1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia e zhgënjyer dhe e hidhëruar me vendimin e BE-së

Serbia është e dëshpëruar me shtyrjen e vendimit për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjermania shihet në opinionin serb si fajtori kryesor.

Eine serbische- und zwei EU-Flaggen. Foto von unserer Korrespondentin Marina Maksimovic. Zulieferer: Sanja Blagojevic Eingestellt: Januar 2011

Flaggen Serbien EU

Serbia është e dëshpëruar dhe e zemëruar. Këto janë emocionet e deritanishme, që vërehen në skenën politike pas vendimit të Këshilit të Evropës, që Serbisë të mos i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE. Në media kanë vërshur reagimet emocionale, ku politikanët po përpiqen të bindin popullin serb se ky nuk është ndonjë vendim tepër i keq i Brukselit. Megjithëse disa prej reagimeve janë tepër emocionale, në të shumtën e rasteve thuhet se ky nuk është fundi i përpjekjeve të Serbisë për t'u anëtarësuar në BE.

Të njëjtat probleme do të jenë edhe në mars të vitit të ardhshëm

Komisioneri i zgjerimit Stefan Süle dhe kryeministri i Serbisë Mirko Cvetkovic

Komisioneri i zgjerimit Stefan Süle dhe kryeministri i Serbisë Mirko Cvetkovic

Qeveria po përpiqet tani të zvoglojë dëmin politik nga ky vendim, thotë për Deutsche Wellen Vladan Marjanoviq, kryeredaktor i revistës politike VIP. Por vendimi për Serbinë është pasojë edhe e mosmarrëveshjeve brenda vetë BE-së. Nga ana tjetër shtrohet pyetja se çfarë do të ndryshojë deri në mars të vitit të ardhshëm dhe a do të përmirësohen raportet me Prishtinën brenda një kohe kaq të shkurtër?

„Kur shikon kushtet, që janë paraqitur, nuk mendoj se do të plotësohen shumë shpejt. Angela Merkel ka kërkuar prej Beogradit shpërbërjen e institucioneve të Serbisë në veri të Kosovës. Unë nuk shoh ndonjë rrugë, se si kjo qeveri do të realizojë këtë kërkesë. Në këtë mënyrë Serbia do t'ia merrte vetes sovranitetin, që ka në këtë pjesë të Kosovës. Mendoj se në shkurt, apo në mars do të kemi një situatë të ngjashme me atë, që kemi tani dhe problemet për Serbinë do të jenë të njëjta", pohon Marjanoviq.

Cilat kushte mund të plotësohen?

Serbia deri në mars duhet të përqendrohet në realizimin e të gjitha gjërave të mundshme, pohon Jelena Miliq, drejtore e Qendrës për Studime Euroatlantike në Beograd. Ajo duhet të ndërprenë kritikat e ashpra në radhë të parë ndaj Gjermanisë dhe të ndërprejë përpjekjet për të justifikuar veten para opinionit.

"Mendoj se kjo fushatë duhet të ndalet sa më parë. Vala e kritikave ndaj Gjermanisë duhet të ndalet dhe duhet të fokusohemi tek realizimi i interesave të Serbisë dhe implementimi i marrëveshjeve të arritura në dialog. Do të ishte budallallëk i madh, nëse përpiqemi të getoizojmë institucionet e Kosovës, të cilët i kemi njohur edhe vetë duke u futur në dialog teknik me to“, pohon Miliq.

Raportet gjermano - serbe nuk janë ngarkuar

Kancelarja Angela Merkel gjatë vizitës në Beograd

Kancelarja Angela Merkel gjatë vizitës në Beograd

Vladan Marjanoviq mendon se qëndrimet e tanishme kundër Gjermanisë janë të ngjashme me qëndrimet e para disa muajve kundër Holandës, për shkak të mungesës së bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës. Qëndrimet e këtilla nuk janë të parpritura, sepse Gjermania këtë verë ka paraqitur kërkesa shumë të qarta ndaj Beogradit, thotë ai.

Marjanoviq megjithatë nuk e beson se do të ketë pasoja konkrete të rënda në raportet mes Berlinit dhe Beogradit. Sa i përket aspektit ekonomik, Gjermania është një partner shumë i rëndësishëm për Serbinë. Prandaj është pak e besueshme që Gjermania të rishikojë investimet e saj në Serbi për shkak të mosmarrëveshjeve të fundit politike.

Topi në fushën e Partisë Demokratike të presidentit Tadiq

Tani Beogradi, më konkretisht Partia Demokratike, e ka rradhën të veprojë thotë Jelena Miliq. Plani i Ahtisaarit, respektivisht propozimet e ministrit të Jashtëm suedez, Carl Bildt, janë maksimumi, që Serbia mund të përfitojë në veri të Kosovës.

„Mendoj se nuk ka hapësirë që serbët në veri të bëhen partner i tretë. Beogradi dhe Prishtina janë ato, të cilat mund të arrijnë marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare. Këto janë oferta, të cilat mund të dështojnë, në qoftë se tregohemi tepër kokëfortë dhe nacionalistë", pohon Miliq.

Autor: Ivica Petrovic/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica