1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia kërkon ekstradimin-Haradinaj lirohet por me kusht...

9 Janar 2017

Radio Televizioni i Serbisë bën të ditur se Serbia do t'ua dërgojë në fillim të kësaj jave autoriteteve franceze kërkesën për ekstradimin e Haradinajt. Ndërsa avokati i tij Koci pohon se ai do të lirohet.

https://p.dw.com/p/2VWJ1
Frankreich Kosovarischer Ex-Regierungsschef Haradinaj festgenommen
Fotografi: picture alliance/dpa/AP Photo/J. F. Badias

Autoriteteve franceze të drejtësisë këto ditë do t'u dërgohet kërkesa e Serbisë për ekstradimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në Serbi, ku akuzohet për krime lufte. Këtë lajm e ka bërë të ditur Radio Televizioni i Serbisë, i afërt me autoritetet qeveritare.

Më parë kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar: "Do të kërkojmë ekstradimin e Haradinajt, çfarë tjetër?!" Ndërsa presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq ka theksuar se "Serbia nuk do të heqë dorë nga ekstradimi i Haradinajt". Mediat serbe bëjnë të ditur se autoritetet e Serbisë janë duke përgatitur dokumentacionin, të cilin do ta dërgojnë në Francë.

Koci: Haradinaj mund të lirohet të enjten

Ndërsa avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koci pohon se Haradinaj mund të lirohet të enjten (12.01), por nuk do të kthehet në Kosovë. Të enjten do të mbahet seanca gjyqësore kur do të vendoset lidhur me kërkesën për lirimin e Haradinajt. Koci pohon se Haradinaj do të jetë i lirë, por do të qëndrojë në Francë, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Apelit. "Haradinaj pritet të lirohet me kusht të enjten, kur mbahet seanca gjyqësore ndaj tij”, thotë Koci.

Mediat njoftojnë se lirimi me kusht i Haradinajt ka lidhje me kërkesën e mundshme të Serbisë për ekstradim, e cila për këtë kërkesë ka në dispozicion 18 -  40 ditë. "Pas dorëzimit të të gjitha dokumenteve nga ana e Serbisë, Haradinaj do të dalë sërish para gjykatës, kur edhe pritet vendimi përfundimtar”, njoftojnë mediat.

Ramush Haradinaj, u ndalua nga autoritetet e Francës të merkurën (04.01) në aeroportin Bazel / Muhlhouse, sipas një fletëarresti të lëshuar nga Serbia.