1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia është humbësja më e madhe e luftrave të Jugosllavisë

Filozofja Dunja Melcic ka botuar për herë të dytë librin "Lufta e Jugosllavisë", në të cilin 37 autorë japin shpjegime për aspekte të ndryshme të luftrave shpërbërëse të Jugosllavisë

Dunja Melcic, Lufta e Jugosllavisë

Dunja Melcic, Lufta e Jugosllavisë

Deutsche Welle - Në artikullin "Jugoslavizmi dhe fundi i tij" ju keni shkruar se Kosova ka qenë për elitën serbe në vitet tetëdhjetë më e rëndësishme se demokracia. A mendoni se edhe sot ndodh kjo në Serbi?

Dunja Melcic: Sa i përket kësaj pyetje unë do të thoja se ekziston një ndryshim i madh historik. Gjendja historike në vitet 80 -të ishte e ndryshme nga e sotmja. Në atë kohë në Europë ekzistonte një klimë ndryshimesh e cila solli shkatërrimin e sistemin komunist kudo. Edhe në Serbi një pjesë e elitës ishte në atmosferë ndryshimesh, në këto rrethe gjysmëdisidente të asaj kohe, sundonte mendimi që mund të jepet si sllogan se Millosheviçi ose komunistët ishin ata që duhet të zgjidhnin problemin e Kosovës, ndërsa demokracia mund të presë edhe disa kohë. Pra zgjidhjen e çështjes së Kosovës ata e vendosnin para çështjes së demokracisë. Kjo u vërtetua në fakt, elitat e atëhershme, disidente, ose gjysmë disidente mendonin se problemi i Kosovës nuk mund të zgjidhej me mjete demokratike, por me mjete diktatoriale dhe komuniste. Ashtu siç u zhvillua historia, u pa se demokracia për ta nuk ishte shumë e rëndësishme, dhe ata ju nënshtruan Milloshevicit. Sot, është ndryshe. Elitat janë ndryshe dhe e gjithë situata ka ndryshuar. Por ajo që duhet thënë është edhe se Problemi i Kosovës, siç paraqitet sot, është edhe pasojë e politikës së gabuar të perëndmit. Perëndimi ka bërë që nga fillimi koncensione në adresë të serbëve dhe e la problemin e Kosovës mënjanë. Kjo filloi me Komisionin e Badinterit, i cili u morr me shpërbërjen e Jugosllavisë nga pikëpamja konstitucionale. Komisioni nuk u morr fare me Kosovën. Kosova u pa nga perëndimi gjithnjë si pjesë e politikës me Beogradin. Megjithëse Kosova ishte problemi i parë qe duhej zgjidhur. Kosova është sot për Serbinë letra e fundti në dorë, letra me të cilën ajo luan poker me Europën, ose Rusinë dhe fajin për këtë e ka edhe perëndimi. Kosova nuk luan sot ndonjë rol për njerëzit e thjeshtë në Serbi. Të gjithë ne Serbi e dinë që pas 15 vjetësh se Kosova është e mëvetësishme dhe se gatishmëria për të njohur këtë është më e madhe se sa duket.

Deutsche Welle: Pretendimi serb mbi Kosovën bazohet edhe mbajtja artificiale në jetë e Jugosllavisë, fillimisht me Serbinë dhe Malin e Zi e sot me Serbinë. A mendoni se shpërbërja e Jugosllavisë merr fund me Kosovën apo ka ende rajone që mund të vazhdojnë të shkëputen, si Vojvodina ose Republika Serpska?

Dunja Melcic: Unë mendoj se paralelizma të tilla nuk mund të bëhen më. Jugosllavia u shpërbë në pjesët e saj përbërëse, dhe nëse ky proces do të ishte parë që në fillim si i tillë prej forcave që vendosin rendin në botë, ose prej politikanëve perëndimore, atëherë nuk do të kishte ndodhur kaq shumë gjakderdhje. Sa i përket Vojvodinës, duhet thënë se ajo është bërë tashmë pjesë e Serbisë, atje nuk ka çfarë shkëputje të bëhet, dhe nuk ekzistojnë as lëvizje në drejtim të tillë. Mbase në Vojvodinë mund të flitet për spastrim etnik të heshtur, por mendoj se atje nuk ekziston ndonjë potencial konflikti. Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, ky është një problem me të njëjtin kualitet, sepse forcat e perëndimit e lejuan krijimin e këtij para-shteti të mbështetur tek krimi, spastrimi etnik, që u njohu megjithëse jo si shtet por si etnitet brenda shtetit, të cilin e bën vazhdimisht instabil. Shkeputje të Republika Srpskas me siguri nuk do të ketë sepse presioni ndërkombëtar është shumë i madh dhe kjo do të varet edhe se si do të reagojë Serbia. Unë mendoj se edhe nëse do të donte Serbia nuk ka forcë që të ndjekë politikë ofensive dhe të kërkojë të bashkohet me Republika Srpskan.

Deutsche Welle: Serbët e ndjejnë veten sikur të ishin humbësit më të mëdhenj të luftës në ish- Jugoslavi. Si mendoni si mund të ndihmohen serbët në këtë pikë?

Dunja Melcic: Unë nuk mendoj se serbët duhen ndihmuar në këtë pikë. Unë mendoj se fajin e ka politika e perëndimit që bën vazhdimisht përjashtime për Serbinë, duke e trajtuar gjithnjë me prioritet. Shihni Maqedoninë, Maqedonia ka qenë paqësore, ka respektuar kushtet, e megjithatë nuk ka ndonjë pozicion të preferuar tek europianët. Trajtimi i ndryshëm dhe privilegjimi i serbëve është i gabuar dhe unë nuk do këshilloja që të ndiqet edhe më tej kjo politikë, por për fat të keq bëhen gjithnjë përjashtime për Serbinë si për shembull në bisedimet me BE. Megjithëse ka dëshmi të mjaftueshme për të treguar se kjo është metoda e gabuar. Disa muaj më parë për shembull Serbia u pranua në Partneritet për Paqe, megjithëse nuk i plotësoi kushtet, pra nuk e dorëzoi Mlladicin. Çfarë ndodhi pastaj? Koshtunica dhe idhtarët e tij, dhe shumica e parlamentit proklamuan neutralitetin, që do të thotë kundër pranimit në Nato. Kjo mund të ndodhë sërish, nëse Tadiç do të mundë me një shumicë shumë të vogël ndaj Nikoliçit, kjo nuk do të ishte fitore e demokracisë, prandaj unë mendoj se nuk duhet vazhduar mbështetja e këtyre forcave në Serbi. Serbia duhet ta kuptojë se i ka humbur luftrat, se në këtë mënyrë është dhe humbësja më e madhe, dhe se për këtë e kanë fajin vetë. Por në Serbi, ekziston një forcë demokrate, që është e vogël por shumë e pjekur dhe shumë politike. Këta njerëz duhen mbështetur, një pjesë e tyre janë intelektualë, por edhe të organizuar në Parti, në Partinë liberale të Çedo Jovanoviç, pra këta janë ata që duhen mbështetur, më shumë se deri tani.

  • Data 31.01.2008
  • Autor Intervistën e zhvilloi Aida Cama
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D0MD
  • Data 31.01.2008
  • Autor Intervistën e zhvilloi Aida Cama
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D0MD