1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbi: Miqësi në kampin e të pashpresëve

Ende në Serbi ka njerëz që jetojnë në kampet e e refugjatëve të ngritura në kohën e luftës së Jugosllavisë. Tani atyre u janë bashkuar refugjatë nga vende të tjera që nuk kanë mundur të arrijnë në Europë.

Kampi i të pashpresëve, i të dëshpëruarve: Këtë emër i kanë vënë kampit të refugjatëve në Krynjatsha në afërsi të Beogradit. Fillimisht ai u ngrit për refugjatët në kohën e luftërave të Jugosllavisë para më shumë se 20 vjetësh, por sot aty janë strehuar refugjatë nga Pakistani, Afrika Veriore dhe Somalia.

Fahim Mode është një i ri somalez që ka disa muaj që ka ardhur në Serbi. "Kam ngecur tani këtu", thotë ai. Autoritetet serbe e lejojnë vazhdimin e udhëtimit vetëm për refugjatë nga Iraku, Afganistani dhe Siria që mund të kërkojnë azil në Europë. Por Fahimi nuk do të kthehet në vendlindje. Arsyet janë të qarta. "Qëkur kam lindur unë, në Somali nuk ka pushuar lufta. Atë Afrikën e bukur unë e njoh vetëm nga filmat. Andej nga vij unë njerëzit vuajnë nga uria. Jam plagosur nga cifla granate, ende i kam plagët në bark."

Serbische Flüchtlinge aus Kroatien in Krnjaca bei Belgrad

Prej 20 vjetësh çifti serb jeton në një dhomë të vogël

Në kampin e refugjatëve krahas Fahimit jetojnë edhe Dushanka dhe Milan Pjevalica, një çift serb. Dikur ata banonin në një fshat rreth 300 kilometra larg Krajinës, dhe jetonin në paqe me kroatët. Por me fillimin e luftës në Jugoskavi ata morën arratinë. Ushtarët kroatë na shkatërruan shtëpinë, thonë ata. Që nga ajo kohë çifti jeton në kamp - në një dhomë shumë të vogël. "Në këtë dhomë kemi gjithçka: kuzhinën, dhomën e ndjenjjes dhe dhomën e gjumit. Edhe në burgje gjen krevatë më të mirë se këtu", thotë Dushanka Pjevalica:

Miqësi me refugjatë nga vende të tjera

Më shumë se 100 refugjatë nga koha e luftërave të Jugosllavisë jetojnë ende në kampin e Krynjatshës. Prej disa muajsh ata e ndajnë kampin me refugjatë të tjerë nga vende të largëta. Të bashkuar pa dëshirë - nga lufta, mjerimi dhe dëbimi, por edhe të hapur për miqësi të reja ndërkohë, si miqësia që ka lindur mes çiftit serb, Milan dhe Dushanka dhe Fahim Modes, të riut somalez. "Unë i përshëndesja gjithmonë, një ditë ata më ftuan për një kafe. Kështu e njoha këtë familje dhe mësova se pse ata jetojnë ende në kamp. Filluam të miqësohemi, tani ata janë si një familje për mua", rrëfen Fahimi fillimin e kontaktit me çiftin serb.

Edhe Dushanka Pjevalica e njeh ndërkohë jetën e somalezit dhe shpreson të jetë aty për të në rast nevoje. "Fahimi na ka treguar historinë e tij, si i ka vdekur nëna, më vjen shumë keq që ai ndodhet në një situatë të tillë. Më e pakta që mund të bëj për të është ta dëgjoj dhe ndihmoj."

Shpresa për daljen nga kampi

Kështu të dyja palët i japin kurajë njëri-tjetrit dhe përpiqen t'i ikin trishtimit të gjendjes. Rade Ciric, drejtori i kampit është i vetëdijshëm për gjendjen e vështirë të refugjatëve aty. Por gjithmonë kanë munguar fondet për të bërë diçka më shumë, thekson ai. "Nuk kemi pasur asnjë lloj buxheti në gjithë këto vite. Por tani jemi më optimistë për këtë kamp. Bashkimi Europian na ka premtuar ndihmë- Deri në pranverë shpresojmë të gjejmë një zgjidhje."

Ndërkohë në kamp përditë e më shumë po vijnë shumë refugjatë nga vende të tjera. Së fundmi një grup pakistanezësh, që u kanë mbaruar paratë për të paguar kontrabandistët që t'i sjellin ilegalisht në perëndim. Të gjithëve u mbetet të presin. Si pakistanezëve, si Fahimit dhe miqve të tij u mbetet të shpresojnë se do të vijë një ditë që ata do të dalin përfundimisht nga kampi i të dëshpëruarve.