1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia kryeson OSBE-në - Beogradi ndërmjetësues mes Perëndimit e Rusisë?

Më 1 Janar Beogradi merr presidencën e radhës në OSBE, axhenda kryesore e së cilës aktualisht është kriza në Ukrainë. Mundet Serbia të ndihmojë për shkak të lidhjeve të saj si në Lindje e Perëndim?

Putini në Beograd

Putini në Beograd

Modestia nuk është karakteristikë e klasës politike serbe. Kur u bë publik fakti se Serbia në vitin 2015 do të marrë presidencën e radhës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE u pretendua shumë. Ky u quajt një shans i jashtëzakonshëm për të organizuar konferencën festive të 40-vjetorit të Kartës së Helsinkit dhe për të lustruar imazhin e vendit në botë. Kur shpërtheu kriza e Ukrainës, qeveritarët në Serbi shpresonin të sillnin në këtë konferencë madje presidentin rus, Vladimir Putin dhe atë amerikan, Barack Obama. Të dy do të linin mënjanë mospajtimet. Ndërkohë janë shtuar zërat nëse Serbia është e pjekur për një rol të tillë ndërkombëtar.

Takimi i OSBE në Kiev

Takimi i OSBE në Kiev

"Mediatori i ndershëm"

Serbia ndodhet aktualisht në dhomën pritëse të BE-së. Kursi europian nuk e shqetësoi udhëheqjen serbe të thellojë marrëdhëniet tradicionale me Rusinë. Kështu Beogradi nuk iu bashkangjit sanksioneve kundër Moskës, jo shumë larg organizoi një paradë madhështore për vizitën e Putinit, si edhe kreu trajnime të përbashkëta me ushtrinë ruse. "Serbia i përmbush kushtet për të qenë një mediatore e ndershme në këtë krizë", ka thënë Lamberto Zannier, Sekretar i Përgjithshëm i OSBE-së. Një ndërmjetësues neutral regjistron ankesat si majtas ashtu edhe djathtas, dhe vetëm kështu mund të jesh produktiv, shprehet Zannier në një intervistë për Deutsche Welle.

Edhe Dragan Simeunovic, politolog në universitetin e Beogradit i lëshon Serbisë dëftesën e ndërmjetësueses. "Ky vend jo vetëm që ka marrëdhënie të mira me të dyja palët në konflikt, por ka përjetuar situata të tilla, si tani Ukraina." Këtë mësim të hidhur Beogradi e mësoi me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe shkëputjen e Kosovës. Serbia sigurisht nuk mund të jetë një "decision maker" - ajo që merr vendimet, por ky vend mund të japë një kontribut të rëndësishëm për paqen, thotë Simeunovic në bisedë me Deutsche Wellen. "Jeta, historia dhe përrallat na mësojnë se nganjëherë edhe të vegjlit mund të bëjnë diçka për të mëdhenjtë."

Detyra e Herkulit

Por jo të gjithë besojnë në përralla. "Fuqitë europiane që japin tonin, si Franca apo Gjermania vazhdojnë të qëndrojnë në dialog të drejtpërdrejtë me Moskën dhe nuk kanë nevojë për ndërmjetësues", mendon Dušan Reljić, drejtues i zyrës së Brukselit të fondacionit, "Shkenca dhe politika". "Shtete të vogla si Serbia, të cilat kanë vetë probleme si të brendshme ashtu edhe të jashtme- kujto Kosovën, vështirësitë ekonomike -nuk mund të japin ndonjë kontribut shumë të madh në zgjidhjen e problemeve globale, edhe po qe se marrin sipas radhës kryesinë e OSBE-së", shprehet i deziluzionuar, Dušan Reljić.

Megjithë lajmet e fundit të mira nga Ukraina - si shkëmbimi i të burgosurve- nuk hiqet përshtypja se gjetja e një zgjidhjeje diplomatike është një sfidë, më të cilën kanë probleme lojtarë më të mëdhenj globalë se Serbia. As Moska, as Kievi nuk lëvizin nga pozicionet e tyre, kur bëhet fjalë për çështjen themelore - statusin e Krimesë dhe zonave lindore ku luftohet, Luhansk dhe Donjeck. Politologu serb thotë Simeunovic thotë se "në këtë moment si Kievi ashtu edhe Moska janë mjaft këmbëngulës".

Grafite proruse në Beograd

Grafite proruse në Beograd

OSBE pa alternativë

Cila mund të jetë zgjidhja? Ruajtja e fytyrës- është shprehja më tipike e konsumuar e diplomatëve dhe analistëve. A është kjo e mundur? Kreu i OSBE-së, Zannier nuk pranon të bëjë propozime të vetat. Diplomati i lartë italian preferon më mirë të jetë moderator i padukshëm kur pyetet.

Si është puna me Krimenë? - Edhe kjo çështje mbetet në axhendë.

Çfarë roli kanë sanksionet, frenues apo ndihmues? - Kanë ndikim.

Kur mund të kemi një zgjidhje? - Kjo ndoshta do të zgjasë.

Do të jetë një detyrë e vështirë për OSBE. Dušan Reljić është i mendimit se për dialogun SHBA-Rusi-Europë OSBE nuk ka një platformë të përshtatshme. "Për një kohë të gjatë perëndimi e la OSBE-në të kthehej një klub diplomatik muhabetçinjsh. Nuk besohej se Rusia pas fundit të Luftës së Ftohtë do të hiqte dorë nga ujdi bazike me perëndimin, megjithë problemet serioze si intervenimi i NATO-s në Serbi në vitin 199, apo intervenimi rus kundër Gjeorgjisë në vitin 2008." Tani duket OSBE shpresa më e madhe për rikhimin në normalitet.

Ndërkohë që të dyja palët betohen për zgjidhje diplomatike, OSBE e ndjeu hendekun paradoksal mes retorikës dhe fakteve. Organizata vërtet gëzon prej një viti zyrtarisht mbështetjen e Ukrainës dhe Rusisë, si edhe të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, por në terren luftimet vazhduan. "Ne nuk mund ta detyrojmë paqen", thotë Zannier. "OSBE mund të ndërmjetësojë, por janë aktorët kryesorë ata që duhet ta çojnë përpara çtensionimin e situatës." Ndoshta me ndihmën e Serbisë.