1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia: Edhe me BE-në edhe me Rusinë

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov u takua në Moskë me homologun e tij serb Vuk Jeremiq. Ata biseduan edhe për Kosovën. Të shtunën në kryeqytetin rus mbahet edhe një liturgji për Kosovën.

default

Qëndrimet e Rusisë dhe Serbisë për Kosovën janë në tërësi të njëjta, u shprehën në Moskë Sergej Lavrov dhe Vuk Jeremiq. Në një takim të përbashkët me gazetarë ata theksuan se "çështja e Kosovës mund të zgjidhet vetëm në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe në dialog me Beogradin."

Lavrov tha se Rusia e mbështetë kërkesën e Serbisë që të hetohen deri në fund akuzat për trafikim me organe njerëzore gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Moska angazhohet që për këtë çështje të nxirret një rezolutë e posaçme edhe në KS të OKB-së. Lavrov shpreson se një rezolutë të këtillë do të mbështesin edhe vendet perëndimore, sepse "fjala është për shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut."

Edhe me BE edhe me Rusi

Në foto, Vuk Jeremiq

Në foto, Vuk Jeremiq

Jeremiq u shpreh se në raportet mes Moskës dhe Beogradit nuk ka pasur kurfarë ndryshimesh, pas marrjes së vendimit në Bruksel që Serbisë t'i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE. "Proceset evropiane janë një ndër prioritetet e Serbisë. Por Beogradi pret që miqësia dhe mbështetja ruse të vazhdojnë", theksoi Jeremiq.

Ministrat thanë se mes këtyre dy vendeve po vazhdon një dialog intenziv politik për politikën rajonale dhe botërore. Sipas tyre, edhe raportet ekonomike mes Rusisë dhe Serbisë janë në rritje dhe po shtohet niveli i investimeve ruse në Serbi, në veçanti në sektorin e energjitikës.

Jeremiq do të takohet në Moskë edhe me përfaqësuesit fetarë ortodoksë. Në Moskë të shtunën do të mbahet edhe një liturgji kushtuar përvjetorit të tetë të ngjarjeve të 17 marsit 2004 në Kosovë, me ç'rast janë vrarë 19 civilë dhe janë djegur e shkatërruar shumë kisha dhe shtëpi private.

Autor: Agjencitë e lajmeve / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti