1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbi: Kohë të vështira me vendime të rrezikshme

Reagimet e shtypit gjermanofon mbi vendimin e fundit të parlamentit serb për kufizimin e pavarësisë së Bankës Kombëtare Serbe. Vendimi i qeverisë serbe keqëson pozitën serbe në tregjet financiare.

Parlamenti në Beograd

Parlamenti në Beograd

As kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bankës Botërore dhe të BE-së dhe as përpjekjet e opozitës për t'i bindur deputetët serbë nuk ishin në gjendje ta stepnin parlamentin serb për të mos i miratuar ndryshimet në Ligjin për Bankën Qendore. Me këto ndryshime deputetët votuan të shtunën pro kufizimit të pavarësisë së Narodna Banka Srbije, Banka Kombëtare e Serbisë. Kontrolli politik mbi bankën kombëtare - dhe në këtë mënyrë mbi emetimin e parave dhe mbi 10 miliardë eurot që përbëjnë rezervat valutore të vendit - ishte veprimi i parë i qeverisë së re, e cila filloi nga detyra në fund të korrikut.

Banka Qendrore e Serbisë

Banka Qendrore e Serbisë

Lojë e rrezikshme

Sipas amendamenteve të ligjit parashikohet që guvernatori dhe të gjithë zyrtarët e lartë të Narodna Banka Srbije do të zgjidhen prej parlamentit. Kompetencat e guvernatorit kufizohen, ndërkohë që zgjerohen ato të bordit mbikëqyrës i cili emërohet nga qeveria. Edhe statutin e vendos parlamenti. Përveç kësaj, brenda bankës qendrore do të krijohet edhe një zyrë e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe që do të ketë si detyrë kontrollin e institucioneve financiare.

"Politika financiare e Serbisë është një lojë e rrezikshme" shkruan gazeta gjermane taz: Nxitimi me të cilin qeveria e Serbisë do ta vërë në varësinë e vet bankën qendrore tregon gjithë zymtësinë e gjendjes ekonomike dhe sociale: thesari i shtetit është bosh, deficiti buxhetor është 2.2 miliard euro, ekonomia ka ngecur në vend, papunësia prej 25 për qind është në rritje çdo ditë, sistemi shëndetësor është përtokë dhe për të qenë në gjendje për të paguar në tetor pensionet dhe pagat për punonjësitt e shtetit, Serbisë do t'i duhet të marrë hua akoma më shumë para në kushtet më të këqija të mundshme. [...]

taz kritikon se sipas "motos "Kohët e vështira kërkojnë masa të pazakonshme" ata duan të mbrehin bankën qendrore për të kapërcyer krizën ekonomike. Për të qenë i sinqertë, disa e kërkojnë të njëjtën gjë prej Bankës Qendrore Evropiane. [...] Në rastin e Serbisë kjo do të thotë që emetimi i parave të bëhet i kontrolluar për të financuar konkretisht investimet prej rezervave të devizave. Kjo është një lojë me zjarrin dhe që të bën të kesh dyshime të rënda për korrupsion. Biografitë e vendimmarrësve nuk të lënë të kesh besim."

Ivica Daçiq, kryeministri i ri

Ivica Daçiq, kryeministri i ri

Keqësim i pozitës serbe në tregjet financiare

Reagimi tjetër mbi vendimin e qeverisë serbe vjen nga "Die Presse": "Qeveria sulmon Bankën Kombëtare" është titulli i artikullit të gazetës austriake: Ligji i ri kërcënon të minojë jo vetëm pavarësinë e bankës qendrore por do të keqësojë edhe pozitën e Serbisë në tregjet financiare ndërkombëtare, si dhe do të ngadalësojë afrimin me BE-në të kandidatit më të madh për anëtarësim në Ballkanin Perëndimor.

Guvernatori i përgjithshëm i Bankës Kombëtare të Serbisë, Dejan Šoškić, i cili dha para përfundimit të mandatit dorëheqjen, thotë se qeveria e re do që për shkak të arkave bosh të shtetit të mjelë rezervat e devizave prej rreth 8 milonë eurosh për të financuar politikën e saj ekonomike dhe për t'u bërë dhurata në formë subvencionesh përkrahësve të saj, oligarkëve vendas. "Shumë prej oligarkëve, që u bënë të pasur brenda natës, i kanë grabitur ndërmarrjet shtetërore të privatizuara duke shitur pasuritë e patundshme dhe duke pushuar nga puna punonjësit. E vetmja aftësi e monopolistëve të rinj konsiston në atë që të shesin në vend me trefishin e çmimit mallra të  blera jashtë shtetit."