1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia do të luftojë për statusin e kandidatit

Serbia do të luftojë për statusin e kandidatit, deklaroi presidenti serb Boris Tadiq, duke shtuar se ai është optimist, por në këtë moment nuk mund të thuhet se më 9 Dhjetor Serbia edhe do të marrë atë status.

Në foto, Boris Tadiq dhe Herman Van Rompuy

Në foto, Boris Tadiq dhe Herman Van Rompuy

Në foto, presidenti serb Boris Tadiq

Në foto, presidenti serb Boris Tadiq

"Në këtë moment në opinion nuk do të duhej të dërgoheshin mesazhe jorealiste se Serbia me siguri do të marrë me 9 Dhjetor statusin e kandidatit për anëtarësim në BE", theksoi presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, pas takimit me presidentin e Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy në Bruksel. Tadiqi theksoi se deri në takimin e Këshillit të BE-së ku do të vendoset për kandidaturën serbe ka mbetur ende mjaft kohë gjatë së cilës secili mund të kryejë punën e vet dhe shfaqi shpresën se vendet anëtare do të kenë një qasje konstruktive ndaj kësaj çështjeje.

"Nëse më pyesni mua nëse unë jam shumë optimist, unë vetëm mund të them se jam optimist, por shoh edhe rreziqet në tërë këtë proces. Në këtë moment nuk mund të them se Serbia do të marrë statusin e kandidatit më 9 dhjetor. Por mund të them se Serbia do të luftojë që ta marrë këtë status, që është shumë i rëndësishëm që më vonë të hapim perspektivën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian”, tha Tadiq.

BE do të jetë rigoroze në marrjen e vendimeve

Në foto, Herman Van Rompuy

Në foto, Herman Van Rompuy

Ndërsa Herman van Rompuy ka përsëritur edhe njëherë se Këshilli i BE-së në takimin e 9 dhjetorit do të shqyrtojë opinionin e Komisionit Evropian rreth kërkesës së Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për këtë edhe ka kërkuar që Serbia të ndërmarrë hapa të mëtejmë për t'u treguar shteteve anëtare se Beogradi është duke u angazhuar në dialogun me Kosovën. “Edhe pse i pranojmë rezultatet e fundit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, unë e inkurajova Presidentin Tadiq që të marrë hapa të mëtejmë për të siguruar shtetet anëtare të BE'së se Serbia është e angazhuar seriozisht në dialogun me Kosovën dhe se është duke zbatuar në mirëbesim marrëveshjet e arritura deri më tani”, ka thënë Rompuy në një deklaratë për media pas takimit me presidentin serb Tadiq. Rompoy ka përmendur edhe kërkesën kyçe të BE-së për Serbinë në raport me Kosovën –bashkëpunimin rajonal dhe e ka paralajmëruar atë se BE do të jetë rigoroze kur të marrë vendimet.

Apel të gjithëve në veri

Pamje simbolike - Sa afër aq larg

Pamje simbolike - Sa afër aq larg

Presidenti serb nënvizoi në Bruksel se qeveria serbe është duke vazhduar me zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, si dhe Beogradi është duke punuar në gjetjen e zgjidhjeve konstruktive në bazë të rezolutës 1244, të cilat ruajnë integritetin dhe sovranitetin e Serbisë. Në të njëjtën kohë, Tadiqi tha se lajmet e fundit për plagosjen e pjesëtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës nuk i kontribuojnë as marrjes së statusit të kandidatit e as dialogut të përgjithshëm. "Apeloj tek të gjithë serbët në veri të Kosovës, anëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, si dhe përfaqësuesit e Prishtinës që të përmbahen maksimalisht, jo vetëm gjatë këtyre ditëve por edhe në të ardhmen, sepse vetëm me qëndrime të përmbajtura, të qeta dhe racionale mund të arrihet deri tek zgjidhja e problemeve që nuk ekzistojnë nga dita e djeshme por nga një e kaluar e largët", tha Tadiq.

Presidenti serb përsëriti në Bruksel se ai beson në mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të "konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë dhe Metohi", me një qëndrim racional dhe të përgjegjshëm dhe nëse me kujdes shqyrtohen zgjidhjet e mundshme me të cilat Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës por gjen zgjidhje të dobishme si për serbët dhe shqiptarët ashtu dhe për Bashkimin Evropian.

Autor: Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani