1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia e akuzon Kroacinë për gjenocid

Padisë së Kroacisë kundër Serbisë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime dhe gjenocid, Beogradi iu përgigj këto ditë me kundërpadi për krime dhe gjenocid të Kroacisë ndaj serbëve që kanë jetuar në këtë vend

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë

Serbia kërkon të ndriçohen edhe zhvillimet para vitit 1948

Në vend të urimeve, Serbia dhe Kroacia në kohën e ndërrimit të motmoteve, shkëmbyen akuza dhe shumë fjalë të rënda. Si kundërpërgjigje ndaj padisë së Kroacisë edhe Serbia ka ngritur pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë padi për krime dhe gjenocid kundër serbëve. Vendimi është marrë, sipas burimeve serbe, pas konsultimeve mes Presidentit Boris Tadiç dhe Kryeministrit Mirko Cvetkoviç. Drejtori i Institutit për Politikë dhe Ekonomi Ndërkombëtare në Beograd, Dushko Dimitrijeviç shpjegon se padia:

„në radhë të parë ka të bëjë me zhvilimet në Knin, Sllavoni dhe Dalmaci, ku janë bërë spastrime sistematike etnike të një pjese të popullatës serbe, të cilët janë dëbuar nga këto hapësira."

Kroacia dhe Serbia e akuzojnë njëra - tjetrën për gjenocid, por me argumente të ndryshme: Kroacia i referohet luftës së viteve 90-të, ndërsa Serbia jo vetëm kësaj, por edhe krimeve të Luftës së Dytë Botërore. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë merret vetëm me zhvillimet pas vitit 1948, por pala serbe ëshë e mendimit se duhen ndricuar edhe zhvillimet në periudhën prej vitit 1941 deri 1945. Dimitrijeviç pohon se në Kroaci janë bërë krime, por jo edhe gjenocid.

„Jam thellësisht i bindur se gjenocid nuk ka pasur, por ka pasur krime të rënda. Nuk e di saktësisht përmbajtjen e kundërpadisë serbe, por e di që padia e Kroacisë ka dhe ngjyrosje politike“.

E vështirë për t'u dëshmuar akuza për gjenocid ndaj kroatëve?

Pala kroate shprehet se Serbia nuk do të mund të dëshmojë akuzat e saja. Presidenti kroat Stjepan Mesiç theksoi se ushtarët kroatë "nuk kanë shkuar në Serbi për të vrarë njerëz, për të djegur shtëpi apo për bombarduar qytete. Serbia do ta ketë shumë vështirë të dëshmojë pohimet për gjenocid, sepse në interesin e Millosheviçit ishte që serbët të largohen nga Kroacia. Millosheviçi ka dashur që ta spastrojë etnikisht Kosovën, t'i largojë dy milionë shqiptarë dhe t'i vendosë atje serbët e Kroacisë", theksoi Mesiçi.

Kosova ka luajtur kohët e fundit një rol të veçantë në përkeqësimin e raporteve mes Serbisë dhe Kroacisë. Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç e quajti si më të dëmshmen dëshminë e Kroacisë në Gjykatën në Hagë në favor të pavarësisë së Kosovës. Pala serbe në veçanti ishte e pakënaqur me argumentimet e përfaqësueses kroate, Anbdreja Metelko-Zgombiç se Kosova kishte të drejtën e vetëvendosjes që në kohën e ish - Jugosllavisë.

"Sipas kushtetutës së vitit 1974 të RSFJ-së, Kosova ishte pjesë konstitutive e ish - federatës, me një autonomi të lartë politike dhe ekonomike. Si e tillë Kosova kishte një nivel të lartë elementesh si të gjitha republikat."

Për palën serbe është e papranueshme edhe vizita e paralajmëruar e Presidentit kroat në Kosovë. Sidoqoftë, ekspertët pohojnë se me padi dhe kundërpadi nuk mund të normaliziohen raportet. Eksperti gjerman i së drejtës ndërkombëtare, Christian Tomuschat, pohon:

„Paditë nuk do të tërhiqen, sepse opinioni i gjërë në të dyja shtetet bën presion ndaj qeverive që të godasin palën tjetër dhe të dëshmojnë se fajtor nuk ishte vetëm njëra palë. Proceset do të mbahen, por Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do t'i trajtojë me një kujdes të posaçëm. Më në fund është e mundur që pas disa vitesh, të dy shtetet të tërheqin paditë e tyre", pohon Tomuschat.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 06.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LMcb
  • Data 06.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LMcb