1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia mbështet me donacion kuvendet serbe në Kosovë

5 Janar 2010

Qeveria e Serbisë ka caktuar një buxhet prej 42 milion eurosh për të ndihmuar serbët e Kosovës e strukturat paralele në vendbanimet serbe. Nuk do të ndihmohen kuvendet komunale serbe që u krijuan nga zgjedhjet e Kosovës.

https://p.dw.com/p/LLUj
Fshati Shtrpce në Kosovë
Fshati Shtrpce në KosovëFotografi: DW

42 milionë euro nga Serbia për kuvendet komunale serbe

Qeveria e Serbisë do të vazhdojë të financojë strukturat paralele serbe në Kosovë, përkatësisht kuvendet komunale në vendbanimet serbe, të cilat u krijuan nga zgjedhjet lokale të Serbisë, që u mbajtën edhe në Kosovë në maj të vitit të shkuar. Në radhët e qeverisë së Serbisë tashmë ekziston edhe ministria për Kosovën. Për këtë vit qeveria serbe i ka ndarë kësaj ministrie një buxhet prej 42 milion eurosh. Sekretari i shtetit serb për Kosovën në këtë ministri, Oliver Ivanoviç i tha Deutsche Welles, se këto të holla do të shfrytëzohen për pagat e punonjësve serbë në institucionet lokale, për projekte infrastrukturore në vendbanimet serbe dhe për kthimin e të zhvendosurve.

“Ky buxhet është alokuar për të gjithë serbët e Kosovës pavarësisht vizionit të tyre politik. Të gjithë serbët e zhvendosur që dëshirojnë të kthehen në Kosovë, përfshirë këtu edhe pakicat tjera tjera joshqiptare do të ndihmohen nga ky buxhet”, thotë Oliver Ivanoviç.

Mirëpo, një pjesë e madhe e serbëve të Kosovës morën pjesë në zgjedhjet lokale të Kosovës, që u mbajtën në muajin nëntor dhe në disa vendbanime serbe, tashmë janë konstituuar kuvendet komunale. Por Oliver Ivanoviçi thotë se këto kuvende komunale nuk do të ndihmohen nga buxheti serb, ndërsa do të ndihmohen kuvendet komunale serbe që janë krijuar nga qeveria e Serbisë.

“Këta njerëz, të cilët kanë tentuar dhe kanë marrë pjesë në krijimin e komunave serbe me mbështetjen e qeverisë së Kosovës nuk do të ndihmohen në mënyrë institucionale, mirëpo, në mënyrë individuale, nëse këta njerëz kanë nevojë për ndihmën e qeverisë së Serbisë ,atëherë nuk do të ketë dallime”, thotë Oliver Ivanoviç.

Financimi i strukturave paralele serbe - i papranueshëm për Prishtinën

Qeveria e Kosovës nga ana e saj thotë se financimi i strukturave paralele serbe nga qeveria e Beogradit është e papranueshme, sepse për Prishtinën zyrtare këto struktura janë ilegale. Ministri i pushtetit lokal, Sadri Ferati, thotë se serbët që duan të përfshihen në jetën institucionale të Kosovës tashmë kanë pushtetet e tyre lokale të krijuara nga qeveria e Kosovës.

“Strukturat paralele serbe jane më shumë një improvizim i qeverisjes, sesa një qeverisje e mirëfilltë. Ato janë struktura jolegale dhe veprimet e tyre nuk krijojnë obligime në qëndrueshmërinë e veprimeve që ata i marrin dhe ato do të jenë gjithmonë vendime që ne nuk do t'i njohim”, thotë ministri Sadri Ferati.

Sidoqoftë, në planin për decentralizimin i hartuar nga ndërmjetësi Marti Ahtisari, lejohet që qeveria e Serbisë të ndajë donacione për serbët e Kosovës. Mirëpo në plan specifikohet se këto të holla mund të dërgohen në Kosovë vetëm në vijë institucionale në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës. Oliver Ivanoviçi thotë se qeveria e Serbisë nuk do të bashkëpunojë asnjëherë me qeverinë e Kosovës për të ndihmuar serbët me të holla, sepse Serbia nuk e njeh qeverinë e Kosovës si një qeveri të një vendi fqinj.


Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi