Kosovës

Një shkarje në fjalorin politik nga një politikan në parlamentin e Serbisë sjell tensione me disa shtete afrikane. Kërkimi i faljes u bë me vështirësi. Piramida e Tiranës, përmendore e totalitarizmit. Vështrim nga shtypi

Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremic

Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremic

Gazeta "Neue Zürcher Zeitung" analizon korrektesën në marrëdhëniet e Serbisë me vendet afrikane, nisur nga një shkarje në fjalorin politik:

"Në Ballkan...kërkimi personal i faljes është inekzistent në fjalorin politik. Por kjo mund të ndryshojë.

Kur para pak kohësh politikani opozitar liberal, Cedomir Jovanoviç, sulmoi në parlament ministrin e Jashtëm të Serbisë, Jeremic, ai u shpreh: në vend që të interesohej për fatin e tmerrshëm të civilëve në Libi, ministri i Jashtëm viziton i patrazuar "kanibalët në Afrikë". Askush nuk reagoi. Koloriti gjuhësor është diçka e zakonshme për "Cedon" vazhdimisht të zemëruar. Por ata, që reaguan, ishin një grup ambasadorësh afrikanë, të drejtuar nga algjeriani Abdelkadr Mesoua: me indinjatë u regjistrua kjo deklaratë raciste dhe me zhgënjim u konstatua që deklarata nuk u pasua nga një dënim zyrtar. Atëherë Ministria e Jashtme e Serbisë nisi të punojë.

Ministri dha siguri se Jovanoviçi nuk përfaqëson pikëpamjen e Serbisë. Përkundrazi, Serbia u është mirënjohëse miqve afrikanë, që nuk e kanë njohur Kosovën.

Cedomir Jovanovic, LDP

Cedomir Jovanovic, LDP

Tani të gjithë i hodhën sytë nga Jovanoviçi. A do të kërkonte falje ai? Natyrisht që jo. Në vend të kësaj pasuan deklarata: me "kanibalë" ai nuk ka pasur parasysh popujt e Afrikës, por diktatorë si kongolezin Kabila, të cilin e kishte vizituar ministri i Jashtëm.

Por afrikanëve kjo nuk u mjaftoi. Edhe pasi Jovanoviçi shprehu keqardhjen në biseda kokë më kokë, Mesoua insistoi për një falje publike. Kjo më në fund ndodhi dhjetë ditë pas shkarjes verbale. Pse e pati kaq të vështirë Jovavoniçi të kërkojë falje? Sociologu Jovo Bakiç e shpjegoi: në kulturën politike vendase, një kërkim faljeje shihet gjithmonë si shenjë dobësie."

Ndërsa në shkrimin "Piramida e Tiranës", gazeta "Neue Zürcher Zeitung" ndër të tjera veçon:

"Piramida e Tiranës, kështu quhet ndërtesa në qendër të Tiranës, të tërheq vëmendjen në radhë të para për mendjemadhësinë arkitektonike, ekspozimin e arrogancës së pushtetit politik dhe mungesën e çdo elegance... Qeveria planifikon që ta rrëzojë ndërtesën dhe në vend të saj të ndërtojë një parlament të ri. Ndërtesa me një sipërfaqe thuajse 30 mijë metra katrorë i shërben aktualisht vetëm nostalgjisë së Hoxhës, është argumenti, që jepet. Me ndërtimin e parlamentit të ri është ngarkuar Zyra Vjeneze e Arkitekturës Coop Himmelb(l)au. Zyra me emër planifikon si sallë plenare një sferë të xhamtë...

Por po formohet rezistencë kundër rrëzimit të piramidës. Ndërtesa bën pjesë në trashëgiminë historike të kryeqytetit dhe duhet të ruhet, argumentojnë kritikët, ku përveç arkitektëve bëjnë pjesë edhe socialistë opozitarë. Që tani janë organizuar peticione për shpëtimin e piramidës. Nëse ato do të kenë sukses, kjo do të ishte pozitive vetëm për një shkak: në mënyrë më bindëse, as zyra më e mirë arkitekturore nuk mund të ndërtojë një përmendore kundër rreziqeve të totalitarizmit, sa ç'e bën këtë ndërtesa, që ekziston sot në Tiranë në formën e piramidës."

Autor: Auron Dodi (nzz)

Redaktoi: Ina Verbica