1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbi: Varri masiv në Rudnica dhe shqiptarët e zhdukur

Në fshatin Rudnica në Serbi është zbuluar një varr masiv. Gërmimet do të mund të tregojnë për fatin e qindra shqiptarëve të humbur gjatë luftës së Kosovës.

Pushtetmbajtëstit e Beogradit në vitin 1999, pas humbjes së Luftës së Kosovës, kishin edhe një detyrë të fundit për ushtrinë dhe milicët: të transportonin në Serbi trupat e vrarë të civilëve shqiptarë, për të zvogëluar përmasat e krimit. Kjo i përkiste së ashtuquajturës "strategjia e tërheqjes së trupave të armatosura", të cilën e urdhëroi autokrati Slobodan Millosheviç pas sulmeve ajrore të NATO-s dhe marrëveshjes së paqes.

Lufta e përgjakshme në Kosovë shënoi më shumë se 13.500 viktima, mes të cilëve 10.000 shqiptarë. Në 15-të vitet e fundit janë zbuluar trupat e 1200 shqiptarëve. Fati i 1500 të humburve të tjerë ende nuk është i qartë.

Krim shtetëror

Në Rudnica, një fshat në Jug të Serbisë, në afërsi me Kosovën, të enjten (24.04.2014) filluan kërikmet pranë një guroreje të një firme ndërtimi shtetërore. Sipas të dhënave të një dëshmitari të marrë në mbrojtje, atje gjenden 400 viktima. Në Rudnica më parë janë gjetur pjesë nga trupat e gjashtë viktimave. Dy prej tyre iu bënë analizat e ADN dhe rezultuan se u përkisnin dy shqiptarëve të humbur në luftën e Kosovës. Shefi i kërkimeve Andrej Starović thotë se janë duke u kërkuar edhe prova për të gjetur kriminelët. "Makinat që mund të kenë transportuar këtu viktimat kanë lënë gjurmë. Ka edhe prova të tjera, si pjesë rrobash dhe plumba", tha ai në një intervistë për Radio Europa e Lirë.

Flitet për krime masive, që me siguri kanë qenë të organizuar, thotë gazetarja nga Boegradi Milica Jovanović, e cila shkruan për portalin online liberal të majtë Peščanik. "Për të bërë varre masive, nevojitej logjistikë, njerëz dhe makineri. Por në Serbi kjo pyetje nuk shtrohet fare: Sa të përfshira ishin strukurat shtetërore në organizmin e krimeve kundër shqiptarëve?", thotë Jovanović në një intervistë për DW. Strategjia e Beogradit është hipokrite: herë pas herë sqarohen krime të ndryshme dhe dënohen vetëm përgjegjësit direkt, por nuk flitet asnjëherë për përgjegjësinë shtetërore në këto krime të tmerrshme.

Gërmime në Rudnica

Gërmime në varrin masiv në Rudnica

Nëse supozimet për numrin e viktimave në varrin masi të Rudnicës do të konfirmohen, atëherë ky do të jetë varri i dytë masiv më i madh i zbuluar deri tani në Serbi. Në Batajnica afër Beogradit, u zbuluan rreth 1000 viktima. Trupa të tjerë u gjetën në liqenin Perućac, po ashtu edhe në një kamion frigorifer anës Danubit. Një dëshmitar i rëndësishëm, shofer i ushtrisë serbe, i cili sot jeton me një identitet tjetër në një vend të BE, në vitin 2001 përshkroi për shtypin serb se si kishte transportuar qindra viktima në qytetin industrial Bor, që mendohet se janë djegur në furrat e djegies. "Unë duhet të udhëtoja gjithnjë natën nga Kosova në Bor. Në urdhër thuhej vetëm 'Konfidencial!'. Shumë shpetj kuptova se transportoja viktima."


Kriminelët do të mbajnë përgjegjësi

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia para gjashtë vitesh. Edhe pse Serbia nuk njeh sovranitetin e shtetit më të ri në Europë, qeveritë e të dy vendeve kanë zhvilluar bisedime në Bruksel. Mes nesh nuk mund të ketë dashuri, por besim po, deklaroi në një intervistë për DW kryeministri serb Aleksandar Vuçiç. "Unë mund tu siguroj juve se nuk do të kursehet asnjë kriminel. Çdokush që ka bërë një krim do të mbajë përgjegjësi", deklaroi Vuçiç. Parlamenti në Prishtinë nën presionin ndërkombëtar, votoi themelimin e një gjykate të krimeve të luftës, edhe pse publiku dhe pjesa më e madhe e politikanëve ishin kundër.

Si pala serbe dhe ajo kosovare duhet të zhvillojnë një proces të besueshëm për të çuar në qeli të gjithë kriminelët e luftës, thotë Ilir Deda, Drejtor i Institutit për Studime Politike në Prishitnë. "Në të vërtetë çështja e të zhdukurve duhet të ishte e para në tryezën e bisedimeve. Më pas dy shtetë dhe qytetarët e tyre mund të kenë marrdhënie normale", thotë Deda në një intervistë për DW. Por ende fati i shumë të zhdukurve gjatë luftës, është ende i panjohur. E përjavshmja e Beogradit Vreme para 13 vitesh shkruante: "Problemi me të vdekurit është se ata ulërasin dhe kërkojnë drejtësi."