1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Serbia duhet t'u bëjë thirrje serbëve që të heqin barrikadat"

Qeveria e Kosovës mendon se dialogu me Serbinë duhet të jetë më thelbësor, ndërsa i kërkohet bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë presion mbi Serbinë, që të zbatojë marrëveshjet.

default

Analistët politikë në Kosovë, janë të mendimit se nëse Serbia nuk u bënë thirrje serbëve të veriut që të largojnë barrikadat në rrugë, atëherë do ta ketë vështirë që ta sigurojë kandidaturën për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vendimi për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, pritet të merret me nëntë dhjetor në një takim të këshillit të ministrave të BE-së. Një nga kushtet, që i janë vënë Serbisë është edhe përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën në kuadër të dialogut teknik. Deri në fund të këtij muaji pritet edhe një raund i ri bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në takimin e fundit, që u mbajt në Bruksel, u arrit pajtimi për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe siç u tha, është shënuar përparim në debatet rreth pjesëmarrjes së Kosovës në forumet rajonale. Por nuk është shënuar ndonjë përparim në çështjen më të diskutueshme, atë të vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pengesë për këtë është edhe kundërshtimi i serbëve të Kosovës që më muaj po mbajnë të barrikaduara të gjitha rrugët në veri duke bllokuar qarkullimin e lirë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë, Naim Rashiti, thotë se Beogradi do të vihet në situatë që të bëjë thirrje për heqjen e tyre.

Serbia duhet tu bëjë thirrje serbëve që të heqin barrikadat nga rrugët

Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë, Naim Rashiti

Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë, Naim Rashiti

“Serbia do të detyrohet që të bëjë thirrje publike dhe presion mbi strukturat e veta, por edhe strukturat që nuk i kontrollon në veri që barrikadat të hiqen. Nëse nuk ndodh kështu, nëse nuk ka një angazhim të mjaftueshëm dhe serioz, që mund të vlerësohet nga disa shtete e në veçanti Gjermania, do të jetë pengesë serioze që ta marrë kandidaturën. Serbia akoma nuk e ka siguruar kandidaturën”, thotë Naim Rashiti.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, gjatë mbledhjes së Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Parlamentin Evropian, tha se Serbia mund të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian vetëm, pasi të ketë zbatuar marrëveshjet e arritura me Kosovën në dialogun Prishtinë-Beograd.

Por a do të vazhdojë dialogu edhe më tej pas datës nëntë dhjetor. Analisti, Naim Rashiti, mendon se dialogu teknik Kosovë-Serbi nuk do të vazhdojë shumë gjatë, ndërsa zbatimi i disa marrëveshjeve, që janë arritur deri tash, megjithatë do t'i mundësojë Serbisë që të ecë përpara në synimet e saj.

Dialogu teknik Kosovë-Serbi nuk do të vazhdojë shumë gjatë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci

“Rundi i fundit i bisedave Kosovë-Serbi është i imponuar nga data e nëntë dhjetorit, kur këshilli i ministrave të BE-së do të takohet dhe Beogradi po e plotëson një prej kërkesave thelbësore për t'u kthyer në tavolinën e bisedave dhe kjo do ta zgjasë edhe një rund, apo dy runde, apo më së shumti një, mandej besoj se dialogu do të mbetet i zbrazët për një kohë të gjatë”, thotë Naim Rashiti.

Autoritetet në Serbi e cilësuan rifillimin e bisedimeve si një përparim, që do të krijojë mundësi për Serbinë, që të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë ndërkaq thotë se bisedimet duhet të jenë më thelbësore.

Dialogu me Serbinë duhet të jetë thelbësor e jo sa për sy e faqe

Barrikada serbe në Rudare

Barrikada serbe në Rudare

“Pala serbe duhet të jetë më konstruktive dhe vullnetin tonë për dialog edhe BE-ja dhe SHBA-së duhet ta çmojnë, por duhet ta rrisin presionin mbi Serbinë. Dialogu duhet të ketë afat kohor, por po ashtu duhet edhe të ketë tema të zgjidhura dhe nuk duhet të jetë sa për sy e faqe”, thotë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Sidoqoftë rifillimi i bisedimeve Kosovë-Serbi, nuk ka ndikuar më asgjë në veriun e Kosovës, ku rrugët mbeten të bllokuara nga serbët lokalë, që kundërshtojnë shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në atë zonë. Nëse barrikadat mbeten edhe pas 9 dhjetorit, sipas analistëve do të jetë një kokëçarje e madhe për bashkësinë ndërkombëtare, Prishtinën e madje edhe për vetë Serbinë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica