1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia kritikon kushtet e BE-së: Po kërkohet spastrim etnik

Një zyrtar i lartë serb, ka kritikuar ashpër politikën e Perëndimit mbi Kosovën, duke e cilësuar si spastrim etnik.

Zëvendëskryeministri serb Ivica Dacic

Zëvendëskryeministri serb Ivica Dacic

Zëvendëskryeministri serb Ivica Dacic ka thënë se kushtet e vendosura ndaj Beogradit zyrtar, për të hyrë në BE, janë njësoj si ti kërkosh serbëve të Kosovës që të largohen nga shtëpitë.

"Ky është një mesazh i BE për serbët që të largohen nga Kosova…dhe edhe pse këto deklarata vijnë nga zyrtarë europianë, është qartazi një thirrje për një tjetër spastrim etnik“ tha zëvendëskryeministri Ivica Dacic, gjatë një turi në Serbinë jugore.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha javën e kaluar se Beogradi duhet të ndalojë përkrahjen për rezistencën që bëjnë serbët e Kosovës ndaj autoriteteve të Prishtinës. Serbët etnikë janë krahasimisht të paktë në numër në krahasim me shqiptarët e Kosovës në këtë shtet, por ata mbeten dominues në pjesën veriore dhe shpesh kanë sjellë probleme për Prishtinën.

“Disa politikanë europianë "besojnë se serbët e Kosovës bëjnë kështu, sepse janë urdhëruar nga Beogradi”... por unë mendoj se kurrë ata serbë nuk do pranojnë pavarësinë e Kosovës” tha Dacic.

Ivica Dacic drejton Partinë Socialiste, një aleate e koalicionit qeverisës që dominohet nga Partia Demokratike e Presidentit Boris Tadic. Socialistët qeverisën Serbinë në vitet 1990, kur lideri i atëhershëm Slobodan Milosevic, e mbajti vendin të lidhur me luftërat e Jugosllavisë dhe e izoloi  nga vendet e tjera. Ishte pikërisht lideri famëkeq që solli edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë që i hapi rrugë pavarësisë.

Pas vizitës së Merkel në Beograd, presidenti serb Tadic tha se vendi i tij nuk do të shpërbëjë strukturat paralele në veriun e Kosovës, edhe pse insistoi se Serbia do të vazhdojë të ndjekë objektivin e saj, për të hyrë në BE.

Në një kohë që aleanca e brishtë politike e Boris Tadic po i afrohet zgjedhjeve, presidenti serb po shpresonte për lajme të mira nga Merkel, në lidhje me aspiratat për në BE, dhe jo kushtet e vështira që kancelarja formuloi. Këshilli i Sigurisë kishte parashikuar një debat mbi kosovën të hënën, por që u shty për shkak të uraganit Irene. Me ndihmën e aleates së saj Rusisë, Serbia pritet të hedhë fajin mbi Kosovën për trazirat e fundit në veri.

Autor: dpa / Aurel Boriçi

Redaktoi: E. Xhani