1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia fushë shahu e të fuqishmëve

Serbia konsiderohet tradicionalisht si mike e Moskës, por pragmatizimi e shtyn të bëhet edhe mike e Perëndimit.

Kryeministri aktual serb Aleksandar Vuçiq, dikur nacionalist radikal, pjesë e politikës së të cilit ishte dashuria për Rusinë dhe urrejtja për Amerikën, u shpreh pas një qëndrimi triditor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një partneritet me "miqtë tanë amerikanë".

Vizita në Uashington i ngjan një kthese. Sepse Serbia konsiderohej kryesisht si shtet klientelist i Moskës. "Gazi është një nga arsyet kryesore për kthimin e lojrave strategjike në Ballkan," thotë Milan Ćulibrk, kryeredaktor i gazetäs javore të Beogradit "NIN". Ashtu si vendet e tjera të rajonit Serbia është e varur nga gazi rus, i cili rrjedh nëpër rrugët e pasigurta përmes Ukrainës.

Dhe Serbisë ky gaz nuk i shitet me çmime vëllazërore. Kjo është arsyeja pse pushtetmbajtësit serbë i kishin vënë prej vitesh shpresat e tyre në ndërtimin e gazsjellësit South-Stream-Pipeline - që pritet të sjellë gaz nga Deti i Zi dhe Bullgaria për në Serbi. Por projekti South-Stream-Pipeline dështoi për shkak të rregullave të BE-së dhe Gazprom njoftoi se në vitin 2019 do ta ndërpresë transportimin e gazit përmes Ukrainës.

"Serbia është e detyruar të kërkojë për alternativa" - tha Ćulibrk për DW-në. Një mundësi është gazjellësi rus përmes Turqisë, nëse ky realizohet. Një tjetër është gazsjellësi transadriatik, që pritet të sjellë gaz nga Azerbajxhani. Një mundësi tjetër është gazi i lëngshëm nga SHBA që do të sillej me anije." Kërkimin e burimeve të tjera të gazit kryeministri Vuçiq e quan "diversifikim". Por shumë e shohin atë si një largim nga Rusia dhe një aleancë me SHBA. Gazeta më e madhe e Serbisë "Blic" shkruante në faqen e parë: "Lamtumirë, shoku Putin".

"

Vučić nuk solli nga SHBA vetëm ide të reja për energji alternative, por pas takimeve me politikanë dhe sipërmarrës amerikanë u shpreh për mbështetjen amerikane dhe një integrim më të shpejtë të Serbisë në BE.

Lidhje vëllazërore dhe pragmatizëm

Megjithë partneritetin e zbukuar rishtaz me SHBA-në, lidhjet historike dhe kulturore të serbëve dhe rusëve - dy popuj sllavë dhe ortodoksë - janë ende shumë të forta dhe të thella.

Një anketim tregoi se më shumë se 50 për qind e qytetarëve serbë kanë mendim pozitiv për Rusinë. Moska vlerësohet edhe për shkak se edhe ajo e si dhe Beogradi e konsideron Kosovën ende si territor serb. Megjithatë sot Kosova është më tepër një ritual në politikën e Serbisë, thotë Jelica Minić nga OJQ-ja "Lëvizja Europiane". Për këtë arsye "gjesti i vullnetit të mirë" nga ekonomia amerikane mund ta ndryshojë këtë qëndrim, sepse "marrëdhëniet emocionale janë vërtet të rëndësishme, por njerëzit janë kryesisht pragmatikë - dhe mbështetja i takon atij që mundëson mbijetesën e ekonomisë kombëtare," thotë ai për DW-në.

Në mes të dy zjarreve

Ekspertët mendojnë se Serbia dhe i gjithë Ballkani janë bërë pas shpërthimit të krizës në Ukrainë përsëri interesantë për fuqitë globale. Ky rajon është "in the line of fire" - tha ministri i Jashtëm John Kerry në muajin shkurt. Gazeta "Blic" shkruan se Serbia gjendet nën një presion të madh nga të dyja palët. "Perëndimi thotë se Serbia ka të drejtën e saj për të pasur miqësi me Rusinë; rusët thonë se se ata nuk kanë gjë kundër një anëtarësimi të Serbisë në BE. As njëra palë as tjetra nuk thotë të vërtetën" - shkruan gazeta. Edhe Milan Ćulibrk është i shqetësuar: "Ballkani mbetet një zonë ku interesat e më të fuqishmëve ndërthuren në një rrjetë të madhe të padepërtueshme.

Dhe loja vazhdon: direkt pas vizitës në SHBA kryeministri serb Vučić mori një ftesë për vizitë në Moskë nga homologu i tij rus Dimitri Medvedev. Në mes të muajit maj në Beograd ishte për vizitë ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Dhe në fillim të korrikut në Beograd do të jetë për vizitë kancelarja Angela Merkel.

DW.COM